Paro Laçi, ish-administrator i kompleksit “Partizani”, ka rrëfyer kërcënimet e dhunshme që ka marrë nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe familja e tij pas denoncimit të aferës “Partizanit”. Në një intervistë televizive për “Abc News”, ai tregon se prokurorët e atëhershëm e paralajmëruan se kjo çështje ishte shumë e rrezikshme të hetohej dhe nëse çohej përpara mund të kishte eliminime fizike. Emrin e prokurorit, Z.Laçi tha se e ka treguar në dëshminë që ka dhënë në Prokurorinë e Posaçme (SPAK). Laçi shprehet se Berisha nuk është opozitar i vërtetë, por një kriminel që kërkon të djegë Shqipërinë dhe institucionet, duke manipuluar njerëzit dhe duke përdorur dhunën si mjet presioni. Ai përmend dhe skenarin e tmerrshëm që Berisha po kërkon të arrijë me protestat, vetëm për të mbajtur pushtetin. Nëse nuk ndërhyhet, Laçi thotë se mund të ketë viktima nga protestat e Berishës
-Opozita, ka mbajtur protestën e radhës me të njëjtin skenar: fishekzjarre, molotovë, tym, flakë. A po përdoren këta njerëz nga Berisha, apo besojmë vërtetë se Berisha është shpresa e shqiptarëve?
Paro Laçi: Dua t’ju uroj shërim të shpejtë gjithë efektivëve të policisë dhe gjithë të plagosurve që janë lënduar në këtë protestë. Dhe fatkeqësisht, unë mendoj dhe me sa kuptoj në gjithë këtë zallamahi e rrëmujë që Berisha po kërkon t’i sjellë Shqipërisë, ka edhe njerëz që i besojnë me të vërtetë Berishës, dhe gjithashtu ka edhe njerëz që paguhen që të hedhin ato fishekzjarre e të bëjnë ato rrëmuja. Berisha nuk është opozitar i Shqipërisë,është kriminel i Shqipërisë dhe i shqiptarëve. Berisha e di shumë mirë historinë e shumë diktatorëve, se si janë marrë zvarrë, ndonëse kanë pasur me miliona mbështetës si të paguar, të manipuluar apo me forma të tjera. Gjithë këta njerëz i rrinë për interesa të ngushta duke përjashtuar disa që mund të jenë të gënjyer ose të manipuluar në mënyrë të pakuptimtë nga ata që mendojnë që Berisha do sjellë demokraci, kur ai 35 vjet në Shqipëri ka sjellë vetëm anarki. Ai kërkon ta djegë Shqipërinë prapë. Fati i madh për Shqipërinë dhe shqiptarët është që ai nuk ka mbështetje. E dha prapë edhe njëherë provën që nuk ka mbështetje nga askush, dhe opozitarët janë ata që rrinë larg këtyre protestave, që presin që të ndodhë me të vërtetë ndryshim i madh dhe Berisha të ikë nga Partia Demokratike, se nuk e ka private. E vetmja pronë që ai ka është atë mandat që ka nga UDB-ja serbe, si spiun i Serbisë, dhe kërkon të djegë sa herë që Shqipëria mund të ketë një avancim përpara; kërkon ta djegë, ta shkatërrojë. Mua më vjen me të vërtetë shumë keq edhe për ata njerëz që janë të gënjyer, kurse zhgënjehem nga shumë njerëz që për pak lekë kërkojnë të djegin Tiranën, të djegin këto institucione. Sali Berisha është një kriminel që dikush do ta marrë zvarrë, që del edhe e ngre zërin vërtet aty në emër të opozitës. Nuk është ai opozitari. Ishalla forcat që janë tamam të djathta në Partinë Demokratike e rrëzojnë atë diktator, sepse nuk po hap krahun dhe nuk po e lë PD të ecë përpara. Nëse Berisha hap krahun dhe bëhet një votim i drejtë, dhe PD-në e kryeson një njeri i ndershëm që është tamam për demokracinë në Shqipëri, janë shumë njerëz që e mbështesin, si unë dhe miqtë e mi, i bëhemi përkrahës force që të rrëzojmë.
-Pse Berisha kërkon në protesta rrëmujë?
Paro Laçi: Të gjuash me fishekzjarre drejtpërdrejt forcat e policisë është me të vërtetë vrasje, sepse është një armë zjarri që rrezikon jetën. Dhe Berisha do viktima sepse molotovi është tamam armë zjarri. Djegia shkatërron çdo gjë. Ai do ta shkatërrojë Tiranën. Ai do të shkatërrojë institucionet sepse Berisha thotë “duke shkatërruar këto institucione mund të arrij edhe unë të shpëtoj veten”, sepse është i mbytur për vete. Dhe nuk është kot shprehja “i mbyturi të mbyt”. Berisha duhet të abandonohet nga të gjithë. Ai është i vetmi person në Shqipëri që kërkon vetëm të vrarë. Sepse Sali Berisha e ka deklaruar disa herë që duke vrarë katër-pesë vetë mbaj pushtetin, ose duke vrarë 14-15 hyj në pushtet. Berisha do edhe 20 të vrarë, jo më katër, dhe i do po në bulevard. Duke pasur 20 të vrarë, mendon që do të japë një imazh në botë që Shqipëria po digjet, në Shqipëri po vriten. Unë kam qenë një pjesë e stafit të Sali Berishës nga ’97-’98 deri në 2005-ën. Ne shkonim për çdo institucion europian, për çdo deputet, duke lavdëruar Sali Berishën. Ushqeheshim gjithmonë me një propagandë nga Partia Demokratike në qendër — ne ishim dega në Bruksel — duke lavdëruar Berishën e duke sharë sistemin e Fatos Nanos, që vetëm e vetëm Berisha të vijë në pushtet. Ai i njeh shumë mirë këto mekanizma. Pastaj janë edhe këto rrjedha spiunazhesh antishqiptare greke e serbe, që ndihmojnë që humbjen e tij ta kthejnë në triumf. Po si mund ta kthejë triumfin? Mbi gjakun e shqiptarëve. Ta dini mirë se po nuk u mor zvarrë Sali Berisha, do të ketë edhe viktima.
-Dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi ka sulmuar së fundmi SPAK-un për dosjen “Partizani”, ku akuzohet bashkë me Berishën për korrupsion, duke e konsideruar atë si një gjyq politik. Ju vetë si e konsideroni këtë çështje, pasi keni qenë edhe administratori i ish-kompleksit “Partizani”? Çfarë u ka vjedhur familja Berisha shqiptarëve dhe çfarë urdhri ka dhënë Berisha në kohën e tij? Kush e ndjek atë sot?
Paro Laçi: Gjithë shqiptarët e shohin shumë mirë vjedhjen dhe korrupsionin masiv që ka bërë Berisha me dhëndrin e vet. Është më i prekshëm kompleksi i Partizanit, sepse ishte një ambient sportiv ku stërviteshin fëmijë, ku ai mbylli atë kompleks dhe i bëri pallate. Sali Berisha dhe dhëndri i Berishës mund t’i bëjnë presion SPAK-ut, por unë kam bërë një luftë me drejtësinë sepse nuk lëshoja ambientet. Kam bërë edhe burg vetëm për këtë motiv. Shumë shpejt dhëndrit të Berishës dhe Berishës do t’u bëj një denoncim në gjykatë ku ai po gjykohet; do t’i kërkoj një dëmshpërblim. Do t’i kërkoj gjykatës të jem pjesë, po përgatitem për këtë. Dhe i bëj thirrje gjithë shqiptarëve që janë dëmtuar, t’i drejtohen gjykatës. Me ngritjen e këtyre ambienteve, ai ka hedhur në rrugë shumë fëmijë. Hodhi në rrugë klubin “Partizani”. Unë isha atëherë presidenti i Partizanit dhe administratori i ambienteve. Na kanë vjedhur klubet, ambientet sportive; na kanë vjedhur natën me polici. Nuk besoj se ka ndodhur në ndonjë vend të botës që policia të na thyejë zyrat, të na thyejë ambientet e hotelit “Partizani”, të na mblidhte mobiliet e të na i shkatërronte, duke mos na lënë me forcë të hyjmë në ambientet tona. Ne atëherë kemi denoncuar në Prokurorinë e Tiranës, po ishte e pafuqishme sepse rrihte gjoksin Çimi Begeja e thoshte që “këtu është Sali Berisha”. Prokurorët thoshin: “Është rrezik real për jetën sepse është Argita Berisha.” E thoshin me të madhe. E dinë ata prokurorë e ata policë që merrnin urdhra. Shumica nuk zbatoheshin derisa Berisha solli njeriun e vet, Erzen Breçanin, i cili fiks me grusht të hekurt i nxori ata fëmijë përjashta dhe u bë ajo që u bë sot: pallate dhe një padrejtësi e paparë.
-Ju thoni që prokurorët e atëhershëm thoshin që është rrezik për jetën sepse është Argita Berisha?
Paro Laçi: Ma kanë thënë mua. Mua nuk ma rrezikoi jetën, por më bëri Dritan Berisha dokumentet edhe më futi në burg. S’më vrau dot sepse kam një familje që e di shumë mirë ai se si shkon pastaj.
-Ka dashur t’ju vrasë edhe juve Berisha?
Paro Laçi: Ai më sheh në ëndërr duke më vrarë. Po s’më vret dot Berisha mua. E di shumë mirë kush jam, e njeh familjen time. Nuk jemi nga ata që i bëjmë keq njeriu në qafë, por durojmë deri ku është muri. Unë do ta ndjek Berishën në gjithë rrugët ligjore. Presim të arrestohet. Po s’u arrestua, mbase do fitojë Berisha, po unë them do fitojë e drejta. Mbase Berisha do të djegë Shqipërinë, do vrasë policë e popull akoma. Nuk mund të jetë Berisha më i fortë se shumë diktatorë të tjerë. Ka 35 vjet që po shkatërron Shqipërinë, i shërben Serbisë. Unë nuk kam frikë nga Berisha. Ma kanë thënë prokurorët, dhe e kam deklaruar në SPAK me firmë, emrin e prokurorit që më ka thënë: “Paro, ke bërë denoncim, s’kemi ku ta çojmë më përpara sepse është rrezik real për jetën.” Na kanë vjedhur zyrat me dhunë, me policinë. Klubit më të mirë të Shqipërisë që ka qenë atëherë. Kemi harruar pa prekur dhe Shkëlzenin. Familja është e gjitha kriminale. Do të shkojë në burg sepse ka bërë vrasjen e Gërdecit, ku më ka vrarë edhe familjarët e mi. Sali Berisha dhe i biri duhet të paguajnë. Këta njerëz në protestë Berisha i ka drejtuar për të vrarë policë shqiptarë… policët janë heronjtë e Shqipërisë. Këta njerëz marrin urdhër; direkt mbas fjalës së Berishës ndezin flakadanët dhe qëllojnë kundrejt policëve me molotovë. Kush janë policët? Janë armiqtë e Shqipërisë? Apo është ky “serbi” që jep urdhër për të vrarë shqiptarët? /Gazeta Sot/
