Shprehja e famshme “Follow dhe Money” (ndiq paratë), e cila edhe sot pas dekadash vijon të jetë udhërrëfyes i strukturave ligjzbatuese në luftën kundër pasurisë së paligjshme, e krijuar nga autoritetet hetimore amerikane u zbatua nga Prokuroria e Posaçme për hetimin dhe fundosjen e ish-ministrit socialist Arben Ahmetaj. Por ish zv.ministri nuk është i vetmi që do të futet në burg, pasi fletë-arresti po përgatitet të pritet edhe për eksponentin e lartë të PS Damian Gjiknurin. E njëjta skemë që SPAK ndoqi për Ahmetajn, pritet të aplikohet dhe për Gjiknurin. Në faktet dhe provat që disponon SPAK të cilat janë gjetur në kompjuterin e biznesmenit në arrati Klodian Zoto rezultojnë dy rezervime hotelesh në Vjenë dhe Frankfurt për Damian Gjiknurin, ish-ministër i Energjisë dhe aktualisht Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste në vitin 2014. Edhe pse ky i fundit i ka mohuar duke thënë se nuk ka fjetur në hotelet e paguara nga biznesmeni i inceneratorëve dhe se është i hapur për t’iu përgjigjur prokurorisë, nëse thirret. Fjalët e tij ishin të njëjtat si me Arben Ahmetajn, i cili disa javë më parë mohonte çdo përfshirje, madje shkonte deri aty sa deklaronte se nuk i njihte dy biznesmenët.
Ja çfarë thuhet në dosjen e SPAK për Gjiknurin
“Ekziston dyshimi se shtetasit Arben Ahmetaj dhe Damian Gjiknuri janë takuar. Dhe kanë qëndruar bashkë më datë 08.02.2014 në Frankfurt me shtetasit Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto,” thuhet në dokumentin e prokurorisë. Sipas fakteve të mbledhura nga hetimi, Zoto ka paguar për Gjiknurin Hotelin Mariot me vlerë 147 mijë lekë. “…emaili i agjencisë xxx me titull ‘hoteli i mr Gjiknuri‘” shkruhet në dokumentin e prokurorisë. “…Ky email më datë 08.02.2014 ora 07.45.51 i është përcjellë nga Damiani emailit të Klodian Zotos,” shkruan më tej prokuroria. Gjiknuri ishte nisur në këtë rast për në Shtetet e Bashkuara në një udhëtim zyrtar. Në rastin e dytë, një hotel në Vienë është paguar në emër të Gjiknurit nga Klodian Zoto. Në këtë udhëtim, Gjiknuri ishte me mision zyrtar. Negociatat me kompaninë çeke të energjisë elektrike, CEZ për riblerjen nga shteti shqiptar të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Por prokuroria thotë se një projekt tjetër nga ana e Zotos dhe Mërtirit ka qenë objekt i bisedimeve. një kontratë koncesionare për instalimin e mbi 1 milionë matësave të energjisë elektrike. Prokuroria vëren se nga informacioni i marrë nga bankat e nivelit të dytë, Zoto bëri pagesa me vlerë mijëra dollarë në një hotel në Vienë. Bashkë me një opsion që sugjeron se ai ka qenë fizikisht atje dhe se karta nuk është përdorur online. Sipas prokurorisë bëhej fjalë për një interes në të cilin ishte përfshirë kompania ITS sh.p.k dhe AE Distribution e shtetasit Gerian Kuka. Si dhe një kompani kineze, me qëllim të shitjes së matësave të energjisë elektrike. Gjiknuri në atë kohë ishte ministër i Energjisë dhe Shqipëria po përjetonte të ashtuquajturën reformë të rimëkëmbjes së sektorit të energjisë. Që përfshiu burgosjen e mijëra shqiptarëve nën akuzën e vjedhjes së energjisë elektrike. Nga sa dihet publikisht, nuk ka të dhëna nëse një projekt i tillë u realizua ndonjëherë. Pra siç e tregojnë faktet që ka në dorë SPAK, Damian Gjiknuri ndodhet në të njëjtat pozita si Ahmetaj, pasi korrupsioni ngelet korrupsion. Dosja po “qepet” mirë dhe ditët në vijim do të priten të tjera “koka” dhe Gjiknuri është i pari që rrezikon burgun./SOT/
