Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se Irani kërkon përfundimin e konfliktit me SHBA-në, ndërsa ka shprehur bindjen se lufta do të marrë fund brenda një kohe të shkurtër.
Teksa ka folur për gazetarët në Montana, Trump tha se përfundimi i luftimeve do të ndikojë drejtpërdrejt edhe në tregjet ndërkombëtare të energjisë, duke sjellë një ulje të ndjeshme të çmimeve të naftës.
“Lufta me Iranin do të përfundojë shumë shpejt. Së shpejti, pasi ata duan që ajo të përfundojë. Ata nuk do të kenë kurrë armë bërthamore dhe çmimet e naftës do të bien si një gur”, deklaroi presidenti amerikan.
Megjithatë, Trump ngriti pikëpyetje mbi procesin e negociatave me Teheranin, duke pranuar se nuk është e qartë se cilët përfaqësues iranianë janë aktualisht në bisedime me Uashingtonin.
Gjatë një tubimi në Montana, presidenti amerikan deklaroi se udhëheqja politike dhe ushtarake e Iranit është goditur rëndë nga operacionet amerikane.
“Ata nuk kanë një marinë. Ata nuk kanë një forcë ajrore. Ushtria e tyre është shkatërruar. Udhëheqësit e tyre janë zhdukur. Me siguri duhet të kisha lënë liderët e tyre sepse nuk e di me kë dreqin po negociojmë”, u shpreh Trump.
Presidenti amerikan theksoi gjithashtu se, Irani ka humbur ndikimin ushtarak që kishte më parë në Lindjen e Mesme.
“Irani ishte ngacmuesi i Lindjes së Mesme”, deklaroi ai, duke shtuar se vendi nuk është më aq i fuqishëm sa dikur.
Trump dha shifra për dëmet që, sipas tij, i janë shkaktuar ushtrisë iraniane. Ai u shpreh se të gjitha 159 anijet e flotës iraniane janë nxjerrë jashtë funksionit, ndërsa 274 avionë luftarakë janë shkatërruar.
“E dini, ata ishin të fortë. Tani ata nuk janë aq të fortë. Unë thashë ‘ne e rrëzuam atë’, por ata kishin saktësisht 159 anije. Sa anije janë shtrirë në fund të detit? E dini, 159”, tha ai.
Teksa iu referua forcës ajrore iraniane, Trump vijoi duke thënë se: “Pra, ata kishin 274 avionë luftarakë mjaft të mirë, por jo si tanët, mjaft të mirë. Sa avionë luftarakë janë në dispozicion për përdorim sot? Zero! E dini ku janë? Ata janë të gjithë të shpërndarë nëpër pistat e bukura të Iranit. Ato janë të shpërndara në copa të vogla në të gjithë pistat”.
Deklaratat e presidentit amerikan vijnë në një kohë kur Uashingtoni po kërkon t’i japë fund konfliktit, ndërsa Trump këmbëngul se Irani nuk duhet të ketë mundësinë të zhvillojë armë bërthamore.
