E mërkurë, 16 Shtator, 2026

Nuk ka liri për Ilir Metën, GJKKO i rrëzon sërish kërkesën!

Share

Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e Ilir Metës për ndryshimin e masës së sigurisë, duke lënë në fuqi “arrestin në burg” ndaj ish-presidentit. Mbrojtja kishte kërkuar zëvendësimin e kësaj mase me një masë më të butë sigurie, por GJKKO nuk e ka pranuar kërkesën. Meta ndodhet në paraburgim prej tetorit 2024 dhe do të vijojë të qëndrojë në qeli ndërsa procesi penal ndaj tij zhvillohet në Gjykatën e Posaçme.

Vendimi për masën e sigurisë vjen pasi SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim Ilir Metën, Monika Kryemadhin dhe tre persona të tjerë.

Sipas SPAK, Meta akuzohet për “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në tre raste, dy prej tyre në bashkëpunim, si dhe për pastrim të produkteve të veprës penale dhe mosdeklarim ose fshehje të pasurisë.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, procedimi penal ka nisur në vitin 2019 dhe është zgjeruar gjatë viteve pasuese mbi bazën e kallëzimeve të ndryshme. Në vitin 2024, SPAK bashkoi në një procedim të vetëm çështjet e veçuara.

Prokuroria pretendon se hetimi ka evidentuar skema korruptive, përdorim të influencës dhe pushtetit politik për favorizimin e bizneseve të caktuara kundrejt përfitimeve të marra ose të premtuara, si dhe episode të dyshuara të pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurive apo shpenzimeve.

Për këtë hetim, sipas njoftimit të SPAK, prokurorët shqiptarë kanë bashkëpunuar me autoritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Austrisë, Italisë, San Marinos dhe Qipros.

Një nga episodet kryesore të dosjes lidhet me çështjen CEZ-DIA. SPAK pretendon se Ilir Meta, në kohën kur mbante detyrën e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, ka përdorur autoritetin dhe influencën e tij për të ndërhyrë në procesin e lidhjes së kontratës ndërmjet kompanisë “Debt International Advisory”, DIA, dhe CEZ Shpërndarje.

Kontrata kishte si objekt asistencën për identifikimin dhe arkëtimin e borxheve të prapambetura.

Sipas SPAK, marrëdhëniet e personave të përfshirë kanë ndikuar drejtpërdrejt në përzgjedhjen e DIA-s për shërbimin e mbledhjes së borxheve të CEZ-it, megjithëse, sipas prokurorisë, kompania nuk plotësonte të gjitha kriteret ligjore dhe profesionale për menaxhimin e detyrimeve të kësaj natyre.

SPAK thotë se DIA përfitoi në mënyrë të parregullt 649,803,520 lekë nga kjo marrëveshje dhe se kjo shumë është konfirmuar nga një vendim gjyqësor i formës së prerë.

Prokuroria pretendon gjithashtu se gjatë periudhës kur Meta ishte ministër, ai ka kërkuar dhe pranuar shuma të konsiderueshme parash nga personi i identifikuar me inicialet K. I.

Sipas SPAK, funksioni i Metës në atë periudhë përfshinte mbikëqyrjen e procesit të privatizimit të CEZ-it dhe çështjeve që lidheshin me kontratat për mbledhjen e borxheve. Prokuroria vlerëson se këto veprime përmbushin elementet e korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë.

Një tjetër episod i dosjes i përket vitit 2014 dhe përfshin si Metën, ashtu edhe Kryemadhin.

Sipas SPAK, Meta, në atë kohë kryetar i Kuvendit, dhe Kryemadhi, deputete, kanë përdorur influencën e tyre te drejtues të institucioneve shtetërore dhe kompanive të telefonisë celulare për të mundësuar futjen në tregun e fibrave optike dhe lidhjen e një marrëveshjeje interkonjeksioni ndërmjet kompanisë “U… C… INC” dhe një kompanie private telefonike.

Prokuroria pretendon se Meta dhe Kryemadhi kanë përfituar një pjesë në përqindje nga fitimi i kompanisë dhe janë pajisur me karta krediti nga administratori i saj. Sipas SPAK, shpenzimet e kryera nëpërmjet këtyre kartave nuk janë deklaruar në deklaratat periodike të pasurisë.

