Deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, ka komentuar me tone të forta situatën aktuale politike në vend, ndërsa ka hedhur akuza të drejtpërdrejta dhe të rënda ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha. Gjatë një interviste për “Gazeta Sot”, Koçi e përshkruan klimën politike si të tensionuar dhe të mbarsur me qëllime destabilizuese, ku, sipas tij, Berisha vijon të luajë rolin e nxitësit të krizave dhe pengmarrësit të opozitës. Deputeti Koçi shigjeton opozitën për kthimin pas në duart e një lideri të dështuar dhe paralajmëron se lufta guerile e Berishës përbën një kërcënim real për demokracinë. “Berisha është një kafshë politike që nuk di të jetojë jashtë konfliktit, dhunës dhe rrënimit institucional”, deklaron Koçi, duke e akuzuar për përpjekje të hapura për të destabilizuar vendin nëpërmjet taktikave guerile dhe sulmeve ndaj institucioneve demokratike. Ai përmend me forcë ngjarjet e rënda të “21 Janarit” dhe “Gërdecit” si dy plagë të rënda të historisë së re shqiptare, për të cilat drejtësia ende nuk ka dhënë përgjigje. “Në vend që të mbajë përgjegjësi për tragjeditë që ka shkaktuar, Berisha sot kërkon të mbijetojë politikisht duke përdorur Partinë Demokratike si mburojë personale”, shton Koçi. Ndërkohë ligjvënësi Petro Koçi nënvizon se koha e pandëshkueshmërisë duhet të marrë fund dhe i bën thirrje drejtësisë të mos frikësohet nga presionet politike të grupit Berisha. Nga ana tjetër, në këtë intervistë, deputeti i PS, Petro Koçi flet gjithashtu për rezultatin e zgjedhjeve të fundit, duke e quajtur fitoren e Partisë Socialiste një votëbesim të qartë për qeverinë dhe një ndëshkim për opozitën e kontrolluar nga një figurë e konsumuar si Berisha.
-Zoti Koçi, kreu i PD, Sali Berisha ka deklaruar se “janë dy rrugë për të rrëzuar qeverinë: ajo e qetë ose ajo guerile”. Si i shikoni këto deklarata? A janë kërcënuese për stabilitetin demokratik të vendit?
Sali Berisha është një kafshë politike djallëzore. I kalkulon qëndrimet e veta për mbijetesë. Ai ka qenë në gjithë periudhën e pas komunizmit problemi dhe jo zgjidhja. Të qenit vetëm problemi dhe jo zgjidhja i jep atij kënaqësi dhe ngopje shpirtërore. Ky është pasioni i tij. Tashmë po vijon me taktikën që krizën e vet të lidershipit të dështuar t’ia transferojë procesit politik të PD-së dhe mundësisht politikës kombëtare. Metoda e tij kryesore ka qenë dhe mbetet lufta politike guerile, destabilizimi dhe sulmi mbi institucionet. Është e kotë t’ju kujtoj 14 shtatorin, 21 janarin, djegien dhe shkatërrimin e mjeteve të Kuvendit, grushtat dhe shkelmat mbi Gardën etj. Pra, ai mbetet shkopi më i madh nën rrotat dhe këmbët e vendit.
-Dosja “Partizani” tashmë ka kaluar për gjykim. A besoni se do të vijë një dënim për Sali Berishën? Apo sistemi do të vihet sërish në provë?
Drejtësinë Sali Berisha e ka sfiduar gjatë gjithë karrierës së tij politike. Tashmë është në dorën e drejtësisë të sfidojë këtë trashëgimi antishtetërore që ka lënë Berisha dhe banda e tij. Sidoqoftë, e ka në dorë gjykata të peshojë përgjegjësitë e tij personale kryeministrore në aferën e përvetësimit të Klubit ‘Partizani’. Publiku do të priste me shumë interes hetimin e plotë të ngjarjes së rëndë të ‘21 janarit’, të rolit të familjes Berisha në aferën e ‘Gërdecit’, etj. Të shpresojmë që SPAK dhe Gjykata Speciale të mos tuten nga lufta e egër e grupit Berisha ndaj tyre.
-Çfarë mendoni se qëndron pas fitores së Partisë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit? A ishte kjo një votë besimi për qeverinë apo mungesë alternative nga opozita?
Sigurisht që kemi një votëbesim të ri e të fortë për PS-në dhe Qeverinë Rama. Por duhet të pranojmë se opozita ka qenë një faktor plus në përmasën e fitores së mazhorancës. Kthimi i Berishës në krye të PD-së ishte vetëvrasje politike për opozitën. Ndërsa partitë e reja nuk janë realisht të tilla. Ato janë sindikata dhe rezultati i tyre më pak se modest është fryt i harxhimit financiar, shpesh jotransparent. Gjithsesi, detyra e partisë sonë është përulësia dhe shpirti i shërbesës në 4 vitet që vijnë.
Intervistoi: Rigels Seliman
