Kryetarja e Komisionit të Jashtëm, njëherësh zëvendëspresidente e Asamblesë parlamentare të NATO-s dhe deputete e Partisë Socialiste, Mimi Kodheli ka komentuar aktualitetin në vend. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zonja Kodheli flet për mundësitë e Shqipërisë për të rinisur prodhimin e armëve, ndërsa tregon çfarë përfitimesh mund të ketë ekonomia nga industria ushtarake. Po ashtu, deputetja Kodheli analizon raportet me fqinjët e Shqipërisë (Kosovë dhe Greqi).
-Zonja Kodheli, si kryetarja e grupit socialist në Asamblenë e Përgjithshme të NATO-s, cilat janë prioritetet tona për një forcim të Aleancës, çfarë mund të jetë e prekshme për t’u bërë herët dhe për të qenë e realizueshme?
Ne jetojmë ditë të vështira, kur flitet për sigurinë dhe mbrojtjen, edhe ti e ndjen sidomos aty, diskutimi i kryetarit Stoltenberg, ishte një diskutim që nuk kaloi as pa u vënë re dhe as pa u komentuar e as pa u diskutuar. Ka patur disa qëndrime, të ndryshme brenda vendeve anëtare të Aleancës lidhur me qëndrimet e sekretarit Stoltenberg dhe në përgjithësi me vendimmarrjen e shteteve të veçanta. Ajo që dua të them është që asnjë gjë nuk mund të bëhet pa aleatët tanë strategjik të SHBA-ve. Edhe në procesin e ndryshimit të statusit të Kuvendit të Kosovës, ishte SHBA që dha mbështetjen më të madhe por duhet të themi që Europa është shumë komplekse, ka interesa dhe qasje të veçanta lidhur me pushtimin rus të Ukrainës, vende kufitare me Rusinë apo kufitare me Ukrainën, kanë disa qasje relativisht të ndryshme nga vendet që i përkasin pjesës jugore të Aleancës (Spanjë, Francë, Itali, Greqi, Turqi) dhe nga ana tjetër e gjitha kjo duhet të jetë një kombinim midis tryezës dhe punës së diplomacisë dhe suportit të Ukrainës lidhur me atë ç’ka ndodh atje.
-Është folur për mundësinë që Shqipëria të rinisë prodhimin e armëve. Jemi në fazën e idesë që u shpreh kryeministri Rama në Samitin që u zhvillua Ukrainë-Ballkani Perëndimor apo kemi kaluar në një fazë tjetër?
Unë kur kam qenë ministre, kam dashur të rivitalizohen disa struktura, të cilat kanë një pozicion gjeografik të spikatur sa i përket sigurisë dhe nga ana tjetër, kishim dhe një problem tjetër se gjatë periudhës së diktaturës disa qyteza ekzistonin sepse industria ushtarake ekzistonte pranë tyre. Mbyllur industria ushtarake, qytezat kishin mbetur thuajse pa punë. Në ato qyteza kanë punuar jo vetëm ato njerëz që kanë ditur të bëjnë diçka modeste por e kanë patur cilësinë e punës mirë, por kanë punuar inxhinierë, njerëz që kanë ditur të bëjnë gjëra dhe kjo dije, e cila u hodh matanë apo nuk u shfrytëzua më, duhet të rikthehet në vëmendjen e gjithsekujt, i cili ka menduar dhe ka besuar që industria ushtarak është një industri që i jep ekonomisë, për fat të keq në vend se ne duhet të botojmë më shumë libra sesa të prodhojmë armë, por duhet t’i përgjigjemi botës me monedhën, në të cilën kërkon të paguajë. Ideja e rivitalizimit të disa industrive ushtarake është një ide, e cila është sjellë në diskursin tonë politik dhe jo vetëm. Qeveria dhe kryeministri e kanë shprehur më shumë sesa një herë dhe besoj që do të jetë një mundësi më tepër që Shqipëria jo vetëm të blejë, por edhe të prodhojë armatime e municion. E ka patur këtë dije më parë dhe nga ana tjetër të mund të hapi vende të reja pune. E rrithem për fat të keq duhet të prodhojmë më shumë libra, por jetojmë në një kohë ku botës duhet t’i përgjigjemi në mënyrën që duhet, ndaj dhe besoj se është diçka në proces, ka projekte dhe interes të madh. Ka patur dhe më përpara interes. Investimet serioze janë më shumë sesa të mirëpritura qoftë dhe në fushën e armatimit e municioneve.
