E martë, 20 Maj, 2025

Petro Koçi: Shqipëria progres në luftën ndaj korrupsionit, Berisha “kartë e djegur” që duhet të hetohet për “21 Janarin” dhe aferën e kompleksit “Partizani”, PS forca e vetme e ndryshimit, Tirana zyrtare i ka plotësuar kushtet për t’u mbajtur konferenca ndërqeveritare

Share

Deputeti i Partisë Socialiste për Qarkun e Fierit, Petro Koçi shprehet i bindur se vendi ynë i ka plotësuar të gjitha kushtet për të qenë anëtare e Bashkimit Europian, por BE është duke u përballur me një krizë zgjerimi gjë që, sipas tij, e kishte sinjalizuar në deklaratat e saj edhe Presidentja e Komisionit Evropian,  Ursula von der Leyen pak ditë më parë. Në një intervistë për gazetën “SOT”, deputeti Koçi theksoi se Shqipëria ka bërë progres në luftën ndaj korrupsionit, ndërsa theksoi se PS nuk mund të heshtë kur ngjarja e “21 Janarit”, “Gërdeci” apo edhe privatizimi i kompleksit “Partizani” nga ish-kryeministri Sali Berisha janë afera të rëndë që janë sheshit dhe që sipas tij, duhet të hetohen nga SPAK.

-Zoti Koçi, edhe njëherë tjetër zhvillimet në Bullgaria ia lidhën duart udhëheqësve të BE-së, për t’i thënë “PO” çeljes së mbledhjes së parë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, në samitin e Këshillit Europian, të mbajtur javën që shkoi. Vetoja bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut nuk u hoq, madje prodhoi një krizë të fortë politike, duke rrëzuar qeverinë e kryeministrit Kiril Petkov, ndërkohë që nga ana tjetër edhe kryeministri Edi Rama nuk mbeti pas, pasi lëshoi kritika të forta në adresë të Brukselit. Si ju duk ky vendim dhe keni një koment?

Shiko, unë e kamë thënë edhe pak ditë më parë në një studio televizive, që nuk është se Europa ka thënë jo, por nuk ka arritur dot të thotë një po dhe të gjitha vendet me përjashtim të Bullgarisë dhe i kanë kërkuar Bullgarisë hiqe atë veto. Unë nuk besoj se ka diçka më shumë me Maqedoninë kam përshtypjen që ajo është një çështje e politikës së tyre kanë raportet e tyre. Pastaj aty nuk përjashtohet edhe fakti që të ketë influenca të tjera. Por është një çështje për të cilën ne nuk kemi pse bëjmë diversion dhe nuk duam që të ketë influenca të tjera, në asnjë vend të BE, mundësisht edhe në vende, të cilat nuk janë në Bashkimin Evropian sepse nuk është në interesin tonë. Qartazi nga situata në Ukrainë duket se Europa ka qenë më e vendosur për ta integruar Ballkanin Perëndimor në gjirin e vet. Lufta në Ukrainë ka shërbyer si një leksion i madh, por kriza mes marrëdhënies së Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut solli në këtë pafuqi të BE për të thënë një po. Ursula tha se mbase duhet që të ndryshojmë mekanizmin e vendimmarrjes dhe kur e thotë edhe ajo si të thotë se ky tani për Bashkimin Europian është një problem dhe duke u zgjeruar BE kriza e vendimmarrjes mund të shfaqet edhe për gjëra të tjera. Ne kemi plotësuar kushtet për t’u mbajtur konferenca ndërqeveritare ne nuk kemi plotësuar kushtet për t’u hapur negociatat, ne kemi ecur përpara edhe në disa fusha si në luftimin e korrupsionit. Shqipëria është gati për të hapur konferencën ndërqeveritare.

-Si po ecën procesi i zgjedhjeve për kryetar të PS Fier dhe çfarë mesazhi keni për pasardhësin tuaj, duke qenë se kjo degë është drejtuar nga ju dhe madje mos e merr si lajkë, por ju z. Petro Koçi jeni ikona e Partisë Socialiste të Fierit, pasi këtë parti e keni drejtuar edhe në vitet ’91 – ’97, kohë kur rregjimi i Sali Berishës ishte në kulmin e ashpërsisë?

