Ish-kryeministri Sali Berisha pranoi përgjegjësinë për degradimin dhe shkatërrimin e pronave në Shqipëri, 32 vite pasi ligji famëkeq 7501 u votua në Kuvend. Në konferencën e djeshme “Konservatorizmi i të djathtës”, lideri i opozitës mori përsipër dhe përgjegjësinë për braktisjen e të persekutuarve dhe pronarëve dhe kategorive të tjera shoqërore në Shqipëri nga partia më e madhe opozitare ndër vite. Megjithatë, ai nuk harroi të akuzonte qeverinë socialiste të drejtuar nga Edi Rama për rrënimin ekonomik të vendit në 10 vitet e fundit dhe renditjen pas vendeve ballkanike nga standardi i jetesës. Drejtuesi i fraksionit më të madh demokrat “Foltores” bëri thirrje se vetëm konservatorizmi politik, i bazuar te prona private, sipërmarrja e lirë, mbrojtja e familjes, etj., mund të shembin regjimin e Edi Ramës. Po ashtu, Berisha nuk i la mënjanë as akuzat brenda Partisë Demokratike. Ai fajësoi paraardhësin e tij në PD, Lulzim Basha se e ktheu partinë në një organizatë jofitimprurëse për interesa personale, duke i dhënë ngjyrime të majta politike. Edhe pse heshti për 8 vite kur Basha drejtoi me shumë defekte dhe kontestime PD, Berisha la të nënkuptohej se caktimi i Lulzim Bashës si pasues i tij në krye të selisë blu, ishte një faj i madh.
Berisha bën “mea culpa”: PD iku nga pronarët, nuk dhamë përgjigjen më të shkëlqyer
Në fjalën e tij përpara pjesëmarrësve në konferencë, Berisha e quajti të gabuar faktin që PD u largua dhe braktisi pronarët dhe çështjen e tyre. Edhe pse nuk e konsideroi si më idealen dhënien e zgjidhjeve për pronat në Shqipëri, ai mbrojti veprimet e qeverive të tij në kompensimin e ish-pronarëve. “PD u largua nga pronarët, unë nuk them se i dhamë përgjigjen më të shkëlqyer, por ne vendosëm normat më të mira për kompensimin e pronarëve. Gjithçka u shkatërrua edhe me miratimin në heshtje të PD. Rivendosja e këtyre parimeve është kushti i kushteve që ne të përmbushim misionin tonë”, deklaroi fillimisht kryefoltoristi. Kujtojmë se Berisha akuzohet se masakroi, tjetërsoi dhe grabiti pronat e shqiptarëve me ligjin famëkeq 7501.
PD në pushtet? Berisha: Shqipëria shpëton vetëm me një forcë konservatore politike
Më tej, Berisha fajësoi Edi Ramën dhe PS se në 10 vitet e fundit e kanë bazuar drejtimin e vendit mbi krimin e organizuar, korrupsionin, vjedhjen dhe trafikun e drogës, ç’ka ka sjellë largimin e 1/3 së popullsisë nga atdheu. Sipas tij, zgjidhja e vetme për shoqërinë shqiptare është drejtimi i vendit me një forcë politike konservatore. Berisha mbrojti dhe rezultatet e qeverisjes së tij në vitet 2005-2013. Ai e konsideroi PS një fatkeqësi kombëtare. “Vetëm një forcë konservatore e qendrës së djathtë mund të përmbysë këtë monizëm, i cili në klasifikimet doktrinale, vlerësohet si monokraci. Bazohet në krimin, vjedhjen, drogën. Njerëzit pyesin se si do i japim zgjidhje kësaj situate. Por ne kemi parimet tona. Unë nuk di asnjë rrugë tjetër përveç vendosjes në piedestal të atyre parimeve me të cilat Shqipëria ndryshoi 21 herë, me të cilat Shqipëria arriti të bëhej vend i besueshëm për shqiptarët, arriti që të ketë shtet ligjor dhe ekonomi tregu funksionale. Një forcë që nuk mbron interesin kombëtar, është një fatkeqësi dhe nuk duhet të ekzistojë”, tha Berisha në vazhdim të fjalës së tij.
Berisha nuk harron as Bashën: E ktheu PD në një OJF të majtë
Lideri i opozitës fajësoi dhe Lulzim Bashën për flakjen e parimeve të djathta konservatore dhe kthimin e PD në një organizatë të majtë politike sorosiane të tipit “OJF”. “Por ne nuk jemi këtu për të analizuar qeveritë, por për të analizuar opozitën. PD ishte shndërruar në një OJF të majtë, as forcë politike. U largua nga shtyllat e saj kryesore, u largua nga asaj, të cilëve kjo parti u detyron mbijetesën. Është e vërtetë që jemi një parti 32-vjeçare, por trashëgimia jonë është qëndresa e burrave dhe grave që ranë dhe u bënë të pavdekshëm për lirinë e mendimit, për besimin te zoti, për besimin te familja”, u shpreh Sali Berisha gjatë fjalës së tij në konferencën e djeshme “Konservatorizmi i të djathtës”.
Share
Te tjera
