Juristi dhe analisti i njohur, Kreshnik Spahiu, bën një parashikim të fortë politik pak ditë para zgjedhjeve të 11 majit. Në një intervistë të drejtpërdrejtë për gazetën “SOT” dhe pa ekuivokë, ai thotë se Partia Demokratike do të marrë më pak deputetë se në vitin 2021 dhe se përgjegjësi kryesor për këtë është Sali Berisha. Sipas Spahiut, lideri historik i PD-së nuk është më një alternativë për votuesit dhe ka kthyer partinë në një patericë të Edi Ramës. Ai thekson se Rama po zhvillon një strategji të qëlluar, duke larguar emrat e konsumuar dhe me probleme me drejtësinë nga Partia Socialiste. sipas tij, përmes listave të hapura, kryeministri po u jep votuesve ndjesinë e një reformimi të brendshëm, ndërkohë që opozita vazhdon të përçahet. Z. Spahiu e sheh këtë fushatë si më të dobëtën në 35 vite dhe paralajmëron një rezultat zhgënjyes për opozitën. Ndër të tjera në intervistën e plotë, ai flet edhe për SPAK, përfshirjen e LaCivita-s dhe të ardhmen politike të Berishës.
-Z. Spahiu, si e vlerësoni fushatën zgjedhore deri më tani? A po fokusohet më shumë te çështjet reale apo po dominohet nga retorika politike?
Unë nuk mendoj që po zhvillohet fushatë elektorale. Kjo është fushata më e dobët dhe më pa entuziazëm në 35 vjet. Është rregull universal, në një ndeshje që dihet rezultati, nuk ka as garë dhe as fushatë.
-Cila mendoni se do të jetë surpriza më e madhe në këto zgjedhje?
Këto zgjedhje nuk kanë asnjë surprizë, por do jenë një përsëritje e rezultatit 2021. Jam i sigurt që nuk ka asnjë surprizë.
-Ju e keni paralajmëruar disa muaj më parë se, nëse qeveria Rama rikthehet në pushtet, ajo do të jetë me emra krejtësisht të rinj. Këtë e shohim edhe në strategjinë e ndjekur nga Rama me listën e kandidatëve, duke lënë në listë të hapur emra VIP të PS. Pse kjo zgjedhje e Ramës?
Mendoj që është strategji e suksesshme e Ramës për dy arsye:
- largon emrat e konsumuar nga pushteti dhe të rrezikuar nga SPAK
- i përdor në listë të hapur të luftojnë për të mbushur thesin e PS me vota
-Përfshirja e strategut amerikan LaCivita në fushatën e Sali Berishës shihet si një lëvizje e rëndësishme. A besoni se kjo do të ndikojë realisht në fitoren e PD-së më 11 maj?
- Edhe Trump me gruan po erdhi në fushatë, nuk e ndryshon dot rezultatin e 11 majit.
- LaCivita është më shumë një portret memesh në Shqipëri sesa një influencues në zgjedhje.
- LaCivita i duhet Berishës të mashtrojë trushpëlarët në zgjedhje që kanë 12 vjet i shkojnë pas Berishës.
-Z. Berisha mbetet “non-grata” nga SHBA. Mendoni se rikthimi i administratës Trump mund të ndikojë në heqjen e këtij statusi?
Trump ishte një herë president dhe e shpërfilli Berishën. Njerëzit e Trump, Yuri Kim dhe Palmer, e izoluan Berishën.
Nuk ka asnjë shans që Berishës t’i hiqet “non-grata”.
-Deklarata e Berishës se “kur të vijë në pushtet do të shkrijë SPAK-un”, ngjalli reagime të forta. Si e lexoni këtë mesazh politikisht dhe institucionalisht?
Besoj është taktikë e zakonshme e Berishës. Vazhdon u bën presion prokurorëve të SPAK.
-A besoni se SPAK mund të ndikohet nga presioni publik dhe sulmet e opozitës, apo reforma në drejtësi është tashmë jashtë kontrollit të politikës?
Presioni gjithmonë ka efektet e veta në institucione. Është e pamundur të thuash që SPAK nuk presionohet. Edhe ata janë qenie njerëzore dhe kanë familjet e tyre.
-Si e shihni pozicionin e Erion Veliajt në këtë situatë politike të tensionuar? Është në hije, apo po pret momentin e vet për të vepruar?
Çuditërisht, Partia Demokratike nuk arriti të përfitojë apo të rritet në elektorat pas arrestimit të Erion Veliajt. Po të shikoni sondazhet, nuk ka asnjë rritje të opozitës pas arrestimit të Erion Veliajt.
-Nëse PD arrin një fitore më 11 maj, sa do të jetë kjo meritë e Berishës dhe sa e LaCavita-s? Apo ndoshta një pasojë e lodhjes së qytetarëve nga mazhoranca?
- Populli është i përgatitur për rotacion, por e pengon Berisha.
- PD është paterica e Edi Ramës.
- PD e ka përçarë opozitën
- PD ka pjellë disa parti të reja dhe fraksione
- PD ka shpallur luftë partive të reja
- PD ka forcuar pozitat e Ramës në Perëndim për shkak se nuk duan Berishën
-Si e parashikoni rezultatin e PD në zgjedhjet e 11 majit?
- Berisha me Metën do dalin më keq se Basha pa Metën në 2021.
- Rezultati i PD do jetë më keq se 4 vjet më parë.
- Berisha duhet të japë dorëheqje nëse humb më thellë se Lulzim Basha.
-A besoni që largohet Berisha nga politika?
Jo, jo, nuk largohet. Ai kurrë nuk i përmbahet fjalës. Ai u kthye që të qëndrojë deri 100 vjeç në krye të PD. Ai do vazhdojë të gënjejë:
- na vodhën votat
- na grabiti narkoshteti
- do kemi qeveri teknike
- do kemi zgjedhje të parakohshme
Intervistoi: Rigels Seliman