Kryeministri Rama i premton edhe një herë dëmshpërblim të gjitha familjeve të dëmtuara nga përmbytjet masive të kësaj jave.
Gjatë podcast-it të tij flasim, kreu i qeverisë njoftoi se Ministria e Financave ka gati planin e kompensimit, ndërsa pritet vetëm vlerësimi i plotë i të gjitha dëmeve.
“Dua t’u përcjell përsëri, të dëmtuarve nga kjo goditje e fatkeqësisë kësaj here, se ne do t’i qëndrojmë me të njëjtin dinjitet njerëzor, shtetëror dhe politik çdo detyrimi ndaj tyre, qoftë për banesat, qoftë për gjënë e gjallë. Ekipet tona të verifikimeve janë në terren që nga dita e parë, ndërkohë që Ministria e Financave e ka të përgatitur tanimë të gjithë planin me skenarët e dëmshpërblimit. Presim rezultatin përfundimtar të verifikimeve për të kaluar në fazën e dëmshpërblimeve”, tha Rama.
Faktori njerëzor tha kryeministri ndikoi ndjeshëm në përmasat që mori situata pas reshjeve të dendura të shiut, duke paralajmëruar ndëshkim për këdo që hedh mbetjet në kanale e prita.
“Faktori njerëzor ka peshën e vet. Unë nuk e di fare sinqerisht se si i bëhet harbutërisë ekstreme ndaj natyrës që manifestojmë orë e çast ne si popull! Prurjet marramendëse të plastikës nga lumenjtë në këto raste, janë të frikshme, janë të neveritshme, janë kriminale. Do të dalim më tej me masa të reja kundër kësaj fuqie të errësirës në trurin tonë si milet, duke rritur përpjekjet për sensibilizim, informim, por edhe ndëshkim po ashtu”, tha Rama.
Rama tha se ndryshimet klimatike dhe reshjet e mëdha të shirave ishin faktori kryesor i këtyre përmbytjeve që kanë prekur disa vende të Evropës dhe rajonit. Investimet dhe strukturat shtetërore sipas kreut të qeverisë ishin në nivelin e duhur dhe të përgatitura për të përballuar këtë situatë, pasi në të kundërt bilanci 1600 familje të përmbytura do të kishte qenë edhe më i madh.
Fjala e plotë e Edi Ramës:
“Ama përtej vorbullës atmosferike, ndryshimit klimatik, sasisë së reshjeve që në katër ditë ishte sa mesatarja e muajit janar, pra 30 ditëve reshje, në pesë vitet e fundit, faktori njerëzor ka peshën e vet. Ka peshën e vet për mirë ose për keq, njësoj siç edhe infrastruktura ka peshën e vet për mirë ose për keq. Jo për t’i ndalur, por për t’i bërë më të kontrollueshme, këto masa të jashtëzakonshme reshjesh dëbore dhe prurjesh. Ndërkohë që, ne si qeveri, jemi të qartë për nevojën e vazhdimit te investimeve në sistemin mbrojtës të vendit, unë nuk e di fare sinqerisht se si i bëhet harbutërisë ekstreme ndaj natyrës që manifestojmë orë e çast ne si popull! Po troç, ne si popull! Prurjet marramendëse të plastikës nga lumenjtë në këto raste, janë të frikshme, janë të neveritshme, janë kriminale në kuptimin e plotë të fjalës. Hedhja rrugëve e shisheve dhe qeseve plastike, si të ishte ky vend, jo atdheu ynë i përbashkët, po një kosh plehrash në një territor që s’na përket me të cilin s’kemi lidhje, ku, kudo ku na teket, lëshojmë si lopa bajgat, mbetjet e konsumit tonë, është diçka, që e mbulon tamam me bajga flamurin e pavarësisë tonë si shtet, librin e historisë së përpjekjeve tona shekullore si komb për të jetuar në shtetin tonë, fytyrën e secilit prej nesh si njerëz të këtij populli e si qytetarë të Europës, që mbajmë emrin shqiptar, të cilin e mbajmë me të drejtë me krenari në shumë raste, të cilin e ndiejmë me të drejtë si vërtetë fjalën kyçe që na bën të ndihemi krenarë kur je në stadium, por të cilin e përdhosim, emrin shqiptar, duke përdhosur Shqipërinë, duke përdhosur natyrën e Shqipërisë, duke përdhosur fytyrën e Shqipërisë.
Ne si qeveri e si shumicë popullore, sidoqoftë nuk do të dorëzohemi, e do të dalim më tej me masa të reja kundër kësaj fuqie të errësirës në trurin tonë si milet, duke rritur përpjekjet për sensibilizim, informim, por edhe ndëshkim po ashtu. Por në të gjitha rastet është e domosdoshme që gjithësecili të ftillohet sepse kjo që ndodh dhe ajo që i bëjmë ne Shqipërisë, duke hedhur një shishe plastike apo duke hedhur një qese plastike në rrugë ka vetëm një fjalë që e përkufizon, KRIM”.
