Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, Ambasadorja Lisa Johnson mbylli vizitën e saj tre-ditore në Shqipëri, e cila përfshinte takime me drejtues të lartë të drejtësisë dhe zbatimit të ligjit, si dhe studentë dhe profesionistë të rinj ligjorë, ata që do të garantojnë suksesin e Shqipërisë. Por përveç garancive që u dha institucioneve të drejtësisë, ambasadorja Johnson lëshoi edhe disa mesazhe të forta, shumica e të cilëve ishin një goditje e fortë për politikanët dhe zyrtarët e korruptuar, si dhe personazheve të botës së krimit, se i kanë ditët e numëruara. Gazeta “SOT” gjatë kësaj jave ka pasqyruar me detaje të gjithë aktivitetin e diplomates dhe takimet e saj, ndërkohë që detaje rreth vizitës së numrit 2 të DASH ndau në rrjetet sociale edhe ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë. Mes të tjerash, ambasada dha garanci se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë krah për krah me Shqipërinë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Pra, teksa i bëjmë një analizë reagimit të ambasadës dhe deklaratave të bëra nga ambasadorja Johnson, duket qartë se SHBA-të janë të përkushtuar për t’u investuar në instalimin e shtetit ligjor në Shqipëri. Thënë troç, tanimë kushdo që ka llogari të hapur me drejtësinë dhe që është përfshirë në afera korruptive dhe kriminale, do t’i duhet të flejë me frikë, pasi pandëshkueshmëria në Shqipëri tashmë ka marrë fund. “Shtetet e Bashkuara janë fuqimisht të përkushtuara ndaj reformës në drejtësi të Shqipërisë dhe një të ardhmeje të ndritur për qytetarët shqiptarë. Kjo është e vërtetë sot, ndërsa festojmë 100 vjetorin e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri dhe do të jetë e vërtetë edhe 100 vjet më pas. Zëvendës Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, Ambasadorja Lisa Johnson përfundoi vizitën e saj tre-ditore në Shqipëri, e cila përfshinte takime me drejtues të lartë të drejtësisë dhe zbatimit të ligjit, si dhe studentë dhe profesionistë të rinj ligjorë, ata që do të garantojnë suksesin e Shqipërisë. Ambasadorja Johnson shqyrtoi programet e asistencës së Shteteve të Bashkuara për institucionet e reja dhe ato homologe të tjera kryesore të Shqipërisë, si dhe ripërsëriti përkushtimin tonë ndaj këtij partneriteti. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë krah për krah me Shqipërinë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe për një të ardhme më të mirë”, thuhet në njoftimin e ambasadës së SHBA.
Kim: SHBA beson tek Shqipëria në Europën e Bashkuar
Ndërkohë nga ana tjetër, edhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, ka ripërsëritur edhe njëherë vendosmërinë SHBA-ve për të qëndruar krah Shqipërisë, si aleate se fortë dhe strategjike. Teksa ka marrë pjesë dje në një ceremoni për promovimin e një libri, ka shprehur vlerësime të larta për Shqipërinë dhe për popullin shqiptar. Shefja e diplomacisë amerikane në vendin tonë e ka cilësuar punën e saj në Shqipëri si një privilegj të madh që i është dhënë për të shërbyer. Ambasadorja amerikane Yuri Kim vlerësoi miqësinë dhe partneritetin me Shqipërinë ndër vite duke kujtuar raportet në një shekull dhe dy momentet kur ambasada u detyrua të evakuohej për herë të parë në vitin 1946 për një kohë shumë të gjatë dhe më pas në vitin 1997. Kim rrëfeu edhe një histori me ambasadorin Ryerson. “Ja çfarë desha të them. Për çdo Ambasador Amerikan është një nder i madh, një nder i madh, t’i kërkohet nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, të përfaqësojë vendin tonë në një vend tjetër. Për ata nga ne që mund të vijnë në Shqipëri si ambasadorë, është një nder edhe më i madh dhe është një nder shumë i veçantë. Në njëqind vjet miqësi mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, ne jemi larguar vetëm dy herë, Ambasada u detyrua të evakuohej për herë të parë në vitin 1946 për një kohë shumë të gjatë, tjetrën në vitin 1997. Shpresoj që këto episode të mos përsëriten kurrë, shpresoj që të gjithë të nxjerrim mësimet e diktaturës, të dhunës. Shpresoj që të bashkohemi, të qëndrojmë së bashku si miq. Unë mund t’ju them këtë, Amerika ka qenë me ju që në fillim, që në ditët e para të Republikës së Shqipërisë, të Mbretërisë Shqiptare, madje edhe para se të ekzistonit si Republika e Shqipërisë, Mbretëria e Shqipërisë, ne besuam në popullin shqiptar. Ne besuam në sovranitetin tuaj. Ne besuam në pavarësinë tuaj. Ne besuam në pavarësinë tuaj, ne besuam në forcën tuaj, në të ardhmen tuaj, ne besuam në ju, ne besojmë në Shqipërinë në Evropë dhe besojmë se është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe një nder i madh për çdo ambasador amerikan që të përfaqësojë Shtetet e Bashkuara këtu në Tiranë, Shqipëri, në këtë kryeqytet europian”, deklaroi mes të tjerash ambasadorja Kim.