Duke i konsideruar mbetjet si një faktor kryesor që shkaktoi përmbytje javët e fundit në disa zona, kryeministri Rama kërkon ngritjen e një Task Force mes qeverisë dhe bashkive për të luftuar ndotjen e mjedisit, duke përfshirë dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve.
“Kur gjendemi përpara kësaj situate agresioni të plastikës, të mbetjeve plastike, që është drejtpërdrejt ndikimi i njeriut mbi këtë situatë, duhet të vetëdijësohemi dhe duhet të angazhohemi për të ndërmarrë një ofensivë të përbashkët në nivelin qendror dhe në nivelin vendor dhe për të angazhuar sa të mundemi komunitetet, nga një anë, që të rrisim ndjeshmërinë ndaj këtij faktori dhe, nga ana tjetër, që të krijojmë kushte për ta vënë nën kontroll këtë faktor kaq të rrezikshëm dhe kaq të dëmshëm, jo vetëm për këto situata, por edhe për shumëçka tjetër, sepse ajo që ndodh me plastikën shkon pastaj derdhet në det, ka dëme të pariparueshme për jetesën e detit; ka dëme të pariparueshme për cilësinë e ushqimeve tona”, tha Rama.
Në mbledhjen me kryebashkiakët në Golem, kreu i qeverisë njoftoi se do të përforcohet infrastruktura mbrojtëse, dhe nga ana tjetër, me një financim prej 20 mln eurosh nga Emiratet, do të blihet një flotë mjetesh për pastrimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve kulluese.
“Me një fond të siguruar nga miqtë tanë të çmuar të Emirateve të Bashkuara prej 20 milionë eurosh në mbështetje të zhvillimit rural, të blejmë një sasi domethënëse mjetesh që vendosen në shërbim të kullimit, në shërbim të pastrimit të të gjithë kanaleve kulluese kryesore dhe që të funksionojnë sipas nevojave të bashkive”, vijoi Rama.
Kryetarët e bashkive i kritikoi se varen nga buxheti i shtetit dhe nuk po krijojnë vetë të ardhura. Ai ju vendosi targete për paketën e maleve, nga kapja e të cilave do të varet rikandidimi i kryebashkiakëve.
“Ambicia jonë duhet të jetë 1000 investime nga kjo paketë, 1000, që po t’i ndash në territor në 60 bashki, sipas potencialeve nuk janë shumë, 1000 investime dhe i kam kërkuar ministrit që do të përcaktojë se sa investime duhet të jenë futur në proces kur secili prej jush dhe secila prej jush do të pretendojë të rikandidojë. Nuk do të ketë asnjë rikandidim të mundshëm nëse nuk do të jetë arritur targeti i këtij projekti. Dikush 10, dikush 5, dikush 7, dikush 15, sipas madhësisë, sipas potencialeve”, tha Rama.
Rama ju rikthye edhe një herë sfidës së sigurisë ushqimore gjatë procesit integrues, ku askush nuk mund të shpëtojë nga standardet e BE.