Një tjetër pjesë e hetimit lidhet me një vilë.

SPAK pretendon se Meta dhe Kryemadhi kanë hyrë në marrëdhënie korruptive me biznesmenin e identifikuar me inicialet S. M. dhe kanë përfituar përkohësisht përdorimin e një vile si shpërblim për influencën që, sipas prokurorisë, ushtronin ndaj funksionarëve publikë të emëruar nga LSI në interes të aktiviteteve ekonomike të biznesmenit.

Prokuroria pretendon gjithashtu se Kryemadhi, me kërkesë të këtij biznesmeni, ka marrë përsipër ndryshimin e një ligji në Kuvend. Sipas SPAK, ligji më pas është ndryshuar sipas kërkesës së biznesmenit.

Dosja përmban edhe hetimin për kontratat e lobimit të LSI-së në Shtetet e Bashkuara.

Sipas SPAK, gjatë viteve 2016-2017, Ilir Meta, në cilësinë e kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, ka lidhur dhe ekzekutuar kontrata për shërbime konsulence dhe lobimi me kompanitë “Global Security and Innovative Solutions LLC” dhe “McKeon Group Inc” në SHBA. Hetimi ka konstatuar se një pjesë e financimit të kontratave është kryer me transferta bankare nga llogaritë e LSI-së.

Por SPAK thotë se 463,546.26 dollarë nuk janë transferuar nga llogaritë bankare të partisë. Sipas prokurorisë, kjo shumë nuk është pasqyruar as në bilancet e LSI-së të depozituara pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Një tjetër kapitull i dosjes lidhet me blerjen e një apartamenti në zonën e ish-Bllokut.

SPAK thotë se gjatë periudhës 2009-2010, Meta, Kryemadhi dhe nëna e saj, Fatime Kryemadhi, kanë blerë një apartament, i cili ishte deklaruar si i financuar nëpërmjet një kredie bankare. Sipas hetimit, 310 mijë euro që kanë shërbyer për blerjen e katit të parë të dupleksit janë derdhur cash në sistemin bankar nga Fatime Kryemadhi.

SPAK thotë gjithashtu se një kredi prej 335 mijë eurosh, e marrë nga Fatime Kryemadhi, është shlyer me para të depozituara në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri gjatë periudhës mars-nëntor 2010.

Prokuroria dyshon se këto para e kanë origjinën në aktivitetin e paligjshëm që ajo ua atribuon Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit dhe se kredia bankare është përdorur si mbulesë për futjen e shumave të konsiderueshme në sistemin bankar.

SPAK ka hetuar edhe shpenzimet mjekësore të Metës dhe Kryemadhit.

Sipas prokurorisë, ata nuk kanë deklaruar shpenzime mjekësore në vlerën e më shumë se 106 mijë eurove, nga të cilat 86,891 euro rezultojnë të paguara në cash.Hetuesit kanë konstatuar gjithashtu se në Deklaratën e Interesave Private Vjetore për vitin 2019, të dorëzuar në ILDKPKI më 29 maj 2020, nuk janë deklaruar 9 mijë euro shpenzime shëndetësore të kryera në një klinikë private jashtë Shqipërisë.

SPAK përmend edhe shumën prej 100 mijë eurosh në një llogari bankare dyemërore që, sipas prokurorisë, u përket personave të identifikuar me inicialet E. M. dhe F. K.

Të gjitha këto episode janë tashmë pjesë e akuzave që SPAK ka dërguar për gjykim. Ato mbeten pretendime të organit të akuzës dhe do t’i nënshtrohen shqyrtimit dhe provueshmërisë gjatë procesit gjyqësor.

Ilir Meta i ka mohuar akuzat e SPAK ndaj tij. Ndërkohë, vendimi i fundit i GJKKO-së për të rrëzuar kërkesën për një masë më të butë sigurie do ta mbajë ish-presidentin në paraburgim, ndërsa në të njëjtën gjykatë vijon procesi që do të shqyrtojë akuzat e ngritura nga Prokuroria e Posaçme.

Te tjera

Lajme te tjera