Deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi komentoi zhvillimet e fundit në Parlament, teksa dy ditë më parë mes kaosit dhe tymuesve nga deputetët e opozitës u kalua për 5 minuta buxheti i shtetit për vitin 2024, ndërsa ka shpërthyer në sulme dhe akuza të forta ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zoti Koçi theksoi se gjithë kjo situatë kaotike për të krijohet, vetëm pasi ish-kryeministri Berisha është nën hetim për çështjen e privatizimit të ish-klubit Partizani. Sipas tij, deputetët e PD-së këtë kanë bërë gjithnjë, kaos, krisma dhe pushkë. Madje deputeti socialist Koçi Petro Koçi foli edhe dy dosjet e Sali Berishës që pritet të shpërthejnë në SPAK, sikundër janë “Gërdeci” dhe “21 Janari”, ndërkohë që ndër të tjera zbuloi se si ish-kryeministri po u bën presion prokurorëve duke iu futur brenda në familje. Sakaq, referuara kaosit në Kuvend të provokuar nga deputetët e Berishës dhe Bardhit, zoti Koçi shtoi se ata sillen si një bandë njerëzish ordinerë, mendojnë vetëm se si të shkatërrojnë seancat plenare dhe jo të diskutojnë mbi ligjet.
-Zoti Koçi, këtë të hënë mes kaosit dhe tymuesve nga deputetët e opozitës u kalua për 5 minuta buxheti i shtetit për vitin 2024. Për ju si deputet është normale që kjo të kalonte pa diskutime dhe në një kohë shumë të shkurtër ?
Sigurisht që nuk është normale, por është legjitime. Që do të thotë projektligji për buxhetin e shtetit është diskutuar në çdo komision online, edhe pse online është një zgjidhje që mund të konsumosh çdo lloj argumenti. Këtë e kemi bërë edhe më parë, ku faktori që krijonte normalitet ishte pandemia kurse tani është një forcë politike që po sillen si bandë njerëzish ordinerë. Mjafton të mendosh se kur mblidhet ai grup parlamentar, nuk diskuton më se çfarë qëndrimi do mbajë ndaj një ligji apo vendimi, por se si do ndërmarri vendime fizike për të shkatërruar seancat parlamentare. Si do marrin karrige, si do fusin tymuese, si do i vënë zjarrin. Si ta kalojmë buxhetin ndryshe?! Nuk ka alternativa, e vetmja alternativë ajo është. Jemi të ndërgjegjshëm që nuk është normale. Përgjithësisht kur diskutohen ligjet, nëse dëgjon deputetët nuk flasin për ligjet, por bëjnë retorikë politike. Nuk është se thelbi i ligjit diskutohet në Parlament. Pra nuk është se kjo e ndryshon shumë në përmbajtje, në formë e ndryshon shumë sepse çdo deputet duhet që të marr kohën e vet dhe të flas për çështjen që diskutohet por edhe për çështje të tilla.
-Ka PS një skenar se si do ta veprojë kur të vijë momenti për ta votuar projektbuxhetin?
Skenari ynë është që të garantohet normaliteti. Ne këtë skenar na i imponon opozita për të mos e lënë vendin pa buxhet ose pa aprovuar një ligj. Lufta politike ka ekstremet e veta, por jo deri aty sa ti vihet flaka,pse sepse e gjithë kjo situatë kaotike për të krijohet, vetëm pasi ish-kryeministri Berisha është nën hetim për çështjen e privatizimit të ish-klubit “Partizani”. Nuk pranojmë komisione por kjo nuk justifikon që opozita të bëhet modeli i asaj sloganit “në njërën dorë kazmën, në tjetrën pushkën”. Kanë bërë në 21 janar, në Gërdec. Pushka, krisma, snajperi është pasioni i tyre. Kjo situatë ku tjetri guxon të bëjë vepra penale në sy të të gjithë publikut, si është bërë në 21 janar në sy të të gjithë njerëzve. Ky guxim vjen sepse shteti ligjor ka qenë shumë dobët dhe kjo kurajë e politikës është nga kjo. Më thoni mua, a ndodhi vrasja ditën e zgjedhjeve në Elbasan, kush është dënuar, vetëm ai që shkrepi armën dhe jo pjesa politike që e organizoi dhe kishte nxjerr ato bandat dhe kjo është e patolerueshme. Unë them se drejtësia duhet që të guxojë më shumë ndaj politikanëve që guxojnë që të bëjnë vepra penale dhe që cenojnë integritetin e personave dhe të institucioneve.
