E premte, 6 Dhjetor, 2024

Nga vjetërsia e mjetit, tek numri i aksidenteve, Kaçi: Sigurimi i detyrueshëm diferencohet bazuar në 7 faktorë risku

Share

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka miratuar rregulloren e re për llogaritjen e primit të sigurimit, ku çmimet që drejtuesit e mjeteve do të paguajnë për sigurimin e detyrueshëm do të diferencohen, bazuar në 7 faktorë risku.

Mimoza Kaçi drejtuese e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, prezantoi dje në Komisionin e Ekonomisë rregulloren e re, duke detajuar 7 faktorët e rrezikut, që do të ndikojnë në primin e sigurimeve.

Së pari, historiku i dëmeve, ku është punuar për databazën e dëmeve në Autoritet. Ky regjistër furnizohet nga shoqëritë e sigurimeve dhe mbahet nga Autoriteti. Po punohet që edhe shoqëritë të kenë akses në këtë informacion për dëmet e një drejtuesi; Së dyti, fuqia motorike, sa më i lartë kubikazhi i mjeteve, aq më i lartë dëmi që shkakton, dhe aq më i lartë primi i sigurimit; Së treti, mosha 18-21 vjeç është mosha më e penalizuar në policën e sigurimit të automjetit; Së katërti, eksperienca në drejtimin e mjetit; Së pesti, përdorimi i mjetit, nëse është subjekt apo kompani, pasi kur është mjet biznesi përdoret nga disa drejtues; Së gjashti, Qarku i regjistrimit të mjetit, që ka të bëjë me incidentet e aksidentet sipas qarqeve; Së shtati, vjetërsia e mjetit.

Rregullorja e re do të hyjë në fuqi nga 1 janari 2025, dhe sipas drejtueses së AMF-së, sigurimi i diferencuar do të ndikojë në ndërgjegjësimin e drejtuesve.

“Hyn në fuqi më 1 janar 2025, deri në fund të këtij viti ne do të bëjmë gati procesin. Kjo periudhë do të shërbejë edhe për ndërgjegjësimin e qytetarëve, për të mirat që ata kanë me këtë sistem të rëndësishëm të sigurimit të mjeteve. Do të sjellë më shumë drejtim të kujdesshëm për drejtuesit e mjeteve. Çdo dëm i shkaktuar, do t’i ndikojë në çmimin e policës në vijim. Përllogaritja e primit nga kompanitë e sigurimit do të jetë publike”, tha Kaçi.

Në punimet e Komisionit të Ekonomisë nuk ishin të pranishëm deputetët e opozitës, të cilët vijojnë bojkotin, që pas arrestimit të ish-deputetit Ervin Salianji.

Te tjera

Lajme te tjera