E hënë, 13 Janar, 2025

Petro Koçi: Meta-Berisha janë bërë bashkë nga halli, me ta në krye opozita po shkon drejt greminës, Saliu fatkeqësi kombëtare dhe përgjegjës kryesor për ngjarjet kriminale të ’96, ’97 dhe “21 Janarit”, ja pse PS është fuqia e ndryshimit dhe e pakonkurrueshme, zgjedhjet lokale të 2023 i fitojnë socialistët

Share

Deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi është i bindur se ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-presidenti Ilir Metaj janë bërë bashkë nga halli, ndërsa thekson se bashkimi i tyre prodhon korrupsion dhe kriminalizimi të politikës. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, deputeti Koçi theksoi se Berisha ka përgjegjësi direkte për ngjarjet kriminale të ’96, ’97 dhe “21 Janarit”. I pyetur për zgjedhjet vendore të 2023, zoti Koçi deklaroi se ato do t’i fitojë PS-ja, për të cilën shtoi se është është fuqia e ndryshimit dhe e pakonkurrueshme.

-Zoti Koçi janë duke u afruar zgjedhjet vendore të cilat do të zhvillohen në vitin 2023, mendoni se ka një krisje të besimit të qytetarëve tek qeveria për shkak të një historie skandalesh që kanë prekur sektor të ndryshëm në vend gjatë  këtyre viteve të fundit?

Zgjedhjet vendore marrin rëndësi politike në raport me zhvillimet që mund të jenë jo të zakonshme. Në rastin konkret nuk mendoj se jemi në një situatë të tillë. Do të varet nga fakti nëse opozita do të jetë e bashkua apo jo për të fituar zgjedhjet opozita nuk është vetëm formalisht e përçarë, por është e rrëzuar sepse sundohet nga një formacion që është “non grata” nuk përfaqëson politikat e integrimit, pra ka mbrapa shumë pikëpyetje që e bëjnë atë të pabesueshme për të konkurruar Partinë Socialiste. Pra, opozita nuk është e aftë dhe e bashkuar për të konkurruar denjësisht Partinë Socialiste në zgjedhjet që po trokasin. Objektivat e Partisë Socialiste për fitoren e këtyre zgjedhjeve nuk vihen fare në dyshim.

-A ka ndërgjegje të pastër Partia Socialiste dhe ku e bren ndërgjegjja nëse ka hapësira që duhet që të përmirësoj?

Unë mendoj se ndërgjegjja më e mirë është që të ndihesh borxhli ndaj vendit dhe unë them se Partia  Socialiste këtë e ka pavarësisht se ka bërë shumë prapë me disa gjëra është  e pakënaqur. Sidomos qeverisja vendore është shumë e  rëndësishme se lidhet me disa aspekte thelbësore të jetës së qytetarëve, pra bashkitë kanë disa  shërbime që lidhen drejtpërdrejt me jetën e qytetarëve, sigurisht edhe qeverisja qendrore ka ato të veta, por është e përqendruar më shumë në projekte të mëdha që i shërben shumicës dhe nganjëherë nuk arrin të  perceptohet si një shërbim që do mirënjohje. Mendoj se në zgjedhjet vendore  do përpiqemi që të zgjedhim kandidatët më të mirë dhe të arrijmë që të konkurrojmë denjësisht në këshillat bashkiak sepse Partia Demokratike e braktisi pushtetin vendore dhe zgjedhjet kur bëri bojkotin. Natyrisht që  ne kemi shumë gjëra për të ndryshuar por unë besoj se një pjesë e kandidaturave në pushtetin vendore nuk do të vijnë më nga kandidatë aktual. Pra një pjesë e kandidaturave për kryebashkiak që drejtojnë pushtetin vendor nuk do të vijnë më nga njerëzit aktual që drejtojnë bashkitë, sigurisht do të ketë prej tyre që do të rikonfirmohen, por ka edhe të tjerë të cilët nuk do të rikonfirmohen. Edhe në këto zgjedhje Partia Socialiste duhet që të dëshmojë që është fuqia e ndryshimit.

-Ndryshimet e bëra në mbledhjen e fundit të kryesisë së Partisë Socialiste a tregojnë një rrëmujë brenda Partisë Socialiste?

Në momentin që një vendim ndryshon ti s’je më atje ku ke qenë më parë, në rastin e ndryshimeve të fundit kanë lidhje me disa standarde të padeklaruara të Partisë Socialiste. Kështu nuk shoh ndonjë gjë të çuditshme, edhe në rastin e Shkodrës ka qenë Edona Bilali që për shkak të lindjes janë gjëra që duhen respektuar.

-Me çfarë objekti duhet të shkojë PS në zgjedhjet lokale? 

PS fiton shumicën e bashkive këtu duhen llogaritur bashkitë e mëdha sepse ti mund të fitosh shumicën në bashki të nivelit të dytë, por nëse nuk fiton në bashkitë e mëdha kjo ngre pikëpyetje. Pra kur themi shumicë kemi parasysh një shumicë në bashkitë e mëdha në vend dhe patjetër që nuk duhet të jetë patjetër 31, sepse duhet një shumicë elektorale dhe votuese.