-Kemi edhe një tjetër ish-ministër që akuzohet për korrupsion, a vazhdon PS ta shoh si përgjegjësi personale pavarësisht numrit të lartë të personave të akuzuar?
Përgjegjësia normale që është personale se s’ka se si të jetë kolektive. A ka këtu përgjegjësi morale politike padyshim që ka. E keni dëgjuar besoj kryeministrin Edi Rama sa herë ka folur për këtë aspekt ku ka theksuar efektin e reformës në drejtësi dhe meritën që ka Partia Socialiste në këtë reformë. Sigurisht nëse ne do të ishim jo pjesë e kontributit për reformën do ishim shumë më përgjegjës për numrin e rasteve që sot ose janë duke u shqyrtuar ose kanë marr një dënim nga drejtësia. Në momentin që ne kemi krenarin e ligjshme të kontributit për hartimin dhe miratimin kjo është një situatë edhe më e kuptueshme. Është publiku që gjykon dhe mendoj se e ka gjykuar ashtu si duhet sepse rezultatet janë parë në zgjedhjet e fundit.
-Si e keni parë mosparaqitjen e Berishës në SPAK?
Sali Berisha është njeri antishtet. Pa karakter. Ka frikë nga drejtësia. Nga që ka frikë bërtet dhe ulërin. Është i zhytur në shumë afera, kjo është njëra prej tyre. Për mua e rëndësishme është “21 janari”, përfshirja e familjes së tij në Gërdec. Mirëpo është puna e drejtësisë dhe varet edhe ata ca provash kanë. Kushdo që është shtetas shqiptar do t’i përgjigjet drejtësisë le të ketë çfarëdolloj fuqie politike. Nga pikëpamja politike është mosrespekt i drejtësisë fakti që nuk paraqitet.
-Pavarësisht të gjitha akteve që mund të bëjë opozita, mazhoranca do të vijoj që të mbaj seancat plenare?
Sa kohë opozita do vazhdojë këtë sjellje që është sjellje banditeske. Nëse do kishim një opozitë desktriktive por pa vajtur tek vija e kuqe ku mund të përzihen edhe element të protestës, por pa lënë mënjan instrumentet instrumentale, kurse kjo opozitë i ka lënë plotësisht mënjan dhe i quan të kot sepse e tillë opozitë është. Sa kohë do të kenë këtë sjellje është e pamundur nga mazhoranca që të bëjë diçka ndryshe nga kjo që po bënë. Ata mund të kërkojnë 100 komisione, por ka disa aspekte që është Parlamenti që voton, unë jam i zgjedhur në parlament dhe askush s’më detyron dot që të votojë, as partia ime nuk më detyron dot. Ata kanë kërkuar 7 deri tani, por mund të kërkojnë edhe 10 edhe 20 por ka disa kufizime. Unë janë me atë që edhe nga PS nëse ka afera dhe korrupsion le të dënohet kushdo, por unë kam parë njerëz që aty trajtoheshin si ata që merreshin si në hetuesin si në partinë e punës. Ka shumë gjëra për t’u riparë gjërat dhe mënyra se si bëhen komisionet parlamentare, aty vijnë njerëz të ndryshëm, nga institucionet, qytetarë të thjesht dhe nuk mund ti trajtosh ashtu në atë lloj mënyrë. Edhe Berishën e keni parë se si flet si prokuror që u bënë biografinë kë ka burrë kë ka grua, një turp i madhe dhe pse sepse është akuzuar dhe duhet që të vejë në SPAK.
-Marrëveshja me Italinë për refugjatët, keni dijeni për këtë?
Çdo marrëveshje nënshkruhet nga kryeministri ose ministrat përkatës të fushës dhe pastaj kalon në qeveri dhe më pas vjen edhe në Parlament. Por, unë besoj se kjo do të vij në parlament dhe kjo marrëveshje dëshmon se Shqipëria është një vend që është e dedikuar dhe e gatshme për të sakrifikuar energji dhe kontribute. Është një marrëveshje me në partner strategjik si Italia. Duhet që të kuptojmë se është numër fiks dhe mbetet i tillë, pra vetëm nëse lirohen vende vijnë të tjerë, nëse jo nuk vijnë të tjerë. Nëse një person merr azilin në Europë atëherë largohet dhe vjen dikush tjetër. Unë them se do jetë në zbatim dhe të funksionojë dhe vendi ynë do vlerësohet si një vend i përkushtuar ndaj Europës nga partnerët tanë ndërkombëtarë.
Intervistoi: Rigels Seliman
