Avokat Spartak Ngjela shprehet i bindur se ish-kryeministrin Sali Berisha e presin ditët të vështira dhe madje shumë telashe në rrafshin juridik. Ish-kryeministri Berisha është shpallur “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit pasi akuzohet për korrupsion dhe minim të demokracisë. Por këto akuza të ngritura nga amerikanët duket se do të kthehet në bumergan për ish-liderin demokrat, paçka se ky i fundit iu ka shpallur “luftë” atyre dhe vijon i qetë jetën e tij politike. Përmes një analize të hollë në rrjetet sociale, avokat Ngjela theksoi dje se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të dorëzohen derisa Berisha të arrestohet. “Saliu ka falimentuar, sepse është kundërshtar i politikës amerikane. Nuk ka më asnjë mundësi që ky të dalë përsëri në një stad drejtues në Shqipëri. Atëherë? Sali Berisha do të sulmohet nga politika amerikane me fakte; deri në eliminimin e tij me dënim penal gjyqësor për krime. Kjo, do të jetë rrjedha e kësaj kohe të afërt që do të sjellë gëzim të madh në Shqipëri”, shkruan ai.
Saliu shkatërroi vendin dhe vrau 4 njerëz
Më tej avokat Spartak Ngjela ka vijuar me akuzat dhe sulmet në adresë të ish-kryeministrit Sali Berisha, të cilin e bëri përgjegjës për shkatërrimin e vendit dhe vrasjen e katër qytetarëve të pafajshëm në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” gjatë një proteste të organizuar nga opozita e kohës në 21 janar të vitit 2011. Madje avokat Ngjela ngre edhe disa pyetje që sipas tij, kërkojnë përgjigje, ndërsa shprehet i habitur që si ka mundësi që ka ende qytetarë që i shkojnë pas ish-kryeministrit Berisha. “Si ka mundësi që të pranohet ende në Shqipëri një njeri i inkriminuar që, me urdhërin e tij, tani e provuar, ka vrarë katër njerëz të pafajshëm në bulevard? Si ka mundësi të pranohet në drejtim ky njeri, i cili menjëherë pas vrasjes së katër personave të pafajshëm gënjeu botërisht, duke klithur si i marrë se ata i kishte vrarë kundërshtari i tij; dhe pastaj tha se, “unë edhe më shumë do të vrisja”? Si ka mundësi që të vijojë e të pranohet ende në Shqipëri një dëmprurës kaq i përbindshëm, i cili, me kërkesë nga padronët e tij, si president i plotfuqishëm (1992 – 1997) ka shkatërruar në Shqipëri 500 fabrika e uzina? Si ka mundësi që vijon e sokëllin mitingjeve antishqiptari më i madh që ka kaluar nëpër pushtetet politike në Shqipëri”, deklaroi ai.
E rëndë që ka njerëz që i shkojnë pas Berishës
Por teksa shpreh habinë dhe shprehet se është e rëndë që ka ende njerëz që i shkojnë pas Sali Berishës, avokat Spartak Ngjela siguron se ish-kryeministri nuk ka më shumë se 1 mijë qytetarët që e mbështesin. Sipas tij, ka ikur koha kur njerëzit qanin dhe vriteshin për Berishën. “Saliu tani, i gjithi i rënë në qerthullin e gënjeshtrës së tij, flet e stërflet për Lulzim Bashën. Dhe të fantaksurit e tij e brohorasin. Si nuk po duan ta mendojnë këtë të vërtetë?Në fakt, duhet ta theksojmë se kjo është tani një histori e vjetër e tyre: ata i adhurojnë gënjeshtrat primitive të Saliut; çjerrjen e zërit të një njeriu anormal, dhe frazat e tij në mohim të plotë të së vërtetës dhe të interesit kombëtar. Sepse, këta të fantaksur e dinë gjithashtu që, pasi Basha humbi dy zgjedhje radhazi; Saliu nuk tha asnjë fjalë kundër tij. Pse? Sepse e kishte vënë Bashën me dorën e tij për ta pasur si kukull. Kuptohet se sërish, për të fantaksurit rrotull Saliut, që në fakt, nuk janë më shumë se 1000 persona, ishte po ajo arsye pranimi – ky është kukulla e Saliut”, nënvizoi Ngjela.
Avokati: Ish-kryeministri është i çmendur dhe korruptuar
Avokat Spartak Ngjela shkroi dje në rrjetet sociale se ish-kryeministri Sali Berisha është i çmendur dhe i korruptuar. “Ja kjo, fakti që është i akuzuar nga SHBA, ia shton edhe më çthurjen mendore Saliut. Një gjendje e tillë e cila ka disa muaj që po e sorollat atë në jem nëpër Shqipëri, duke folur a thua se ka vendosur një pllakë gramafoni në grykë. E shihni që Saliu çdo ditë po flet me të njëjtat fjalë boshe e gënjeshtrash prej fëmije, dhe, në jem siç është, nuk don ta kuptojë që vetë ai është duke folur mbi kalin e të mundurit? Kjo sepse, në SHBA, Sali Berisha po gjendet nën akuzën e korrupsionit dhe të krimeve të tjera më të rënda”, shkruan Ngjela.
Ngjela: Berisha dhe përkrahësit e tij, tufë qesharake dhe mjerane
“Nuk është qesharake vetëm sorollatja e përditshmes me falsitet ideor e Saliut, por qesharake është edhe përkrahja e fanatikëve të tij: mos vallë këta fanatikë e dinë që ai është kryetari i fesë së tyre? Në fakt, kudo, kjo është psikologjia e fetarëve për kryetarin e fesë së tyre, por ajo që ne duhet të dimë në rastin aktual Sali, është kjo: Pse ndodh kjo rëndom në Shqipëri, sepse nuk është Saliu i pari që po e bën dhe nuk është ky i pari që shihet nga shqiptarët si kryetar i fesë së tyre, edhe pse në fakt ka qenë apo është vetëm kryetar i shtetit të tyre? Saliu vërtet që nuk është i pari, por në këtë nivel të ligësisë, atë nuk e arrin dot asnjë tjetër nga e gjithë historia e Shqipërisë”, nënvizoi dje avokat Spartak Ngjela./Rigels Seliman/