Përfunduan dje 2 ndeshjet e kthimit çerekfinale në Ligën e Kampioneve. Edhe pse përmbysi rezultatin e ndeshjes së parë, Barcelona nuk ia doli të priste biletën për në gjysmëfinale. Katalanasit u mposhtën 1-2 nga Atletiko e Madridit në “Wanda Metropolitano”.
Skuadra e drejtuar nga Hansi Flik gjeti avantazhin që në minutën e 4-të, me anë të Lamin Jamal. Pas një topi të humbur nga Klement Lenglet dhe asistit të Ferran Torres, Jamal e pati të lehtë të dërgonte topin në rrjetën e portierit Huan Muso. Në minutën e 24-të, pas një aksioni të gjatë të katalanasve dhe asistit të Dani Olmo, ishte Ferran Torres që dërgoi topin në rrjetë, me një goditje të bukur me të majtën brenda zonës.
Nuk kaloi shumë dhe erdhi reagimi i Atletikos, ku pas një kundërsulmi të shpejtë dhe asistit të Markos Lorentes ishte Ademola Lukman, ai i cili gjeti rrjetën në minutën e 31-të.
Në minutën e 41-të, te Barcelona pretenduan për penallti, pas një kontakti brenda në zonë të Koke ndaj Dani Olmo. Arbitri vazhdoi lojën normalisht. Ndeshja e parë e luajtur në “Camp Nou” u mbyll 0-2 për ekipin e Simeones, duke bërë që të ishte Atletiko ajo që do të kualifikohej më tej.
Kur pritej që Barcelona të reagonte për të shënuar golin që do të çonte ndeshjen në shtesë, katalanasit u ndëshkuan me karton të kuq. Erik Garsia la ekipin e tij me 10 lojtarë në minutën e 80, pasi arbitri francez pa pamjet në VAR.
Në gjysmëfinale, madrilenët do të ndeshen me fituesin e çiftit Arsenal-Sporting Lisbonë. Ndeshja e parë e luajtur në Portugali është mbyllur me fitoren 0-1 të londinezëve.
PSG ka fituar edhe në ndeshjen e kthimit në “Anfield Road” ndaj Liverpulit, 0-2. Pjesa e parë u mbyll pa gola, ndërkohë hyri fut Salah, te PSG u dëmtua Nuno Mendes dhe u fut Lukas Hernandez.
Në minutën e 65-të, te Liverpuli pretenduan për një penallti pas kontaktit në zonë mes Uillian Paços dhe Aleksis Mek Allister. Arbitri kryesor i takimit fillimisht dha penallti, më pas pa pamjet në ekran dhe ndryshoi qëendrim.
Sfida u zhbllokua në minutën e 72-të, ku Osmane Dembele shënoi një gol tejet të bukur me një goditje nga distanca, pas asistit të Khviça Kvaratskhelia. Në minutat shtesë, Dembele shënoi golin e dytë pas asistit të Bredli Barkola. PSG fiton me rezultatin e përgjithshëm 4-0 në të dy takimet dhe shkon me meritë në gjysmëfinale.
Në gjysmëfinale, PSG-ja do të ndeshet me fituesin e çiftit Bajern Mynih-Real Madrid. Ndeshja e parë mes këtyre dy ekipeve e luajtur në “Santiago Bernabeu” është mbyllur me fitoren e bavarezëve me rezultatin 1-2.
