Boris Johnson ishte në shtëpinë e tij ndërsa mediat qëndroni jashtë për ta pyetur nëse ai do të ngrinte kamën për të goditur Tereza Mein duke e larguar nga posti kryeministres. Johnson pas disa orësh në pritje të gazetarëve doli me një tabaka të madhe dhe i ofroi çaj të ngrohtë por asnjë përgjigje mbi pyetjet e tyre. Një formë humoristike për të tejkaluar një moment që ai nuk donte ta ndante.
Disa vite më tej deputetëve të PD, 35 të tillëve, Sali Berisha u ngriti një kurth nga e cila ato nuk dinë si të dalin. Berisha për të testuar dhe për ti poshtëruar këto deputetë e akoma më mirë për t’i treguar se nuk janë të zotë të marrin vendime politike të forta ka thërritur një protestë.
Siç ia do zakoni Berisha e ka fryrë këtë protestë duke paralajmëruar qindra mijëra shqiptarë në shesh, ndonëse gjasat më të mëdha janë që do jenë shumë herë më pak se sa kaq. Por synimi i tij nuk janë as shqiptarët, aq më pak demokratët por vetëm deputetët të cilëve ditën e sotme u ngriti një tjetër pusi.
Nuk mendohet që deputetët të vinin në kuvend me kanaçe të pijeve freskuese dhe të bënin humor. Jo! Ato që janë me Sali Berishën ecnin ngadalë dhe e shijonin pritjen në diell të gazetarëve të trullosur për “lajmin”, pastaj ndalonin dhe jepnin deklarata të fuqishme.
Pjesa tjetër e hutuar dhe pa ditur si t’i iki kësaj, e frikësuar deri në palcë nga Sali Berisha që nuk tremb më askënd nuk di të përgjigjet dhe si përfundim rrëzohet më këmbët e saj. Dikush thotë që ka qenë në të gjitha protestat (e vërtetë? Po tek protesta e Shoqatës së të Verbërve ke qenë?).
Një tjetër deklaron se ka qenë në çdo protestë e demokratëve dhe se protesta është e drejtë kushtetuese (uau vërtetë? Nuk e dinim as këtë fakt).
Alibeaj në fakt ishte më korrekti, në një farë mënyre legjitimoi protestën por tha që nuk mund ta drejtojë Berisha.
Ky dështim i trishtueshëm i opozitës, pra 35 deputetëve, për të shpërfillur, ironizuar apo për t’i dalë në ballë Berishës është tragjedi. Pasi në fakt tregon se si Sali Berisha me një tufë nga tarafi tij ka mundur t’i bëjë këtyre deputetëve të shumëzojnë me zero çdo përpjekje të tyre për një PD pa liderin që PD e do për interesin e tij personal.
Akoma më keq, ky dështim i deputetëve që bien pre e lojës së Berishës po tregojnë kthimin në pikën zero, me ëndrrën edhe shpresën pa logjikshme se PD do kthehet ajo e para 9 shtatorit. Praktikisht të lumtur në mjerimin kolektiv dhe sëmundjen e përbashkët, por ama krenarë në tragjedinë e tyre.
Protesta e Berishës, nuk do të rrëzojë Ramën, nuk do mbledhë asnjë nga ato qytetarë që ai mendon apo ëndërron. Qëllimi tij u arrit, duke i treguar edhe një herë deputetëve se “kush është bosi juaj:” dhe deputetët iu vunë në rresht. Tani ai mund të bëjë gjithçka dhe askush nga ato nuk do të flasë. Do t’i shmangen me kokën ulur ndërsa ai do të qeshë me të gjithë.
Kur të mbarojë misioni i tyre ai për shëlbim do t’iu lëshojë Evi Kokalarin që të sillen si Belindi. Kokën e ulur dhe me në gojë “na fal doktor se do na duan demokratët”
Kjo është tragjedia e demokratëve, nëse ajo parti do të shpëtojë nga tmerri i Berishës nuk do jetë për shkak të ndonjë deputeti përkundrazi.