Deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi ka komentuar situatën politike në vend. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zoti Koçi foli edhe për luftën në Kosovë, ndihmën me armatime në ato vite nga Shqipëria dhe momenti më i vështirë i tij si ministër i Brendshëm (Rendit), në atë periudhë? Gjithashtu, Koçi foli për mesazhet e që përcolli vizita e papritur e Sekretarit Amerikan të Shtetit Antony Blinken disa ditë më parë. Ai tha se vizita e zyrtarit të lartë të SHBA në epiqendër kishte Shqipërinë. Nga ana tjetër, sipas zotit Koçi, NATO mund të ketë nevojë që baza e Kuçovës të bëhet një vendqëndrim, apo edhe trajnimi do të shfrytëzohet edhe për të stërvitur personel ushtarak të vendeve të NATO, por edhe të vendeve partnere si është rasti i Ukrainës. Më tej gjatë intervistës me kryeredaktorin e gazetës “SOT”, zotin Rigels Seliman, ai theksoi se grupi i Bardhit dhe Rithemelimi janë çetë hienash, ndërkohë që nënvizoi se komunizmi de fakto është rrëzuar në vitin ’97 dhe tregoi pse sot opozita duhet që të shembë bustin e gjallë të Berishës.
-Zoti Koçi, ka kaluar shumë kohë në fakt që nga lufta në Kosovë, çfarë mbani mend ju nga ajo kohë?
Në fakt kushdo që do ishte në funksionet tona do bënte detyrën në lartësinë e duhur si e kërkonte momenti dhe intensiteti i ngjarjeve që po zhvilloheshin. Ne kishim kontakte me UÇK. Besoj kemi dhënë një ndihmesë të madhe dhe kemi shpëtuar shumë jetë njerëzish dhe ndihmuam edhe me trajtimin e të plagosurve. Ndërhyrja e NATO, ishte jetike dhe themelorja. Më është dashur një herë që të bëja vetë një komunikatë të UÇK. Duhet ta bëja unë, ju kujtohet momenti kur në Beograd u sulmua ambasada jonë, gjatë kohës që zhvillohej lufta dhe në Shqipëri, ndërkohë që ishin me mijëra shqiptarë të Kosovës dhe u njoftua një protestë te ambasada jugosllave. Kam folur me shtabin politik të UÇK dhe u thashë ju lutem transmetoni një komunikatë ku ti kërkoni njerëzve që të mos ketë akte dhune dhe ata më thanë bëje vetën një komunikatë dhe ajo komunikatë ka dalë në fakt nga faksi i Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë dhe është transmetuar në të gjitha televizionet gjithë ditën dhe ajo protestë ka shkuar në mënyrë të shkëlqyer. Nuk pati asnjë dhune dhe unë shpëtova nga një makth i madh. Qasja jonë ishte një qasje euroatlantike dhe kuptohet që disa institucione të shtetit amerikan ishin të përfshira në këtë çështje. Pa Clinton nuk mund të ndërhyje në ish-Jugosllavi, pra pa miratimin e tij. Ishte e përfshirë edhe CIA dhe departamente të tjera. Deri në një moment të caktuar UÇK-ja konsiderohej si një organizatë jo tamam çlirimtare, kanë qenë disa keqkuptime lidhur me origjinën e saj. Por, me kalimin e kohës gjërat ndryshuan dhe ajo u bë një partnere euroatlantike. Edhe ai takimi i Nanos dhe Millosheviç nuk është se ka qenë pa asnjë miratim nga ndërkombëtarët.
-Si bëhej ndihma me armatime në ato vite nga Shqipëria në Kosovë, Ministria e Rendit Publik ca roli kishte në ato vite?
Ishin të përfshira shumë segmente edhe të huaja edhe partner të rëndësishëm të shqiptarëve, dhe ka qenë kujdesi që këto procese të mos kualifikoheshin si vepra penale. Në këtë kuptim edhe roli i policisë ka qenë parësor, roli i policisë akoma nuk s’është njohur ashtu si duhet. Në atë kohë kur filloj ardhja e vëllezërve kosovarë brenda kufinjve të vendit ka qenë mundësia e akteve, sepse në të gjitha ato dyndje të tjerat ishin të pakontrolluara dhe ne kishim drojën se mund të kishte element të shërbimeve sekrete serbe dhe morëm masa. Janë marrë masa sa më të larta, në bashkëpunim ehe me Shërbimin Informativ dhe duhet që ta njoh mirë rolin që ka pasur Fatos Klosi në krye të atij shërbimi. Unë mendoj se Shqipëria ka bërë detyrën në lartasin e duhur dhe sigurisht merita është edhe e kryeministrit në atë kohë dhe e të gjithë atyre të tjerëve që janë përmendur shpesh. Unë nuk dua që ta teproj me modestinë, por besoj se çdo kush që do kishte qenë në vendin tonë do të bënte maksimumin, sepse këto janë ngjarje që nuk ndodhin çdo ditë, por ndodhin vetëm një herë në jetë. Ka qenë një kohë e vështirë sepse ne kemi ardhur në pushtet pas përpjekjeve për grusht shteti në ’98 dhe në atë vit është aprovuar edhe Kushtetuta. Sfida më e madhe është përballimi i krizë së Kosovës që erdhi edhe në Shqipëri.
