Nga Rigels Seliman
Që prej shumë vitesh, publiku ishte mësuar ta shihte drejtuesin e Policisë së Shtetit si një figurë të largët, pothuajse të padukshme për median dhe qytetarët. Pikërisht për këtë arsye, dalja publike e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, pak ditë më pare në një konferencë të hapur për shtyp u prit si një zhvillim i rëndësishëm, ndërkohë që pati edhe reagime e debate. Megjithatë dalja e kryepolicit Hita nuk ishte thjesht një komunikim rutinë, por një shenjë se policia po rikthehet te transparenca dhe komunikimi i drejtpërdrejtë me publikun. Për vite me radhë mungesa e konferencave të tilla krijoi një distancë të madhe mes policisë dhe medias, duke sjellë shpesh keqkuptime dhe lajme të pakonfirmuara. Sot, ky rikthim i dialogut duket si një hap pozitiv për forcimin e besimit te institucionet.
Z. Skënder Hita meriton vlerësim sepse po rikthen një praktikë që dikur konsiderohej normale në shtetet demokratike: raportimin periodik dhe përgjigjen ndaj pyetjeve të gazetarëve. Një drejtues që del përballë medias tregon siguri, përgjegjësi dhe respekt për qytetarët. Në të kaluarën, shumë informacione qarkullonin vetëm nëpërmjet burimeve jozyrtare, çka shpesh krijonte konfuzion dhe spekulime. Ndërsa tani, përmes komunikimit të hapur, publiku ka mundësi të dëgjojë drejtpërdrejt versionin zyrtar të ngjarjeve. Kjo ndihmon jo vetëm policinë, por edhe vetë gazetarinë profesionale.
Në shumë vende perëndimore, konferencat e rregullta të policisë janë pjesë normale e funksionimit të institucioneve dhe konsiderohen një urë lidhëse me qytetarët. Pikërisht këtë frymë duket se po përpiqet të sjellë edhe Hita në Shqipëri. Ai po tregon se transparenca nuk është dobësi, por forcë e një institucioni modern. Sigurisht, sfidat për Policinë e Shtetit mbeten të shumta, por komunikimi i hapur është një fillim i rëndësishëm. Prandaj, ky veprim i drejtorit të ri duhet përshëndetur dhe mbështetur, me shpresën që kjo traditë të mos mbetet vetëm një moment i përkohshëm, por të vazhdojë si një standard i ri për policinë shqiptare.
