Familjarë, të afërm, miq, veteranë të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, ushtarakë, studiues, përfaqësues të medias, politikanë dhe qytetarë, kanë përkujtuan dje 100-Vjetori e lindjes së Gjeneral Lejtnant, Muhamet Prodanit. Ky i fundit lindi në Psar të Kolonjës më 9 prill të vitit 1922 në një familje me tradita patriotike, ndërkohë që në nder të tij u mbajt dje një ceremoni e veçantë. Ky event u mbajt në ambientet e Tirana International Hotel rreth orës 11:00 të paradites së djeshme dhe zgjati për rreth 2 orë. Eventi në kujtim të ushtarakut më të madh që ka njohur Shqipëria, nisi me Himnin e Flamurit, ndërsa më pas vijoi me një dokumentar që zgjati diku rreth 9 minuta, kushtuar jetës, karrierës dhe veprës së ndritur të gjeneral Prodanit. Ambient ku u mbajt ceremonia ishte tejet komod, teksa në sytë e të gjithë pjesëmarrësve shikohej admirimi dhe emocioni që përjetuan, pasi u njohën me jetën e ushtarakut të madh, Muhamet Prodani. Më pas podiumit për të mbajtur fjalën e rastit për nder të gjeneral Prodanit, iu bashkuan shumë personalitet të spikatura nga fusha të ndryshme. Fillimisht ishte publicisti dhe ushtaraku, Pandeli Bardhi, ai i cili ngriti siparin e fjalimeve emocionuese, ku bëri një përmbledhje të jetës, punës, karrierës, angazhimeve të të ndierit zoti Prodani dhe ndau me pjesëmarrësit edhe rrëfime të bashkëpunëtorëve të gjeneralit kolonjar. Publicisti Bardhi që moderonte edhe ceremoninë dukej tejet i emocionuar dhe fliste me pathos të madh, teksa vlerësonte figurën Gjeneral Lejtnant, Muhamet Prodanit. “Ne, sot, kujtojmë njëqind vjetorin e lindjes të një prej figurave të lavdishme të Luftës, Antifashiste Nacional Çlirimtare, të Komandantit të një prej formacioneve më të mëdha të Luftës Antifashiste siç ishte Brigada e Parë Sulmuese, “Heroinë e Popullit”, Muhamet Prodani. Nga gjiri i kësaj Brigade dhanë jetën treqind e njëzet e një dëshmorë dhe katërmbëdhjetë prej tyre, janë “Heronj të Popullit” midis tyre edhe Muhamet Prodani, luftëtari dhe antifashisti i orëve të para që jetën e tij, gjatë luftës dhe pas saj, e vuri në shërbim të çështjes së madhe të Atdheut. Ai, “lindi” luftëtar, në zjarrin e Luftës u afirmua si Strateg, dhe mbeti Hero legjendar, legjendë e gjallë e Luftës dhe e punës”, deklaroi mes të tjerash publicisti dhe gazetari, Pandeli Bardhi.
Zv/Shefe e Përgjithshme e Shtabit, ngre në piedestal figurën e Gjeneral Prodanit
Më pas fjalë e mori Zëvendës Shefe e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjenerale Majore, Manushaqe Shehu, e cila në emër të Ministrit të Mbrojtjes, Niko Peleshi dhe Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjeneralmajor Prof. Asoc. Bajram Begaj. E drejtpërdrejt dhe krenarë për ato që thoshte, zonja Shehu vlerësoi figurën e Gjeneral Lejtnant Muhamet Prodanit, për të cilin theksoi se ishte i rrallë dhe një erudit i vërtet. Madje, Gjenerale Majore Shehu bëri edhe një përmbledhje të gjithë rrugëtimit të karriges së ndritur të gjeneral Prodanit si ushtarak dhe jovetëm.
“Gjeneral Prodani i përket atij brezi të artë patriotësh shqiptarë, që iu bashkuan lëvizjes nacionalçlirimtare që në hapat e para dhe dhanë kontribut të rëndësishëm në çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj. Ai e filloi karrierën e tij të luftës si luftëtar i thjeshtë, si antifashist i tërbuar e si atdhetar i flaktë qysh në vitet e adoleshencës, për të vazhduar në atë të Komandantit të Njësitit në Çetën e Kolonjës, të Komandantit të Kompanisë në Batalionin “Hakmarrja”, për të vazhduar më tej në detyrën e Komandantit të Kompanisë e të Batalionit në Brigadën e Parë Sulmuese. Gjeneral Prodani kishte aftësi shumë të mira drejtuese e organizuese, prandaj pak kohë përpara se të zhvillonte punimet Kongresi i Përmetit, e emëruan në detyrën e Komandantit të Brigadës së Parë Sulmuese e më pas, në atë të Komandantit të Divizionit të III-të. Në të gjitha betejat luftarake, që mori pjesë, tregoi aftësitë e tij të padiskutueshme të një lidershipi ushtarak. Si rrallëkush aftësitë e tij shkëlqyen në luftën për Çlirimin e Tiranës, ku në qendër të formacioneve që morën pjesë në këtë betejë heroike, ishte Brigada e I-rë, dhe në krye të saj ishte komandanti legjendar, Muhamet Prodani, ashtu siç do të merrte pjesë edhe në beteja të tjera, përfshi edhe atë për çlirimin e Dibrës, etj”, mes emocionesh, Zëvendës Shefe e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjenerale Majore, Manushaqe Shehu.
“100 vjet Gjeneral Muhamet Prodani, një jetë mes luftërash”
Më tej një fjalë përshëndetës dhe shumë racionale, mbajti edhe profesori dhe historiani i njohur ushtarak, Bernard Zotaj, teksa fjalimin e tij e kishte etiketuar “100 vjet Gjeneral Muhamet Prodani, një jetë mes luftërash”, ndërsa vlerësoi Gjeneralin kolonjar në çdo aspekt. Madje, profesor Zotaj bëri edhe një përmbledhje të gjithë rrugëtimit të karriges së ndritur të gjeneral Prodanit si ushtarak dhe jovetëm. “Është një realitet i dukshëm që Kolonja është krahina e gjeneralëve të dalë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Një nga ata Gjeneralë të dalë nga kjo luftë ishte dhe Muhamet Prodani. Ai në enciklopedinë ushtarake dhe atë shqiptare është cilësuar si një nga legjendat e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Një nga më të rrallët që mbante gradën ushtarake Gjeneral Lejtnant. Ishte një gradë ushtarake e fituar në aksionet e para të çetave partizane në zonën e Kolonjës, në sheshin e luftimeve dhe të betejave të zhvilluara në Shqipëri në kuadrin e Luftës së Dytë Botërore”, deklaroi historiani i njohur ushtarak, Bernard Zotaj.
/Rigels Seliman/-Sot–