Kryeministri Edi Rama ka uruar suksese për 345 mijë nxënës që ulen sot në bankat e shkollave, përfshirë 26 500 fëmijët që nisim rrugëtimin e dijes në klasë të parë.
Nisja e vitit të ri arsimor, presidenti Begaj uron nxënësit nga vendlindja: Shkolla është vendi ku formësojmë vlerat
Në nisje të vitit të ri shkollor, Presidenti i Republikës Bajram Begaj, ka uruar nxënësit nga shkolla në vendëlindjen e tij në fshatin Gosë.
Begaj u takua me nxënës, mësues e prindër gjatë vizitës në këtë shkollë, nga ku uroi suksese në mbarëvajtjen e mësimit dhe edukimit, duke theksuar rëndësinë që ka shkolla në formësimin e individit dhe shoqërisë dhe në kultivimin e vlerave njerëzore.
“Një shkollë e fortë formëson qytetarë të ditur. Qytetarët e ditur ndërtojnë shoqëri të zhvilluar, të ardhme të ndritur dhe Shqipëri të fortë.
Uroj, besoj dhe shpresoj që ju të jeni një brez që e do gjuhën shqipe, ka pasionin e dijes, përqafon teknologjinë, çmon dhe respekton njëri-tjetrin”.
Një mesazh të veçantë Presidenti i Republikës përcolli për nxënësit e klasës së parë, më të cilët ndau eksperiencën e tij në shkollën e fshatit Gosë, duke u shprehur se këtu fillon baza e dijes, mësimet e para, ndërtohet një përvojë e pasur dhe miqësi të reja.
“Fillimi i vitit shkollor është gjithmonë emocion i madh, pikënisje që shënon një kapitulli të ri në jetën tuaj dhe të mijëra nxënësve”.
Ndërsa theksoi integrimin e shkollave me risitë teknologjike, Presidenti i Republikës theksoi në mesazhin e tij rëndësinë që ka shkolla në ruajtjen e vlerave njerëzore:
“Shkolla nuk është vetëm vendi ku mësojmë lëndë dhe libra, është vendi ku formësojmë vlera. Çdo shtator është sfidë, përgjegjësi dhe mundësi para të gjithëve: nxënësve, mësuesve, prindërve dhe shoqërisë. Teknologjia dhe rrjetet sociale janë mjete të fuqishme, por ato nuk mund të zëvendësojnë respektin, miqësinë dhe dashurinë për njëri-tjetrin”.
Kreu i Shtetit theksoi rëndësinë e respektimit të ndërsjellë në shkollë, në mënyrë që askush të mos ndihet i përjashtuar dhe, gjithashtu, theksoi se ky edukim duhet të nisë nga familja. E krahas sfidave, nxënësve u uroi t’i jetojnë vitet e shkollës me punë e pasion, duke qenë kërkues për dijen.
“Këto vite janë thesari juaj më i madh, janë suksesi i të ardhmes suaj. Kushtojuni rëndësi, mësoni me përkushtim, por edhe me gëzim. Jini kurioz, pyesni, kërkoni, studioni, zbuloni dhe ëndërroni çdo ditë. Bëni shokë dhe shoqe. Gëzojeni jetën tuaj me miqësitë më të bukura e më të vërteta të jetës.
Mësuesve u shprehu mirënjohje për misionin fisnik: “Mësuesia është profesion i pasionit dhe sakrificës, është profesion i jetës, profesion që ndërton të ardhmen e kombit. Kontributi juaj mbetet i pashlyeshëm”.
Një rëndësi të veçantë në këtë mesazh Presidenti Begaj i kushtoi gjuhës shqipe.
“Si President i kam kushtuar rëndësi të posaçme gjuhës dhe alfabetit shqip. U gëzova vërtet shumë kur mësova nga drejtoresha juaj që jeni ndër kampionët e shkollave në këtë lëndë. Në kohën kur mbizotëron teknologjia dhe imazhi është i plotfuqishëm, gjuha shqipe mbetet çelësi i ndërlidhjes dhe i suksesit afatgjatë”.
Spiropali vizitë në ‘Institutin e Nxënësve që nuk Shikojnë’: Përmirësim të kushteve nëpërmjet investimeve dhe programeve të reja
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, vizitoi sot, në ditën e parë të vitit të ri shkollor, Institutin e Nxënësve që nuk Shikojnë, ku u prit nga drejtori i shkollës, Emiliano Lule.
Instituti, i vetmi në Shqipëri për arsimin special dhe integrimin e fëmijëve që nuk shikojnë dhe atyre me vështirësi shikimi, ndjek ciklin 9-vjeçar për rreth 70 fëmijë dhe ofron kujdes dhe edukim 24-orësh.
Spiropali përgëzoi mësuesit dhe drejtuesit për nismën “Zëri Mund të Shkojë Aty Ku Shikimi Nuk Mundet!”, ku lexues vullnetarë dhurojnë zërin e tyre për fëmijët, duke krijuar një bibliotekë zanore që mundëson të mësojnë përmes dëgjimit.
“Gjej rastin t’iu uroj të gjithë fëmijëve që sot fillojnë shkollën, një vit sa më të mbarë shkollor dhe uroj po ashtu prindërit dhe jam e sigurt që kanë po të njëjtët emocione si fëmijët që përpiqen aq shumë për edukimin e fëmijëve të tyre dhe kanë një prioritet absolut në familjet dhe jetët e tyre.
Përgëzoj edukatorët, mësuesit, ata që iu qëndrojnë pranë fëmijëve se kanë një mision të jashtëzakonshëm jo vetëm të dijes por edhe të edukimit, ndërgjegjësimit, të qëndrimit pranë ndaj fëmijëve që shkollën besoj unë si të gjithë ata që përpara tyre kanë kaluar në këtë vështirësi sidomos në këtë institut të fëmijëve që nuk shikojnë, nga ku ne kemi ardhur sot për të uruar të gjithë, këtë vështirësi që duhet ta kalojnë përmes investimeve më të mira, përmes punës, përmes programeve të reja dhe gjej rastin që nga ky institut i fëmijëve që nuk shikojnë, të uroj të gjithë dhe mbi të gjitha këta fëmijë që përballen në këtë fazë të parë të jetës me vështirësi të shtuara dhe pamundësi.
Më erdhi shumë mirë që shoh që në këtë institute ka patur investime të reja, ka patur përkujdes dhe pata rastin të shoh edhe programin e regjistrimit të zërit në studion e institutit ku fëmijë të gjimnazeve, apo edhe njerëz të kulturës dhe artit të japin zërin e tyre duke lexuar libra që fëmijët të kenë mundësi të dëgjojnë dhe mësojnë përmes dëgjimit, pasi zëri shkon aty ku syri nuk mundet siç e thoni ju.
Pata rastin të shikoj investimet që janë bërë për Kodin Braille që është kodi zyrtar i mënyrës si fëmijët që nuk shohin, lexojnë. I takova fëmijët dhe shoh që këtu përkujdesja edhe gjatë ditës dhe jo vetëm në orët e mësimit sepse ky është një institute që funksionon 24 orë, ku fëmijë nga gjithë Shqipëria edhe jetojnë së bashku.