-Shqipëria ka pësuar goditje të rëndë nga hakerat iranianë dhe vijon të përballojë sulme. Çfarë ndihme konkrete ofron Aleanca në lidhje me këtë gjë?
Aleanca nuk është BE, në Aleancë ti merr, por dhe duhet të japësh shumë, si një ‘bordering sharing’, është një ndarje e ngarkesës që gjithsecili duhet të mbajë. Vende të veçanta, mund të asistojnë më shumë siç janë SHBA, të cilat duan dhe mund e do të asistojnë në mënyrë që mbrojta kibernetike të jetë në nivelin që duhet. Mos harroni që struktura me një mbrojtje si FBI-ja kanë patur sulme dhe më të rënda se kaq. Ajo është një shkencë që përparon nga të gjitha anët, nga të gjitha drejtimet dhe sado të investosh, përsëri je nën një front të hapur sulmesh. Ne kemi diskutuar shumë dhe për rrjetet sociale dhe mbrojtjen që duhet t’i vij shoqërisë nga lajmet fake. Nëse ka një gjë në të cilën ka patur mjeshtërisht sulme dhe probleme lidhur me rrjetet sociale, këtë gjë ka ditur ta bëj Rusia. Rusia ka ndërhyrë në rezultatin e zgjedhjeve të SHBA-ve. Pra po flasim për një ‘përbindësh’ në këtë fushë. Kështu që ne duhet të rifillojmë të mësojmë sesi duhet të dallojmë lajmin fake nga ai i vërtetë. Duhet të rifillojmë të mësojmë që në edukatën tonë të punës, pavarësisht se mund të kemi më shumë share dhe më shumë like, të mos shkojmë drejt abuzimit me lajmin, por të shkojmë drejtë së vërtetës. Është një luftë e përhershme, është një luftë qëkur njeriu ka lindur me të vërtetën, nuk është se po e bëjmë ne sot apo po e gjejmë ne sot si të tillë. Problemi është që ne duhet t’i mësojmë brezit të ri që lufta me të vërtetën, për të vërtetën do të jetë e do t’i shoqërojë ata për gjithë jetën. Problemi është që ne të bëjmë diçka, ne të mos e shikojmë këtë si një gjë që aaa po jo, po jo, shoqëria është e organizuar kështu e ne nuk kemi çfarë të bëjmë, sepse pastaj i bie që ne të kemi dështuar. Në nuk kemi dështuar, pasi shoqërinë e kemi të shëndetshme, ne duhet thjesht dhe vetëm ta ndihmojmë. Duhet të gjej rrugën e drejtë, drejtë të vërtetës, të gjej lajmin e drejtë, të gjej atë çka është më afër realitetit, duke kuptuar që armiqtë tanë, të gjithë llojet e armiqve na çojnë në një rrugë të gabuar. Kështu që investimi në këtë fushë, është një investim serioz, ku të gjithë ju mediat më të parat pasi jeni protagonistët kryesor, por sigurisht çdo kush prej nesh që ka një telefon duhet të kuptojë se jo çdo gjë që hapet dhe na shfaqet është e vërtetë. Kjo është një luftë e përditshme për cilësinë e të vërtetës që ofrohet tek të gjithë.
