Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi publikoi planet dhe projektet që qeveria shqiptare ka planifikuar për të realizuar në vitin 2023 në kuadër të mbrojtjes ushtarake dhe strategjike. Në një konferencë për mediat, Peleshi zbuloi se do të shtohen sërish pagat për ushtarakët aktiv në vend, të cilëve do t’u shtohet dhe karta e ushtarakut sipas standarteve të NATO-s. Në planin strategjik, ai bëri me dije se do të ndërtohet kampusi i Forcave të Armatosura, puna e të cilit nis këtë vit, së bashku me bazën taktike në Kuçovë në varësi të NATO-s. Një tjetër aspekt i rëndësishëm është dhe forcimi i sigurisë kibernetike. Ministri Peleshi paralajmëroi se do të ngrihet Qendra Operacionale e Fushës Kibernetike, e cila do të plotësohet me specialistë të teknologjisë së informacionit, që do të paguhen më mirë se në sektorin privat. Për sa i përket emergjencave civile, do të shpenzohen 30 milionë euro kredi të marrë nga Italia për pajisje. Po ashtu, në fushën e mbrojtjes së armatosur, do të merren raketa anti-tank dhe kundërajrore.
Rritje pagash me 7% dhe kartë ushtaraku për pjesëtarët dhe ish-pjesëtarët e FA
Në aspektin financiar, ministri Peleshi premtoi se do të rriten me 7% pagat për ushtarakët në veprim, ç’ka në total do të jetë rritje me 40% në krahasim me vitin 2022. Një tjetër përfitim i madh për ushtarakët dhe ish-ushtarakët shqiptarë do të jetë dhe pajisja me “karta ushtarake”, e cila do t’u sigurojë përfitime sociale dhe të tjera. “Këtë vit do të vazhdojmë me rritjen e pagës, do të rriten pagat me 7% të personelit ushtarak, pra edhe 7% mbi 30%. Nëse krahasojmë 2023 me 2022, diferenca do të jetë 40%. Në 2023 personeli ushtarak do të marr një pagë 40% më të lartë se në 2022. Shpresojmë t’i pajisim edhe ne me një kartë të standardit të NATO-s, ushtarakët dhe ish-ushtarakët, kartë e cila ka nga mbrapa përfitime sociale apo përfitime të tjera. Nëse tregon kartën në supermarket, shitësja e supermarketit ngrihet në këmbë dhe i thotë ‘faleminderit për shërbimin’”, deklaroi fillimisht ministri i Mbrojtjes.
Kampusi i ri për FA dhe bazë taktike e NATO-s në Kuçovë
Lidhur me ndërtimin e kampusit të FA, Peleshi njoftoi se do të ndërtohet pranë “Bunk’Art 1”, në zonën e Linzës. Ai tregoi se sipërfaqja e këtij kampusi do të jetë 4 ha. Financimi i tij nuk do të kryhet me një fond të vetëm, por me faza hap pas hapi. Këtë vit do të ndërtohen 2 godinat e para e këtij kampusi. Nga ana tjetër, ministri i Mbrojtjes theksoi se do të ndërtohet një bazë taktike po në Kuçovë. “Fillon puna në ditët e para të këtij viti për kampusin e ri të FA. Jo larg prej këtu, pranë ‘Bunk’Art 1’, rreth 40 mijë m2 (4 hektarë). Kemi hartuar planin. Dy godinat e para fillojnë ditët e para të këtij viti. Ka mbaruar rikonstruktimi i hotelit aty pranë. Dua ta shtrimë realizmin në disa vite. Nuk duam të alokojmë shumë burime menjëherë, do alokojmë vazhdimisht buxhet derisa ti kemi të gjithë infrastrukturën për një kampus të ri. Ndërtimin e bazës taktike të NATO-s në Kuçovë, e para bazë ajrore e NATO-s. Jo pa qëllim është zgjedhur Shqipëria, ka një pozicion strategjik në Ballkan”, vazhdoi më tej ministri socialist.
Siguria kibernetike, qendër e re dhe shtim të specialistëve IT me paga të larta
Siguria kibernetike është shqetësimi kryesor për rendin në shtetin shqiptar. Ministri Peleshi tha se do të ndërtohet Qendra Operacionale e Fushës Kibernetike, ku në të do të vendoset Njësia Ushtarake e Sigurisë Kibernetike, në varësi direkte të Ministrisë së Mbrojtjes. Ai shtoi se kjo njësi do të plotësohet në 100% të kapacitetit të saj të burimeve njerëzore, me paga mjaft të kënaqshme. “Viti 2023 do jetë viti kur Njësia Ushtarake e Mbrojtjes Kibernetike do ketë plotësuar 100% burimet njerëzore. Kemi rritur pagat, po rekrutojmë ekspertë. Kemi vendosur që do jemi institucionet e shtetit, pozicionet në shtet në Ministrinë e Mbrojtjes, do kenë paga më të mira se private. Deri më tani i kemi rritur ndjeshëm. Do ndërtojmë Qendrën Operacionale të Fushës Kibernetike”, u ndal ministri te siguria kibernetike.
Emergjencat, 30 mln euro kredi nga Italia për 2 avionë dhe pajisje të tjera
Çështja e zjarreve dhe përmbytjeve është një problem shqetësues për shqiptarët. Në këtë aspekt, shteti shqiptar do të marrë kredi 30 milionë euro nga pala italiane, me qëllim investimin në pajisje të nevojshme për forcat zjarrfikëse dhe Shtabin e Emergjencave Civile. Ministri zbuloi se ky institucion do të plotësohet me 2 avionë, që priten të merren nga Kroacia ose Mali i Zi. “Një kredi 30 mln euro do të merret nga Italia për zjarrfikësit dhe për mjete të tjera. Parashikojmë që të shtojmë flotën e mjeteve ajrore, me dy avionë. Janë disa mjete modeste në kosto dhe të përshtatshme. E për më tepër, çështja e mirëmbajtjes është ajo që na shkakton probleme ndaj po zgjedhim disa marka me vende si Kroacia apo Mali i Zi dhe të kalojmë te ajo që quhet, zgjidhje inteligjente”, foli për investimin për Emergjencat Civile.
Shqipëria do marrë raketa anti-tank dhe kundërajrore
Në forcimin e fuqisë ushtarake të FA, shteti shqiptar do të marrë raketa anti-tank “Javelin” dhe raketa kundërajrore “Stinger”. Vetë Peleshi e zbuloi një lajm të tillë në konferencën e djeshme për mediat. “FA do të ketë pjesë të saj sistemin raketor antitank ‘Javelin’ dhe atë kundërajror ‘Stinger’”, përfundoi fjalën e tij ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.
Nga rritja e rrogave me 7 % dhe pajisja me kartë përfitimesh sociale në supermarkete për ushtarakët, te blerja e raketave anti-tank, zbardhen disa nga prioritetet e Ministrisë së Mbrojtjes për vitin 2023
Share
Te tjera