Pas një dëgjese model të kandidateve për Kryetar të Partisë Socialiste Fier po presim me interes të lartë përzgjedhjen përfundimtare të drejtuesit të ri politik socialist në territorin e Bashkisë tonë. Pata fatin ta ridrejtoj partinë që nga shtatori 2020. Ishte një përvojë fantastike viti i parë i kësaj periudhe, i cili u mbyll me rezultatin me të mirë në gjithë qarkun në zgjedhjet e 25 Prillit 2021. Morëm serish pak më shumë sesa rezultati i 2017. Në shifrat zyrtare mungojnë votat socialiste të hedhura gabimisht. Leksion që vlen shumë.

E bazova drejtimin e partisë në 3 shtylla:

  1. Në rindezjen e makinerisë organizative dhe elektorale ku përfshiheshin, patronazhistët, organizatat, koordinatoret, këshillat socialiste te njësive administrative;
  2. Në bashkimin e energjive politike të çdo socialisti pavarësisht datës se aderimit ne PS;
  3. Në goditjen e fenomeneve korruptive të administratës në disa sektore si Kadastra, prokurimet, etj.

Kjo solli besim elektoral se PS është forca e vetme e ndryshimit. Por pas zgjedhjeve gjerat ndryshuan. Aleanca e një pjese të strukturës që është katapultuar në administratë krijoi një atmosferë sektare dhe përçarëse. Kontrolloheshin edhe like-t ne Facebook. Dikush u hoq edhe nga puna. U desh në një rast ndërhyrja e ish-zëvendëskryeministrit që një sanitare “guximtare” të ripunesohej diku tjetër.  Goditja publike ndaj korrupsionit që gërryen financat publike, identifikimi i përfshirjes se botës se krimit në bashkëpunimin me protagonistë të administratës solli kundërveprime me natyrë politike tejet komprometuese. Krimi i organizuar kërkonte shkarkime të kujtdo që inkurajonte luftë ndaj korrupsionit. Në fakt lufta ndaj korrupsionit e bashkon partinë, e energjizon anëtarësinë saj, i jep fuqi ndryshimit vendor. Prandaj lidershipi i ri i partisë duhet inkurajuar që të përfaqësojë shpirtin e ndryshimit. Do të jetë e vështirë. Këtë e vërtetoi edhe numri i madh i kandidimeve. Une besoj se do të fitojë fuqia e ndryshimit!

– Partia Socialiste vijon të këmbëngulë dhe madje ka refuzuar me forcën e kartonit në Parlament çdo nismë të Partisë së Demorkatike të drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha. A ju duket normale kjo strategji që po aplikon PS, duke injoruar Berishën.

Sali Berisha është një kartë e djegur, ne e kemi përcaktuar që s’do e marrim parasysh, s’do e kemi as dialog as kontakt nuk do kemi në konsideratë asnjë projekt që vjen nga grupimi i tij. Deri në momentin që ka fol Rama kemi dëgjuar në Kuvend çfarë nuk kanë thënë për SPAK dhe nuk dëgjuam ndonjë reagim të thonin pse na bëni presion. PS përfaqëson opinion publik, nëse kemi vërejtje kjo nuk vjen nga çështje personale. Si mund të jetë memece Partia Socialiste kur figura të tillë si Sali Berisha, kanë fshirë të gjithë gjurmët për të marrë vesh kush ka hyrë e kush ka dalë atë ditë në kryeministrisë. Prova do ishte regjistrimi nga kamerat. vetëm për atë kushedi sa përgjegjësi do mbante Berisha. Pale që deklaroi që do e qëllonte vetë me snajper zotin Rama. Këto janë deklarata që janë bërë publikisht. Ato janë dëshmi të rreme, ku e gjeti që shkopinjtë ishin pushkë e stilolapsat pistoletë. Kemi Gërdecin, privatizimin e Klubit Partizani.

Intervistoi: Rigels Seliman

Te tjera

Lajme te tjera