E shtunë, 7 Dhjetor, 2024

Një pampers për Shëndetësinë e Rilindjes

Share

Nga Erion Dasho, mjek

“Autonomia jote spitalore vjen erë, Borat! Njëlloj si shteti yt…”

Dihet funksioni i pampersit. Sa herë zorra e trashë zbrazet në mënyrë të sforcuar apo të pavullnetshme, pampersi nevojitet që përmbajtja të mos marrë rrugët.

Shëndetësia shqiptare prej kohësh ka nevojë për pampers.

E pamë gjatë pandemisë, ku 20 mijë njerëz vdiqën dhe 200 milionë euro u paguan privatisht nga shqiptarët. E shikojmë çdo ditë në spitalet pa mjekë e qendrat shëndetësore pa infermierë. Së fundi, e lexuam në raportin e OBSH-së ku faktohej se shqiptarët paguajnë nga xhepi 60% të shpenzimeve të shëndetësisë “falas” që u solli rilindja.

Për të mos e lënë këtë lajm gjatë në veshët dhe në mendjet e trushpëlarëve që kanë 10 vjet që votojnë rilindjen, Borati nxitoi të vendoste pampersin e radhës; i cili e ka emrin “autonomi spitalore”.

Autonomia e premtuar për spitalet shqiptare është kthyer në fakt prej kohësh në një pampers shumëpërdorimësh. Zakonisht vendoset para zgjedhjeve për të larguar vëmendjen nga dështimet katastrofike të rilindjes me shëndetësinë. Por këtë radhë lipset të ndihmojë për të shmangur diskretitimin që solli raporti i OBSH-së.

Pyetja është: a duhet ta besojnë shqiptarët Boratin dhe boratët kur premtojnë për herë të pestë ose të gjashtë autonominë spitalore?

Përgjigjja e kësaj pyetje vjen natyrshëm nëse i jepet përgjigje disa nënpyetjeve:

Autonomia kërkon profesionistë në drejtim të spitaleve. A mund të bëhen brenda ditës autonomë institucionet që janë drejtuar nga klarinetistët dhe balerinat?!

Autonomia kërkon mekanizma të konsoliduar pagese. A mund të ofrojë autonomi Fondi i Sigurimeve që nuk ka as edhe një plan për aplikimin e DRG-ve?!

Autonomia kërkon drejtues kompetentë dhe vizionarë në ministri dhe institucionet e tjera qendrore. A mund ta përpunojë këtë vizion një ministri të cilës i ka mbetur vetëm një mjek e gjysmë?!

Autonomia kërkon delegim. A mund të lejojë autonomi sistemi ku edhe për të emëruar një pastrues duhet firma e ministrit?!

Autonomia kërkon lëvizje të lirë fondesh. A mund të ketë autonomi aty ku asnjë qindarkë nuk lëviz pa bekimin e boratëve?!

“Autonomia” që ju njoh spitaleve të Shkodrës, Vlorës, Durrësit dhe Lezhës nuk është autonomi; është thjesht rivendosja e pampersit tashmë të përdorur e të stërpërdorur.

Vetëm se me këto pampersët shumëpërdorimësh ka një problem të madh. Në çdo ripërdorim era e keqe sa vjen e bëhet më e rëndë deri sa qelb dynjanë.

Autonomia jote vjen erë, Borat! Njëlloj si shteti yt…

Te tjera

Lajme te tjera