Nga Rigels Seliman
Albana Koçiu është një nga personalitetet e administratës publike shqiptare që ka treguar profesionalizëm dhe përkushtim të vazhdueshëm ndaj shërbimit publik. E lindur në Tiranë më 10 korrik 1977, ajo ka ndërtuar një karrierë të gjatë dhe të konsoliduar, ku përvoja dhe integriteti janë bërë pjesë e pandarë e profilit të saj.
Që prej vitit 2013, Koçiu ka mbajtur postin e Drejtoreshës së Departamentit të Administratës Publike, një detyrë e ndjeshme që lidhet me organizimin dhe funksionimin e shërbimeve ndaj qytetarëve. Në këtë rol, ajo ka spikatur për menaxhimin e reformave dhe për aftësinë e saj për të orientuar institucionet drejt një modeli më transparent e më efikas.
Një tjetër element i rëndësishëm në karrierën e saj është angazhimi në procesin screening me Komisionin Evropian, ku ka udhëhequr delegacione shqiptare në nivel teknik për Reformën e Administratës Publike. Ky kontribut tregon jo vetëm njohuritë e saj të thella mbi administratën, por edhe aftësinë për të përfaqësuar Shqipërinë në arenën ndërkombëtare me seriozitet dhe profesionalizëm.
Prej shtatorit 2023, Albana Koçiu ka mbajtur postin e Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Në këtë funksion, ajo ka nisur një proces reformimi të brendshëm, duke synuar përmirësimin e shërbimeve shëndetësore, rritjen e cilësisë së spitaleve dhe modernizimin e skemave të mbrojtjes sociale. Ky përkushtim për të sjellë ndryshim në një sektor jetik si shëndetësia është tregues i aftësisë së saj për të menaxhuar struktura të ndërlikuara dhe për të çuar përpara reforma që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.
Këto cilësi e bëjnë Albanën Koçiu një emër që shihet si i përshtatshëm edhe për drejtimin e Ministrisë së Brendshme. Ky dikaster kërkon një figurë që di të përballojë sfidat e rendit, sigurisë dhe bashkëpunimit institucional, duke ruajtur ekuilibrin mes ligjit dhe shërbimit ndaj qytetarëve. Përvoja e saj në drejtim dhe vendosmëria për të zbatuar reforma janë tregues se ajo mund të përballojë me sukses përgjegjësitë e një ministrie kaq delikate.
Në këtë këndvështrim, Albana Koçiu vlerësohet si një personalitet që mishëron modelin e shërbimit publik modern dhe të ndershëm. Ajo shihet si një përfaqësuese e denjë e gjeneratës së re të administratës, që mund të kontribuojë ndjeshëm në forcimin e institucioneve dhe në rritjen e besimit të qytetarëve te shteti. Kështu që besimi që i është dhënë znj. Albana Koçiu nga kryeministri Edi Rama për të drejtuar Ministrinë e Punëve të Brendshme është një vendim i duhur.
