Menaxhimi i institucioneve shqiptare është në pikën më të ulët të degradimit. Kontrolli i Lartë i Shtetit konstatoi se përgjatë vitit 2022 “fatura” e rëndë e krijuar nga vendimmarrjet e zyrtarëve dhe drejtuesve të institucioneve publike e shtetërore ka kapur shifrën e rreth 90 miliardë lekëve (90.022.593.000 lekë ose 818 milionë eurove). Kjo faturë është llogaritur në dy drejtime: efekti negativ 804 milionë euro (88.5 miliardë lekë) dhe dëmi ekonomik 13.7 milionë euro (1.5 miliardë lekë). Në këto dy drejtime, janë marrë shifrat negative në aspektin e shpenzimeve dhe të ardhurave për secilën prej tyre. Sektorët më problematikë rezultojnë shpenzimet për investimet dhe shitblerja/dhënia me qira e pasurive shtetërore, shpenzimet për investime, etj. (në kategorinë dëmi ekonomik). Te efekti negativ rezultojnë shkeljet e disiplinës buxhetore dhe shitblerja/dhënia me qira e pasurive shtetërore si kategoritë më difektoze. Këto raportime janë injoruar totalisht nga drejtuesit e shtetit dhe vetë kryeministri Edi Rama.
Në cilat institucione ka kryer auditime KLSH-ja?
Raporti total i periudhës janar-dhjetor 2022 është realizuar bazuar në përmbledhjen e të gjitha auditimeve të kryera në institucione të qeverisjes qendrore (ministri, drejtori qendrore dhe rajonale në varësi të tyre), njësi të vetëqeverisjes vendore (qarqe dhe bashki), institucione që administrojnë fonde speciale (ISSH dhe FSDKSH) institucione të pavarura; shoqëri aksionare me kapital shtetëror në të cilën shteti ka mbi 50% të aksioneve, apo projekte me financim të huaj.
Çfarë janë “dëmi ekonomik” dhe “efekti negativ”?
Dëmi ekonomik i referohet detyrimit të shpërblimit monetar të një individi ose subjekti që i shkaktohet entit shtetëror të audituar në lidhje me veprime ose mosveprime në cenim të disiplinës financiare dhe kuadrit rregullator përkatës.Kurse efekti negativ në performancën e subjekteve nën auditim u referohet efekteve negative të konstatuara në administrimin e fondeve publike dhe menaxhimit me ekonomicitet, eficencë dhe efektivitet të fondeve publike
Si kategorizohet 13.7 milionë euro dëmi ekonomik?
Sipas KLSH, dëmi ekonomik shkaktuar për vitit 2022 është 13.7 milionë euro (saktësisht 1.508.739.000 lekë, afërsisht 1.508 miliard lekë). Në fushën e të ardhurave ajo llogaritet në 782.657.000 ose afërsisht 782.6 milionë lekë dhe të shpenzimeve në 726.082.000 lekë ose 726 milionë lekë. Konkretisht, dëmet renditen (të ardhura): 77.657.000 lekë në fushën e zbatimit të legjislacionit tatimor, 281.072.000 lekë të tjerë dhe 423.928.000 lekë në fushën e shitjes, blerjes dhe dhënies me qira të pasuritë shtetërore. Në fushën e shpenzimeve: 4.592.000 lekë në shkelje në disiplinën buxhetore, 25.965.000 lekë në sigurime, shpërblime, 31.429.000 lekë në shpenzime operative dhe 664.096.000 lekë në shpenzime për investime.
Si kategorizohet 804 milionë euro efekti negativ?
Efekti negativ i shkaktuar në vitin 2022 llogaritet në afro 804 milionë euro (ose 88.513.854.000 lekë ose afërsisht 88.5 miliardë lekë. Ato ndahen në 31.071.877.000 lekë në të ardhurat dhe 57.441.977.000 lekë shpenzime. Sipas rendit rritës të sektorëve, dëmi negativ në të ardhura llogaritet reciprocikisht: 600.383.000 lekë (të tjera), 2.165.390.000 lekë në administrimin urban, 10.432.797.000 lekë në fushën e zbatimit të legjislacionit tatimor në qeverisjen lokale dhe 17.873.307.000 lekë në fushën e shitblerjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore. Në fushën e shpenzimeve: 357.849.000 lekë në paga, sigurime dhe shpërblime, 3.118.557.000 lekë në shpenzime operative, 12.070.705.000 lekë në shpenzime për investime dhe 41.894.866.000 lekë në shkelje të disiplinës buxhetore.
Masat e marra nga KLSH për auditimet e 2022
Për këto konstatime, KLSH ka adresuar gjithsej 5420 rekomandime, nga të cilat: 52 propozime për përmirësime ligjore, 3283 masa organizative, 1047 masa disiplinore dhe administrative, 352 masa për shpërblim dëmi dhe 686 masa për efekte negative në buxhet.
Nga pasuritë shtetërore dhe disiplina buxhetore te investimet, pagat, sigurimet e shpërblimet, institucionet i shkaktojnë 818 milionë euro dëm ekonomik buxhetit të shtetit, zbardhet raporti i KLSH
Share
Te tjera
