Situata në Ballkan vazhdon akoma edhe më shumë të tensionohet. Alarmi është ngritur edhe nga kryeministri i Norvegjisë, i cili shprehet se çështjet e pazgjidhura nga vitet 1990 mund t’i vënë zjarrin rajonit. Gjithashtu, Kosova kërkon nga Bashkimi Evropian që të ndërhyjë sa më shpejt përpara se të jetë shumë vonë, duke përmendur si rrezik influencën ruse në Serbi. Nga ana tjetër presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç pretendon se shqiptarët duan të shkaktojnë “stuhi” në veri. Deklaratat nga Norvegjia kanë ardhur pas takimit të Albin Kurtit, i cili ishte për një vizitë zyrtare ditën e djeshme me homologun e tij norvegjez, Jonas Gahr Store. Store gjatë takimit tha se po bëhen përpjekje për të siguruar stabilitet të vazhdueshëm në Ballkanin Perëndimor, kjo pasi sipas tij çështjet e pazgjidhura nga vitet 1990 mund ta rrezikojnë sërish Ballkanin. “Nuk mund ta marrim si të mirëqenë stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Çështjet e pazgjidhura nga vitet 1990 mund t’i vënë sërish zjarrin rajonit”, deklaroi ai. Sa i përket zgjedhjeve serbe të 3 prillit, kryeministri norvegjez tha se Kosova duhet t’i lejojë serbët lokalë të votojnë. “Prandaj e shfrytëzova takimin për të shprehur keqardhjen që Kosova nuk lejon që zgjedhjet serbe më 3 prill të zhvillohen sipas të njëjtit model si në zgjedhjet e mëparshme”, u shpreh Store.
Kosova thirrje BE-së të ndërhyjë
Ministrja e jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të ndërhyjnë sa më parë për të shmangur konfliktin e ardhshëm. Gërvalla thotë se nga informacionet që ata kanë, ekziston rreziku nga Serbia. “Ne vazhdimisht po ua bëjmë me dije atyre burokratëve në Brukselin e largët dhe diplomatëve në kryeqytetet e BE-së dhe NATO-s, se i dimë gjërat më shumë e më mirë, sepse jemi shumë më afër. Ajo që për ta mund të jetë problem diplomatik mund të kthehet në kërcënim jetësor ndaj qytetarëve tonë”, tha Gërvalla. Shefja e diplomacisë ka thënë BE duhet të bëjë hapa të shpejtë ndaj kësaj sfide historike, siç e quan ajo. “Për sa kohë që Aleksandër Vuçiç dhe Vladimir)Putin mund të llogarisin në faktin se BE-ja mbetet e ndarë dhe nuk e mbyll atë kapitull, çdo kufi i kontestuar në Evropë do të vazhdojë të përbëjë rrezik jo vetëm të provokimit, por për më tepër të veprimeve të dhunshme dhe madje edhe të luftës”, vazhdoi ajo. Gërvalla ka kritikuar Bashkimin Evropian, duke thënë se nuk ndërmori hapat e duhur me Ukrainën përpara se të shpërthente lufta. “Me Ukrainën, BE-ja bëri gabime dhe nuk ndërmori hapat e duhur para se të shpërthente lufta, në mënyrë që të mbështeste mjaftueshëm Ukrainën në parandalimin e saj”, u shpreh Gërvallla.
Vuçiç: Shqiptarët duan të shkaktojnë “stuhi” në veri
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç u shpreh ditën e djeshme se situatat e fundit të ndodhur në veri të Kosovës për zgjedhjet e 3 prillit dhe me shkarkimin e një gjyqtareje serbe, po provokohen nga shqiptarët. Vuçiç ndër të tjera në deklaratën e tij për mediat vendase ka theksuar se një gjë e tillë nuk do të jetë e lehtë. “Natyrisht, tmerri për Ukrainën, nuk do t’i ishte lehtë i kapërdishëm për ne. Nuk kam iluzione se shqiptarët do të donin ta bënin “stuhinë” në veri të Kosovës. Por nuk do të ishte aq e lehtë”, ka deklaruar Vuçiç. Presidenti serb, gjithashtu thotë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që në kërkesën “për votën e serbëve në Kosovë t’i paraqitet në formë zyrtare ndaj Qeverisë së tij dhe për këtë qeveria serbe nuk është pajtuar”. “Serbët gjithmonë më dëgjonin dhe më thoshin se e dinë se çfarë kam refuzuar si në Uashington ashtu edhe në Bruksel. Kam parë një hidhërim të tillë te serbët për herën e parë kur erdhën në mbledhje. Unë iu luta serbëve të mos e bënin këtë, se po të largoheshin nga institucionet do të kishte katastrofë”, ka thënë ndër të tjera ai.