Nga Rigels Seliman
Teksa po lundroja në internet, krejt rastësisht u pengova te një shkrim i Luan Ramës, ish-politikan dhe ish-ministër, i cili kishte shpërthyer në fyerje dhe kërkesa absurde për shkarkimin e Presidentit Bajram Begaj. Në shkrimin e tij, Luan Rama e qortonte ashpër Presidentin Bajram Begaj sepse kishte shkuar në Mekë, duke e cilësuar këtë vizitë si një “provokim të rëndë kushtetues”. Ai shkoi deri aty sa deklaroi se ky akt cenon hapur laicitetin e shtetit dhe i kërkoi Parlamentit nisjen e menjëhershme të procedurave për shkarkimin e tij. O Luan, Presidenti i Republikës nuk ka shkuar në Mekë në emër të Republikës dhe as ka shkelur ndonjë germë të Kushtetutës me praninë e tij atje! Besimi fetar në Republikën e Shqipërisë është plotësisht i lirë dhe i garantuar nga Kushtetuta e vendit për çdo qytetar pa përjashtim.
Presidenti Begaj ka zgjedhur me bindje të plotë Fenë Islame, ndaj si çdo besimtari tjetër shqiptar, Allahu ia pranoftë Haxhin dhe Kurbanin! Kushtetuta e Republikës nuk thotë asgjëkundi dhe në asnjë nen të saj që Presidenti i Republikës duhet të jetë i pafe apo ateist. Presidenti, si çdo qytetar i lirë i këtij vendi, është absolutisht i lirë të ushtrojë detyrimet e tij fetare sipas besimit që i përket. Në këtë udhëtim shpirtëror, ai ka detyrimin që për angazhimet e tij fetare të përballojë vetë shpenzimet e udhëtimit, qëndrimit dhe hotelerisë, pa prekur asnjë qindarkë të taksapaguesve. Ai nuk ka përdorur fondet e buxhetit të shtetit për këtë vizitë private, duke treguar integritet të plotë moral.
Nga ana tjetër, shteti ka detyrimin ligjor të garantojë sigurinë dhe protokollin e Presidentit 24 orë në ditë, kudo që ai ndodhet në botë. Është një turp i madh dhe varfëri e skajshme mendore që individë të caktuar përpiqen të përziejnë gjithmonë fenë në debate të flliqura publike dhe politike. Shteti mund të jetë laik si strukturë, por njeriu si qenie ekzistenciale është dhe mund të jetë besimtar! Laiciteti i shtetit nuk mund t’i imponohet kurrë me dhunë ndërgjegjes së individit. Nëse do të pranonim këtë absurditet që predikon ti, atëherë i bije të thonim se laiciteti është feja e re e detyrueshme e çdo shtetari.
Sidoqoftë, ti o Luan në fakt nuk ke faj, sepse nga këto qëndrime tuaja radikale ne kuptojmë shumë për mentalitetin që ju udhëheq. Përmes këtij reagimi të egër kuptojmë se komunizmi dhe persekutimi i fesë nuk paskan qenë thjesht një legjendë e së shkuarës. Ai mbetet një “bar i keq” që i ka rrënjët ende shumë thellë në tokën tonë dhe shfaqet sa herë dikush lutet në një xhami apo kishë. Zoti President Begaj vajti në Vatikan dhe u takua zyrtarisht edhe me Papën, po pse nuk kërkove shkarkimin e tij atëherë, o Luan? Po kur politikanët e tjerë shkojnë në Vatikan apo përkulen tek Muri i Lotëve në Jeruzalem, ku fshihet parimi yt i madh mbi laicitetin shtetëror?
A duhet të shkarkoheshin nga detyrat Sali Berisha, Edi Rama, apo Ilir Meta të cilin ti për vite me radhë e ke pasur shef politik? Po nese Rama, Meta dhe Berisha do të shkonin nesër në një ritual fetar në Haxhi të Arabisë Saudite, a do të reagoje kështu o Luan, apo do të heshtje? Me siguri do të gjeje justifikime, sepse ty nuk të dhimbset Kushtetuta, por të pengon besimi islam i kreut të shtetit. Shqipëria është dhe do të mbetet një vend i lirë, ku asnjë ish-ministër nuk mund të përcaktojë se ku duhet të falet Presidenti i vendit.