 -Ish-kryeministri Sali Berisha duket se po bënë një leksion të paktën sa i preket primareve brenda Partinë Demokratike, do të hapa të mëtejshëm të Partisë Socialiste në funksion të demokracisë së  brendshme, pra si do të zgjidhen kandidatët?

Referenca e Sali Berishës ka qenë fatkeqësi kombëtare do të thosha unë. Berisha ka përgjegjësi direkte në shumë ngjarje kriminale në vend. Në zgjedhjet e Libofshës, në zgjedhjet e ‘96, në 14 shtator ’98, në ngjarjet e ‘97, në 21 janar, etj. Dikur shteti ka qenë i dobët. Tani çdokush që do cenoje rendin kushtetues dhe atë publik do të mbajë përgjegjësi penale. Nëse fytyra e Partisë Demokratike do të mbetet Berisha është avantazh për Partinë Socialiste, por jo për Partinë Demokratike.

-Si ju duket koalicioni Meta-Berisha?

Çiftëzimi politik Meta Berisha e njollos imazhin dhe besueshmërinë e opozitës. Ky koalicion është koalicioni i prapakthimit. Nuk ofron shpresë për përparim. Ofron bashkim të simboleve të korrupsionit dhe kriminalizimit të politikës. Bashkëpunimi i vjetër ilegal Meta Berisha u legalizua fillimisht në 2009 dhe tani nuk përben më lajm. Është vetëm një ricertifikim. PS është e pakonkurrueshme nga opozita aktuale. Lidershipi ‘non grata’ ofron riishullim të Shqipërisë dhe bllokim të integrimit. Aftësia e shoqërisë për demokratizim do të komprometohej rënde nëse blloku ‘non grata’ do fitonte terren elektoral. Zgjedhjet lokale i fiton PS. PS mbetet akoma Fuqia e vetme e Ndryshimit. Partisë Socialiste i mjafton vetëm kaq: të ofrojë kandidatë me integritet të papërfillur, të aftë, institucionale, me shpirt shërbyesi, gjithëpërfshirës. Kjo do garantonte një fitore entuziaste dhe jo si zgjedhje të një të keqeje më të vogël.

-Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë kishin paralajmëruar protesta në muajin shtator, por deri më tani nuk kemi parë…

Mbase do të  jenë gjatë muajit tetor.

-Mendoni se vendi mund të futet në një fazë destabiliteti?

Nuk besoj se tani shteti është më i fortë dhe më  i fortë pra nëse do të ketë veprimtari të cilat do të cenojnë rendin publik subjektet politike do të duhet që të mbajnë përgjegjësi.

-Sa i përket sigurisë  gjatë muajit të verës ka pasur shumë debat lidhur me sigurinë në vend lidhur edhe me ngjarjet që kanë ndodhur si edhe ndryshimet që u bënë në krye të Policinë e Shteti, pra largimi i Gledis Nanos?

Unë besoj se kjo lloj  situate solli edhe nevojën për ndryshim në drejtimin e Policisë së Shteti, jo se ai që ikën është fajtor detyrimisht por për ti dhënë një lloj tjetër energjie një lloj situate ku kërkohet më shumë llogari patjetër që sjell këtë lloj vendimi për ndryshim si edhe ndodhi. Këtu  jo të gjitha varen nga policia direkt sepse policia ka përgjegjësia të veta sepse është një situatë si produkt i një drejtësie, e cila deri dje ka qenë e inkriminuar. Ne dëgjojmë njerëz që kryejnë vepra penale dhe që kanë kryer të tilla më parë dhe që janë të lirë sepse kanë marr vendime jo të drejta organet e mëparshme të drejtësisë.  Prandaj është krijuar SPAK, gjykatat e veçanta që luftojnë krimin apo korrupsionin, pra kemi struktura të reja për të  ndëshkuar krimin kjo nuk ndodh brenda një dite, por besoj se ka nevojë për një veprim më të fortë ndaj grupeve kriminale në vend he mendoj se nëse ndodh kjo produkti  kriminal në vend o të vij në rënie dhe jo në rritje.

 -Ndërkohë le të ndalemi pak tek ligji i Lustracionit që ka propozuar Partia  Demokratike. Si e shihni?

Për atë që propozon Partia Demokratike mbetet për ta parë teknikisht se çfarë propozohet. Unë mendoj që praktika e të gjitha vendeve ish-socialiste ka qenë kjo që ata që kanë shërbyer në shërbimin sekret, pra janë marrë me një veprimtari të fshehtë, ndalohen sepse këto janë implikime që deformojnë karakterin e një njeriu. Mbeten peng të një rrethane apo situate që mund të ndikojë në përformancën e sotme.

Intervistoi: Rigels Seliman

Te tjera

Lajme te tjera