Gjuhë që i shkon për shtat një partie politike dhe jo atyre që duhet të jenë garantët e një drejtësie të paanshme e cilësoi kryeministri Edi Rama reagimin e Shoqatës së Gjyqtarëve ndaj deklaratave të bëra më herët nga shefi i qeverisë kundër kërkesës së tyre në Kushtetuese për të rritur pagat e magjistratëve.
Sipas kreut të qeverisë, ata u shfaqën si parti politike ndaj dhe mund të regjistrohen si të tillë, pasi kanë sulmuar publikisht edhe qeverinë. Rama shtoi se me kërkesën e tyre, gjyqtarët po kërkojnë të ndërhyjnë në ligjin e pagave. Po ashtu, shtoi ai, Shoqata e Gjyqtarëve arriti në pikën që të sulmonte publikisht qeverinë dhe kryeministrin.
“Shoqata e gjyqtarëve shfaqet publikisht si një parti politike, me një gjuhë të papranueshme dhe të pajustifikueshme për të ata të cilët përfaqësojnë pushtetin gjyqësor, pra përfaqësojnë një pushtet, i cili arbitron dhe jo një arbitër, i cili thotë ‘’bilbili është i imi, topi është i imi, penalltinë do ta gjuaj vetë dhe porta duhet të rrijë pa portier’’, tha Rama.
Akuzave të shoqatës së gjyqtarëve, se kreu i qeverisë ka nisur një fushatë kundër tyre përmes një tymnaje populiste dhe përbaltje kryeministrore iu përgjigj kështu.
“Të gjithë e dinë se çfarë është një fushatë dhe çfarë është një fushatë kur e udhëheq unë, së bashku me gjithë shokët dhe shoqet e ‘’armëve’’ të Partisë Socialiste, një uragan që merr përpara kë t’i dalë përpara, kur është fjala për një betejë politike, por kjo nuk është një betejë politike. Cilën furi populiste dhe cila e nxitur dita-ditës? Apo është miza nën kësulë që nuk po funksionon plani i kalimit pa mendje të 37 milionë eurove plus, të rritjes së pagave mujore me 2000 e 3000 euro në muaj”, tha Rama.
Rama thotë se gjyqtarët duan t’i imponohen sistemit të pagave, kompetencë tërësisht e parlamentit dhe qeverisë dhe kjo sipas tij, vjen për shkak të arrogancës së përdorjes së një pushteti të pavarur.
“Është e papranueshme dhe është e pagëlltitshme për t’iu imponuar Parlamentit dhe qeverisë përmes pushtetit gjyqësor dhe për t’i rritur pagat vetes, gjyqtarët me gjyq. Keni një arrogancë të një pushteti që ju e trajtoni si një pushtet të pakufizuar, si pushtet të pakontrolluar”, vijoi kryeministri.
Argumentet e tyre për rritje progresive të pagës thotë se nuk qëndron, njëjtë si pretendimi se paga u është ulur.
“Neni 138 i Kushtetutës, të cilit i referoheni ju dhe e lexoni ju si garanci, që ju mund t’ia rrisni pagën vetes progresivisht, nuk ka absolutisht as këtë frymë e as këtë germë. Neni 138 i Kushtetutës parandalon vetëm një gjë; uljen e pagës, prekjen e asaj që është një e drejtë e fituar dhe këtë as e kemi bërë dhe as kemi për ta bërë kurrë”, theksoi shefi i qeverisë.
Edhe te kërkesa etogave të zeza kërkojnë që rritja e pagave t’u llogariten në bazë të pagës së drejtorit të departamentit në Kryeministri, Rama gjen pasaktësi:
“Nuk ka fare një pozicion të tillë, Merrni, shikoni gjithë organigramën e Këshillit të Ministrave dhe mos flisni dokrra në sytë e popullit shqiptar se gjithë këto dokrra varen fate njerëzish”,vijon Kryeministri.
Madje, ai thotë se Shoqatat e Gjyqtarëve as nuk duhet të ishin legjitimuar në kushtetuese pasi ato nuk i paguajnë shtetit as detyrimet financiare:
“Ju jeni fillimisht të paligjshëm si shoqata. Shko në Gjykatë Kushtetuese për të fituar para, për të rritur të ardhurat tuaja dhe shoqata e unionit, kjo që ka bërë gjithë këtë paçavure, është e pezulluar nga Qendra Kombëtare e Bizneseve, aty ku regjistrohen se nuk keni paguar detyrimet tatimore dhe nuk keni paguar kontributet shoqërore. Ndërsa shoqata tjetër, s’ishte fare e regjistruar në Qendrën Kombëtare, as te Tatimet”, vijoi Rama.
Një ditë më herët gjyqtarët përmes një reagimi publik e akuzuar Kryeministrin që ka krijuar një “tymnajë populiste me qëllim linçimin e tyre”. Reagimi i Shoqatës me tone të ashpra ndaj kreut të qeverisë, etiketohen si “përbaltje kryeministrore, publike, tërësisht histerike, që synon të ndezë kundërshtitë në opinionin publik për një vendimmarrje dhe proces kushtetues.
Gjykata Kushtetuese, pasi e shqyrtoi më 20 janar në seancë plenare të hapur, pritet nga dita në ditë të japë vendimin nëse do të pranojë një kërkesë të shoqatave të gjyqtarëve për përcaktimin e pagës së tyre. Aktualisht paga bazë e tyre llogaritet sa 36% e asaj të Presidentit të Republikës. Togat e zeza kërkojnë që rrogat t’u llogariten në bazë të pagës së drejtorit të departamentit në Kryeministri ose sa rreth 54% e rrogës së kreut të shtetit. Si pasojë e formulës që llogarit pagat në sistemit të drejtësisë, nëse kërkesa do t’u pranohej rritja do të ishte e konsiderueshme.
