Nga Rigels Seliman
Pas zgjedhjeve të 11 majit të mbajtura këtë të dielë, të cilat i dhanë Edi Ramës mandatin e tij të katërt radhazi, nuk mund të mos ndalem e të reflektoj – jo vetëm si qytetar, por edhe si vëzhgues i një realiteti politik që gjithnjë e më shumë po i ngjan një skenari të parashikueshëm. Ndaj, me një ton të përzier mes ironisë dhe një ndjesie të sinqertë lodhjeje kolektive, dua të bëj një propozim: është koha të shpallim Edi Ramën Mbret i Shqipërisë.
Po, po, mbret – jo në kuptimin e përqeshjes, por si një zgjidhje praktike për një vend që nuk ndryshon dot rrotacionin politik, sado të përpiqet. Me katër mandate të njëpasnjëshme, çfarë tjetër mungon për ta kurorëzuar këtë dominim politik si një formë moderne monarkie?
Imagjinoni: një fron në Kryeministri, një kurorë rozë që i përshtatet edhe stilit të tij artistik, dhe një festë popullore për të festuar “votën e përjetshme”. Nuk ka më stres zgjedhjesh, as tension elektoral, as pritshmëri të kota për ndryshim. Çdo katër vjet, në vend të zgjedhjeve, organizojmë një karnaval në nder të Sundimtarit të Pazëvendësueshëm – Rama I.
E them këtë, sepse ndoshta ky është kompromisi më i sinqertë që mund të bëjmë si shoqëri: në vend që të luajmë demokracinë me të njëjtët aktorë e skenar, pse të mos e pranojmë realitetin e konsoliduar dhe ta ngjyrosim me pak humor? Në fund të fundit, nëse do të jetojmë me një figurë dominuese për dekada, le të kemi edhe të drejtën të talhemi pak me të.
Sepse, siç duket, Rama nuk ka nevojë më për fushata – ai ka histori, stil dhe tashmë, edhe një vend të garantuar në “panteonin” e pushtetit shqiptar. Ndaj, me gjithë respektin institucional (dhe një buzëqeshje nën buzë), le të bëjmë hapin e fundit simbolik dhe të themelojmë: Monarkinë Parlamentare Shqiptare – versioni 2.0.
