Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi disa kohë më parë bëri një premtim publik për punonjësit e Policisë në Komisionin e Sigurisë, kur po diskutohej projekt-buxheti i vitit 2022, se paga e policëve që shërbejnë janë zonës së vendbanimit të tyre, do të shpërblehen me 150% të pagës së tyre. Nga kjo rritje do të përfitonin 1179 efektivë të të gjitha gradave në vendin tonë. Pas 4 muajsh nga kalimi i buxhetit, punonjësit e policisë që punojnë larg vendbanimit nuk e kanë marrë shtesën e premtuar. Ministri i Brendshëm pranoi këtë të premte vonesën gjatë një prononcimi për mediat, por shkakun e gjen tek kriza e çmimeve “Kemi pasur një ngadalësim të këtij procesi me krizën që ndodhi, por shumë shpejt, në mos gaboj në muajin tjetër, të gjitha ato që kemi premtuar dhe parashikuar në buxhetin e shtetit do të realizohen”, u përgjigj Çuçi.
Por shqetësimin për policët që punojnë në distancë e ngre edhe kreu i Sindikatës së Policisë së Shtetit, Sadedin Fishta. “Në këtë periudhë të vështirë të krizës së çmimeve, do të ishte një ndihmë shumë e mirë për të gjithë punonjësit që punojnë jashtë vendbanimeve të tyre. E gjitha ka synimin që buxheti familjar të mos preket nga shpenzimet që sjell një punë disa kilometër larg vendbanimit të policit’, deklaroi Fishta. Përllogaritja e shtesës së pagës do të bëhet në bazë të kilometrave. Nga 20 deri në 60 km largësi, do të përfitojë 20% mbi pagën. Nga 61 km deri 120 km, policët do të përfitojnë 30% më shumë dhe mbi 121 km, do të përfitojnë 50% mbi pagën mujore.