Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi organizoi dje takimin e parë të konsultimit publik për projektligjin për Shkencën, i cili u zhvillua në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit me anëtarë të Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor. Kushi në një postim në rrjete sociale nënvizoi se në këtë takim u dhanë sugjerime me vlerë për ta përmirësuar më tej draftin e parë, ndërkohë që procesi i konsultimit do të vijojë të jetë intensiv edhe gjatë muajit korrik me aktorë të fushës së kërkimit shkencor.
“Ligji i ri për Shkencën synon që t’i japë një frymë të re dhe bashkëkohore kërkimit shkencor, duke e përafruar me legjislacionin e BE-së dhe duke reflektuar zhvillimet e kohës, duke synuar zhvillimin e qëndrueshëm të vendit dhe rritjen e mirëqenies sociale, ngritjen e kapaciteteve të personelit shkencor; Fuqizimin e lidhjeve ndërkombëtare me zonën evropiane të kërkimit; rritjen e përdorimit të infrastrukturës kërkimore shkencore; nxitjen e bashkëpunimit midis institucioneve të kërkimit shkencor, biznesit, institucioneve publike, shoqërisë civile, si dhe palëve të tjera të interesuara në veprimtari kërkimore shkencore dhe inovacion”, u shpreh Kushi.
Ndërkohë e pranishme në këtë takim ka qenë edhe pedagogia e njohur, njëherësh drejtoreshë e Qendrës Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin (QShPZh), Elona Gjebrea, e cila përshëndeti këtë iniciativë.
“E nderuar te jem anëtare e Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor, si një organ këshillimor pranë Ministres së Arsimit dhe Shkencës. Zhvilluam takimin e parë të konsultimit publik për projektligjin për shkencën i cili synon ti japë një frymë bashkëkohore kërkimit shkencor duke e përafruar me legjislacionin e BE si dhe të nxisë bashkëpunimin midis institucioneve të kërkimit shkencor, biznesit, institucioneve publike, shoqërisë civile, si dhe palëve të tjera të interesuara në veprimtari kërkimore shkencore dhe inovacion. Faleminderit Ministres Evis Kushi për besimin”, shkroi dje zonja Gjebrea në rrjetet sociale.
