E martë, 14 Korrik, 2026

Patronazhistët e protestës dhe rreziku i luftës së klasave

Share

Nga Petro Koçi

PATRONAZHISTËT E PROTESTËS!

Për pjesën idealiste të motiveve dhe pjesëmarrësve të protestës kam pasur simpati dhe pata shpresuar që kjo energji të sillte reflektim te politika, për t’u investuar në favor të ndryshimeve të shëndetshme të sistemit kushtetues të Republikës dhe demokracisë sonë.

Të jem i sinqertë, jam zhgënjyer jo vetëm nga reflektimi i vakët i deritanishëm i establishmentit, por sidomos nga degradimi gradual i zhvillimeve dhe zëdhënies politike të protestës.

Thagma e ditëve të fundit, e orientuar nga patronazhistët kryesorë të protestës, është një kthim i frikshëm i metodave të vjetra të pasluftës.

Shpallja e kulakëve të rinj, në emër të luftës së “pastër” të klasave, me objekt gjithë pronarët e bizneseve që janë kundër protestës, është një zhvillim jakobin jo thjesht tragjikomik, por dëshmon se potenciali i aktivizimit të metodave staliniste apo edhe fashiste qenka më shumë se prezent në shoqërinë tonë.

Angazhimi i organizuar i patronazhistëve të protestës, të PD-së ose jo, për të rrënuar financiarisht ata që politikisht janë kundër protestës, është tejet kriminal dhe i dënueshëm.

Disa “oratorëve” opozitarë të protestës aq shumë u ka hyrë vetja në qejf, saqë u duket vetja si heronj, e kjo ua ka këputur frenat e vetëpërmbajtjes.

Modelet e vjetra të kësaj sjelljeje social-politike na kanë ardhur në majë të hundës dhe premtojnë një të ardhme të ndotur e të dhimbshme.

Arsye për të protestuar ka plot. Shoqëria jonë kërkon luftë më të fortë ndaj korrupsionit, politika sociale më të efektshme, barazi shërbimesh nga administrata, pavarësisht gjendjes ekonomike të qytetarit, dhe, padiskutim, një Republikë me pushtete të balancuara, me më shumë demokraci institucionale, pa domene të paracaktuara politike.

Nëse patronazhistët e protestës do të vijojnë me tendencën e ditëve të fundit e me luftë klasash, shpresa për ndryshim si pasojë e saj do të shuhet.

Patronazhistë të protestës, hiqni dorë nga e kaluara, nga e ardhmja e vjetër!

Mos kopjoni stilin, kërkesat, epshin për pushtet dhe mllefin e pashërueshëm të Sali Berishës!

Adaptoni modele që premtojnë një të ardhme të re!

Te tjera

Lajme te tjera