Në disa qasje mediatike në Tiranë, po rreket hipoteza, sipas të cilës Sali Berisha ishte i shqetësuar se Ilir Meta do të ‘çajë ferrën’ së bashku me Monikën dhe e ka futur doktorin në paranojë. Një hipotezë, që mund të ushqejë memet apo edhe portalet pro qeveritare që të lënë ‘lubitë të vjedhin’, por që nuk mbështetet me një arsyetim normal.
Sali Berishës nuk do t’i shkaktojë asnjë problem nëse Ilir Meta ikën apo struket diku në sqetullën e ndonjë autokrati, apo edhe kërkon strehim politik.
Ajo që i shkakton problem Berishës është se Ilir Meta nuk do të jetë pjesë e zonës sanitare që po ndërton përballë SPAK, përkatësisht përballë amerikanëve.
Paranoja më e madhe e Sali Berishës për Ilir Metën, ka qenë dhe është vetëm një; a ka biseduar partneri i tij në opozitë me njerëz të rëndësishëm ndërkombëtarë që menaxhojnë vendin për të mos rrëshqitur në planin që të dy bashkë kanë hartuar për të ndaluar zbatimin e reformës në Drejtësi. E këtu nuk bëhet fjalë për ato lojra që ne i dimë e i kemi parë gjithë këto vite, por flitet për lojëra krejt të tjera me Rusinë dhe aleatët e saj. Pasi ka të dhëna për hapjen e një dosje të madhe, ku në Shqipëri janë hedhur para nga kanale filoruse të Lindjes së Mesme, të cilat kanë financuar një operacion të madh të blerjes së kokainës në Amerikës Latine e për ta shitur në Europë. Më pas paratë mbërrinin në Shqipëri. Ky është një operacion që pritet të djegë një numër të madh politikanësh të lartë në në vend, edhe në mazhorancë e qeveri, të cilët kanë marrë pjesën.
Ndërkaq, një tjetër paranojë e Sali Berishës, është se Ilir Meta dhe Gazmend Bardhi do të tentojnë t’i marrin Foltoren. Ose të gjithën ose copëza të saj.
Ilir Meta ka tentuar ta bëjë këtë me Belind Këlliçin në Tiranë, apo edhe me këshilltarët e BF-së në bashki të cilët thuajse i kontrollon të gjithë.
Hyrja e Gazment Bardhit në lojën e drejtuesit parlamentar të Foltores nga ana tjetër është sërish një dobësim politik i pozitave të Sali Berishës.
Megjithatë problemi më i madh për Sali Berishën vjen nga SPAK. Nëse ky i fundit nuk hap dosje të tjera ‘peshqish të mëdhenj’, jo zyrtarësh të dorës së dytë, doktori është në avantazh. Pasi mund të përdorë lirisht tezën e tij se SPAK u ndërtua për të goditur atë dhe familjen e tij, e dosja e tij është kulmi nga ku loja mbaron. Vetëm nëse hapen dosjet e Ilir Metës dhe ato të rëndat e Sali Berishës, si dhe ministra të lartë të mazhorancës deri te kryeministri; atëherë doktori humb terren në mënyrë të shpejtë e nuk ka nga të lëvizë.
E siç mësohet, plani ky është : që nga Ilir Beqaj, Olta Xhaçka, apo të gjithë hetimet e tjera që po zhvillohen për qeveritarë të qartë, priten të kthehen në ndjekje penale, pranga dhe sekuestrime. Vetë sekuestro e pronave të ish-shefes së diplomacisë, është sinjal që ndjekja penale ndaj saj sapo ka filluar.
Në këtë rast nuk kishte nga të lëvizte Berisha, pasi fusha do të kthehej në një kaos, ku bie menjëherë e tërë elita politike aktuale.