E martë, 20 Maj, 2025

Pa adresë, pa të drejta dhe mbështetje ekonomike – drama administrative e shqiptarëve në Luginën e Preshevës

Share

Nga Ferit Selimi

Në jug të Serbisë, në trevat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës – të njohura si Lugina e Preshevës – jeton një komunitet i konsiderueshëm shqiptar, që prej dekadash përballet me sfida sistematike politike, administrative dhe ekonomike. Edhe pse përbëjnë pakicën e katërt më të madhe në Serbi, shqiptarët e Luginës vazhdojnë të mbeten të papërfaqësuar në mënyrë të barabartë dhe të trajtuar me një standard të dyfishtë në raport me qytetarët e tjerë të vendit.

Një nga problemet më alarmante që ka marrë përmasa dramatike është pasivizimi i adresave të banorëve shqiptarë. Në dukje si një procedurë administrative, kjo praktikë po rezulton të jetë një mjet i heshtur për të zhbërë praninë shqiptare në këtë rajon. Pa adresë të regjistruar, qytetarët nuk mund të ushtrojnë të drejtat bazë si pjesëmarrja në zgjedhje, përfitimi i shërbimeve publike, arsimi, shëndetësia dhe lëvizja e lirë. Në mënyrë absurde dhe të padrejtë, mungesa e një dokumenti të thjeshtë kthehet në humbje të të gjitha të drejtave qytetare.

Përveç diskriminimit institucional, shqiptarët e Luginës përballen edhe me izolim të thellë ekonomik. Mungesa e investimeve të brendshme apo të jashtme, infrastruktura e dobët, papunësia e lartë dhe mungesa e programeve zhvillimore kanë shndërruar këtë zonë në një territor të braktisur nga politika shtetërore. Si rrjedhojë, të rinjtë emigrojnë masivisht, ndërsa komuniteti plaket dhe dobësohet çdo vit.

Në këtë kuadër, duhet theksuar se institucionet shqiptare, veçanërisht ato të Shqipërisë, të cilat duhet të kenë një angazhim të jashtëzakonshëm për këtë çështje, shpesh kanë qëndruar të heshtura dhe indiferente për sfidat që përballen shqiptarët e Luginës së Preshevës. Duhet të ndërgjegjësohen më shumë dhe të ndihmojnë në mbështetje të drejtpërdrejtë për ata që janë në nevojë. Ky problem kërkon një qasje të koordinuar dhe të qëndrueshme nga ana e autoriteteve shqiptare, përfshirë ndihmën institucionale, mbështetje financiare dhe politikat që promovojnë zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e kushteve të jetesës.

Përfaqësues të ndryshëm nga Lugina kanë ngritur vazhdimisht zërin në institucione shqiptare dhe ndërkombëtare, duke kërkuar ndihmë për të parandaluar shpopullimin e zonës. Ata nuk kërkojnë trajtim të veçantë, por barazi dhe mbrojtje ndaj një diskriminimi të vazhdueshëm. Kërkojnë që institucionet shqiptare dhe faktori politik shqiptar në rajon të mos qëndrojnë indiferentë ndaj kësaj krize, që po e zhbën nga brenda një pjesë të pandarë të kombit.

E ardhmja e Luginës së Preshevës nuk është thjesht një çështje lokale; është një test për përgjegjësinë kombëtare dhe ndjeshmërinë politike. Pa adresë, pa të drejta dhe pa mbështetje ekonomike, shqiptarët e kësaj zone janë të rrezikuar të humbasin jo vetëm statusin qytetar, por edhe vendin e tyre në histori. Është koha që ky realitet të mos trajtohet si një statistikë e ftohtë, por si një plagë që kërkon ndërhyrje të menjëhershme.

Te tjera

Lajme te tjera