-Si kryetare e Komisionit për Politikën e Jashtme në Parlament këto ditë janë kryer dëgjesa për emërime të reja në poste diplomatike, emra të rinj por edhe të shërbimit diplomatik. Çfarë problematikash ka apo shënjon ministria e Jashtme, që ta zejmë kemi ambasador në vende të rëndësishme për më shumë se një dekadë, siç është p.sh rasti i Francës, por jo vetëm Franca. Ndërkohë që ligji e përcakton mandatin tre apo maksimumi katër vite. Ka mungesë fuqie punëtore edhe te diplomacia?
E thatë drejtë, ka mungesë fuqie punëtore gjithandej. Problemi është se disa punëtor krahu mund t’i zëvendësojmë me disa njerëz nga Bangladeshi, ambasadorët nuk e bën dot, pasi minimalisht duhet të njohësh gjuhën shqipe dhe të kesh pasaportën shqiptare që nga dita që kanë lindur. Shërbimi diplomatik unë nuk jam këtu për të gjykuar, e nuk do të guxoja ta bëja këtë por ka qenë një target ose një strehëz komode për shumë persona të cilët në një mënyrë ose në një tjetër, kanë depërtuar në shërbimin diplomatik vetëm se kanë qenë fëmijët, e zonja, djemtë e dikujt apo njohjet politike të dikujt. Ka një ligj, i cili në dijeninë dhe në informimin tim, do të vij me disa mendime nga ministri Hasani pak më vonë, ku sigurisht ky është një ligj që do ta përmisojë këtë dukuri, por di t’ju them që unë kam udhëtuar shpesh për shkak të detyrave që kam patur dhe pavarësisht nëse kanë dy apo tetë vite ambasador, e rëndësishme është që personat që janë në këto pozicione, që përfaqësojnë shtetin shqiptar, ta përfaqësojnë atë me dinjitet dhe në fakt rrallë më ka ndodhur që këtë gjë nuk e kam cekur më parë te ambasadorët shqiptar. Pozicioni i ambasadorit është një pozicion shumë i lartë dhe besoj se të gjithë ministrat me radhë që kanë caktuar ambasador e kanë menduar mirë këtë gjë. Kështu që, kjo gjë sigurisht që më ngazëllen dhe më mbush me krenari sepse në fund të ditës, puna që bëjnë ambasadorët në vendet respektive, jo vetëm që është një punë që nuk duhet por është e dukshme për një që është në pozicionin tim, shkon takon, pyet. Ndaj përgjithësisht kam dëgjuar fjalë superlativa për këdo që na nderon. Shpesh herë ambasadorët vijnë edhe nga fusha të rëndësishme të artit, të kulturës, të politikës, të gazetarisë. Ndodh kështu edhe në botë, edhe ligji e përcakton një gjë të tillë. Jo domosdoshmërisht duhet të ketë mirëfilli karrierë diplomatike, përkundrazi në vendet e mëdha e ato të rëndësishme, ambasadorët në vendet kyçe nuk janë ambasadorë që vijnë nga karrierë e zakonshme diplomatike. Përgjithësisht janë nominime politike, po flas për në vende kryesore. Nuk flas për vende të vogla si vendi ynë por po flas për vende ku pesha e ambasadorit është shumë e madhe, kështu që gjërat janë në përmisim. E ftoj rininë shqiptare të jetë pjesë e konkurseve, pjesë e kurseve diplomatike në mënyrë që sa më mirë dhe denjësisht ta përfaqësojmë vendin, aq më mirë është për të gjithë ne.
-Si po ecën bashkëpunimi që ka Shqipëria me Kosovën, për nga ana e koordinimit apo plotësimit reciprok në vendet e ndryshme?
