Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me pretencën e prokurorisë së Gjykatës Speciale në Hagë, e cila kërkon dënim me 45 vite burg për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
Rama e cilëson kërkesën e prokurorisë si një padrejtësi të rëndë dhe një akt që, sipas tij, cenon rëndë ndjenjën e drejtësisë, jo vetëm për Kosovën, por edhe për vetë kredibilitetin e drejtësisë ndërkombëtare.
Kryeministri shpreh mbështetje të hapur për Hashim Thaçin dhe ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar se lufta e UÇK-së ka qenë një luftë çlirimtare dhe jo një ndërmarrje kriminale, siç, sipas tij, tenton ta paraqesë pretenca e prokurorisë.
Në reagimin e tij, Rama nënvizon se kërkesa për një dënim kaq të rëndë nuk përputhet me historinë e njohur ndërkombëtarisht të konfliktit në Kosovë dhe sakrificën e bërë për liri.
“Nuk po shprehem dot, pasi ende po mundohem ta gjej ku buron filli logjik që ka ndjekur prokuroria për të dalë me kërkesën për varrosje për së gjalli të katër burrave”, shkruan Rama ndër të tjera.
Rama në X: Më pyesin miq nga Prishtina pse nuk po shprehesh për mikun tënd që sot u ngarkua me 45 vjet burg në pretencën e prokurorisë së Hagës?! Nuk po shprehem dot, pasi ende po mundohem ta gjej ku buron filli logjik që ka ndjekur prokuroria për të dalë me kërkesën për varrosje për së gjalli të katër burrave dhe si kurrë ndonjëherë, fjalët nuk më vijnë në ndihmë për t’u shprehur… Ndjesë, më duhet kohë ta gëlltis gjithë atë mal me mut që nxorri sot ajo prokurori në zemër të Europës demokratike!