-Cili ka qenë momenti më i vështirë për ju si ministër i Brendshëm (Rendit), në atë periudhë?
Ka qenë dita kur do të bëhej protesta në Tiranë, sepse ai akt që ndodhi pra sulmi ndaj ambasadës tonë mund të përdorej edhe nga opozita e kohës, që bënte protesta çdo ditë dhe thoshte kjo është qeveri, tradhtare, hajdute dhe komuniste. Ai moment ka qenë më i vështiri për mua. Shkoj një ditë tek stadiumi Qemal Stafa në një kafe aty dhe shoh që aty ishte edhe Hashim Thaçi dhe i them kamerierit që thuaj që është edhe ministri i Rendit këtu. Në fakt edhe jam acaruar pak sepse prezenca e tij në Shqipëri duhet që të ishte një informacion që unë si ministër duhet që ta kisha ditur. Sepse mund të rrezikonte shumë. Ai i tha kamerierit nuk jam Hashim Thaçi dhe doli edhe iku, pastaj këtë incident ma tha kur më dedikoj urdhrin e pavarësisë tek hotel Tirana.
-Do doja të na bënit edhe një analizë të vizitës së sekretarit Amerikan të Shtetit Antony Blinken në Tiranë pak ditë më parë?
Vizita e Blinken në epiqendër kishte Shqipërinë. Në atë ditë kur erdhi ai, në Kosovë doli ambasadori amerikan dhe foli për çështjet e brendshme atje. Dukej se Blinken nuk donte të përfshihej në problemet që ka marrëdhënia e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E gjithë vëmendja ishte tek roli i Shqipërinë. Edhe nëse ai nuk do kishte mbajtur një konferencë, vetë fakti që ai erdhi në Shqipëri në një kohë kur bota është e ndezur, kur Ukraina është në luftë, po ashtu tensionet në Gaza dhe të vish në Shqipëri kjo nuk ka nevojë për shumë koment. Kjo tregon vëmendjen e madhe që ka politika amerikane ndaj Shqipërisë, sepse jemi faktori kryesor i paqes dhe stabilitetit i paqes në Ballkanin Perëndimor. Kishte mesazhe për funksionimin e shtetit ligjor dhe e konsideruan kryeministrin të shkëlqyer edhe është vlerësim. Kjo tregon që qeveria jonë dhe kryeministri ka ditur që të jetë shumë largpamës. Por, nga këto nuk është se përfiton vetëm kryeministri, sepse këtu përfiton Shqipëria. Po edhe kjo marrëveshja e bërë me Italinë për emigrantët, nuk është përfitimin për qeverinë, por për shqiptarët, për emrin e vendit në BE. Solidariteti për të ndihmuar emigracionin e paligjshëm ka munguar shpesh në BE dhe ky solidaritet i një vendi të vogël, si jemi ne, kuptohet se tregon diçka të madhe.
-Baza e Kuçovës do të hapet shumë shpejt, është thënë se do shërbej për të trajnuar pilotët ukrainas?
Ajo është bazë e NATO, por që kthehet edhe si një bazë operative. Sa herë që NATO mund të ketë nevojë që ajo të bëhet një vendqëndrim, apo edhe trajnimi do të shfrytëzohet edhe për të stërvitur personel ushtarak të vendeve të NATO, por edhe të vendeve partnere si është rasti i Ukrainës. Në rastin e Ukrainës ne kemi dëshmuar se mbesim në llogoren e parë.
-Baza e NATO në Kuçovë, porti i Durrësit, ca sjellin kjo për vendin?
Të mos harrojmë edhe dy investime të mëdha që janë qendra e kontrollit të hapësirës ajrore që është bërë me investim të qeverisë së vendit dhe me solidarizimin e SHBA. Po ashtu, edhe dhurimi i helikopterëve Black Hwak. Krijimi i një infrastrukture të NATO do ta përforconte edhe më shumë rolin e vendit në rajon.
-Opozita protestoi dy ditë më parë, keni një koment?
Nëse komunizmi është rrëzuar në ’91, de fakto është rrëzuar në vitin 1997 dhe figura, busti i Enver Hoxhës është zëvendësuar më bustin e gjallë të Berishës. Nëse opozita do të bëjë protestë rreth rrëzimit të busteve do të duhet që të rrëzoj njëherë bustin e gjallë të Berishës. Unë them se ata duhet ta rrëzojnë atë bust fillimisht. Janë kthyer një grup prej tyre në një grup hienash që lëvizin nga njëri tek tjetri grup.
Intervistoi: Rigels Seliman
