E martë, 10 Nëntor, 2026

Pakoja e Madhe, Rama: Pensionistët, invalidët, familjet në nevojë marrin nga 8000 lekë, nënat kryefamiljare 20 000 lekë, administrata 10-20 mijë lekë

Share

695 mijë pensionistë do të marrin nga 8000 lekë nga Pakoja e Madhe, e cila do të mbështesë 1 milionë individë për të lehtësuar familjet nga inflacioni i luftës. Lajmin e ka bërë me dije kryeministri Edi Rama, ndërsa shton se 1 milionë shqiptarë do të përfitojnë sipas kategorive deri në 20000Lekë (të reja). 

Po ashtu 8000 lekë do të përfitojnë 71 mijë persona me aftësi të kufizuar dhe 57.300 familjet me ndihmë ekonomike. Ndërsa për punonjësit e administratës mësohet se do të përfitojnë 20 mijë lekë ata që paguhen më pak se 60 mijë lekë dhe 10 mijë lekë përfitojnë ata që paguhen mbi 60 mijë lekë. Sakaq 6700 gra me kryefamiljare me ndihmë ekonomike do të përfitojnë 20000 lekë nga Pakoja e Madhe, theksoi kreu i qeverisë.

‘Me kënaqësinë e faktit se 695 mijë pensionistë do të marrin nga 8000Lekë (të reja) secili nga Pakoja e Madhe, ku do të kenë pjesën e tyre 1 milionë shqiptarë, që do të përfitojnë sipas kategorive deri në 20000Lekë (të reja). Do të lehtësohet maksimalisht impakti i inflacionit të luftës mbi konsumin bazë të kësaj shtrese në muajt e mbetur të dimrit, ku falë edhe subvencionimit masiv të çmimit të energjisë që do të vazhdojë përgjatë vitit 2023, mburoja financiare e qeverisë për familjet shqiptare e bën shumë më të përballueshëm këtë dimër të vështirë ekonomik për mbarë Europën. ‘Edhe 20000Lekë nga Pakoja e Madhe për gratë kryefamiljare me ndihmë ekonomike – pas dyfishimit të ndihmës këtë vit, bonusit të Vitit të Ri si edhe pagesës së sigurimeve shoqërore e shëndetësore nga shteti duke nisur prej 1 janarit’- shkruan Rama.

Sali Berisha nuk e ka kursyer kritikën për qeverinë duke e cilësuar ‘pilulë elektorale’ paketën anti inflacion. Po ashtu shtoi se duhet të kishte dhënë mbështetje rrogën dhe pensionin e 13-të.

Kryeministri Rama bëri me dije një ditë më parë se përfituese janë të kategoritë, duke filluar nga pensionistët, familjet në ndihmë ekonomike, posaçërisht nënat kryefamiljare në skemën e ndihmës ekonomike, paraplegjikët, tetraplegjikët, personat me aftësi të kufizuara, invalidët e punës, po edhe për punonjësit e shtetit. Ai u shpreh se pakoja parashikohet të jetë rreth 8 miliardë lekë vjetra, pra 800 milionë lekë.

“Pakoja e Madhe, e cila parashihet mbi 8 miliardë lekë në dorë për të gjithë individët e përfshirë, do të mbyllet brenda ditës së sotme dhe do të shpërndahet e gjitha në ditët e para të janarit. Kjo është qeveria e shumicës, jo e disave dhe faktet e shifrat thonë se volumi i mbështetjes financiare të atyre që fitojnë më pak apo të shtresave në nevojë, në vitet e qeverisjes sonë (pa llogaritur fondet masive të Rindërtimit pas tërmetit apo të Luftës me pandeminë) është disafish më i lartë se sa në tërë qeveritë e mëparshme të marra së bashku”, shkruan Kryeministri.

Si pasojë e luftës në Ukrainë, pati një ndikim të madh te shumë shtete, mes tyre edhe Shqipëria, ku pati një rritje çmimesh, megjithatë inflacioni në vendin tonë ka mbetur në nivele më të ulëta krahasuar me shtetet e tjera të rajonit.

Te tjera

Lajme te tjera