Personalisht kam një marrëdhënie shumë komode me delegacionin e Kosovës në Asamblenë Parlamentarë të NATO-s pasi në përgjithësi ata e kanë vështrimin te ne pasi kemi një vend vëlla i cili ka zënë kapituj, është anëtarë, flet, komenton, bën propozime për rezoluta. Është shumë dhe personale kjo gjëja, midis nesh është e ndjerë dhe ndihet pak efekti i politikës së madhe sepse atje është shumë konkrete gjëja. Ne jemi në rrugën e duhur të komunikimit dhe të angazhimit tonë. Shqipëria me të vërtetë angazhohet në mënyrë serioze. Por nga ana tjetër, besoj se gjërat kanë nevojë për lobim më të madh, sepse unë shikoj dhe opinionin që vjen nga Serbia, ku kam marrë një letër nga kryetarja e Parlamentit Serb, Bërnabiç. Letra është e trishtë, ata guxojnë. Unë e di që letra nga ana ime nuk do të konsiderohet kurrë sepse atje ka gënjeshtra të mëdha dhe nuk ka asgjë të vërtetë, por e çojmë gjithsesi. Ne shpeshherë tutemi se themi nuk po e dërgojmë pasi e dimë sesi do të pritet por letra mbetet. Latinët thonë, ‘Carta canta e villan dorma’, jo letra rri atje dhe kjo është një gjë që duhet të na bëj ne alert dhe duhet të na bëj të mësojmë nga të tjerët se mikun e mban afër e ndërsa armikun nuk e mban afër. Ne duhet të bëjmë të ditur të gjithëve që kemi të gjithë të drejtën për të patur një Kosovë e cila meriton të jetë anëtare e OKB-së, nesër anëtare e të gjithë organizmave sepse e ka merituar shekuj dhe vite më parë që shqiptarët kudo që ndodhen të kenë mëmëvetësinë e tyre dhe të dinë të vendosin për të ardhmen e tyre ashtu siç ata duan dhe dinë.
-Dihet që çështja Beleri ka bërë të ketë dhe akuj pas marrëdhënieve Shqipëri-Greqi. Çfarë po bën Shqipëria në shkrirjen e këtyre akujve?
Në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, ai që kryeson delegacionin është një zotëri që ka qenë ministër Mbrojtje. Nuk ka qenë i periudhës sime por për shkak të aktivitetit tim dhe të strukturave ku ne bëjmë pjesë, kontaktet janë relativisht intensive. Kemi diskutuar gjatë për këtë gjë. Unë besoj se dhe ata janë të bindur për investimin që bënë me personin e gabuar, i dërgoi ata në rrugën e gabuar të gjësë. Në fakt të dobët tregohen ata që ecin në rrugën pa krye, i dobët nuk është ai që mëson nga gabimet, përkundrazi, është i fortë ai që i pranon gabimet dhe mëson prej tyre dhe e thotë këtë gjë. Meacupla është një institucion, i cili nuk ka lindur sot, ka lindur shekuj më parë, kështu që unë besoj se do të ketë një zgjidhje përtej akujve. Ne e kemi thënë qartësisht që në rrugën tonë europiane nuk do të ketë asgjë që do ta ndal Shqipërinë dhe shqiptarët, kjo është pak por e sigurtë. Pastaj rrugës patjetër që ka pengesa, diku të vogla e diku të mëdha por edhe diplomacia funksionon, edhe shkëmbimi i interesave duhet të funksionojë. Kështu që do të besoja dhe shpresoja në një situatë ku të dyja palët mund të fitojnë nga një ngërç i panevojshëm.
–Hapat duket se janë të sigurtë drejt BE-së, integrimit por problemi është sa kohë do të marr e gjitha kjo?
Greqia investoi në rrugën pa krye. Duke qenë se Athina e nisi këtë rrugë, po shkon drejt kësaj udhe. Unë besoj se do të ketë një zgjidhje. Në rrugën tonë europiane, asgjë nuk e ndal Shqipërinë. Edhe diplomacia funksionon, edhe shkëmbimi i interesave duhet të funksionojë. Do të shpresoja që të dyja palët të fitojnë. Në vitin 2030 hyjmë në BE.
Intervistoi: Rigels Seliman
