Deputeti i njohur i Partisë Socialiste, Petro Koçi ka komentuar zhvillimet e fundit politike. Në një intervistë për gazetën “SOT”, ai ka folur për kaosin që po shkakton “Rithemelimi” në Kuvend dhe komisione. Gjithashtu deputeti socialist ka folur edhe për ndryshimet e reja në qeveri, si edhe mundësitë që kryeministri Edi Rama të shkojë në zgjedhjet e ardhshme më një listë kandidatësh për deputet tërësisht të rinovuar. Madje për zotin Koçi, arsyet e vërteta që “Rithemelimi” po shkakton trazira nuk janë mosplotësimi i kërkesave të tyre, por ata po luftojnë për Sali Berishën. Ai shprehet se në raport me ndërkombëtarët këto janë skena, për të cilat sigurisht që nuk ndihesh krenar.
-Zoti Koçi, pas kaosit në Kuvend, nisur në muajin Tetor, mbledhja e parë për 2024 e Komisionit të Medias ka rikthyer deputetët e të dyja palëve në tryezë, por njëherësh edhe përplasjet. Deputeti i Rithemelimit, Flamur Noka, i cili ndonëse në profesion është mjek, duket se nuk është i dhunshëm fizikisht e verbalisht vetëm me kolegët e tij të Partisë Socialiste. Edhe pse mbledhja drejtohej nga deputetja Partisë Demokratike, Flutura Açka, Flamur Noka i Rithemelimit dhe Gazment Bardhi nuk e kursyen atë, duke ia ndërprerë fjalën, shkulur mikrofonin dhe ndalur punimet e komisionit. Si e patë ju seancën në Komisionin parlamentar të Medias, pasi pati debate të forta?
Unë jam vet kryetar i Komisionit të Medias edhe ajo që ndodhi ishte diçka e turpshme, sepse janë njerëz që dalin jashtë kontrollit qëllimisht. Ishte e papranueshme, me dhunë me shkatërrimin të aparaturave që regjistrohen mbledhjet e komisionit si edhe ndërhyrje fizike ndaj kryetares së komisionit. Mendoj se pamjet mjaftojnë për të kuptuar se sa e papranueshme është kjo sjellje. Deputetët janë pjesë e një institucioni kombëtar dhe duhet të përbëjnë model sjellje për të gjithë shoqërinë. Kjo që bëhet nxit psikologjinë e dhunës.
-A mjaftojnë pamjet që socialistët të binden për t’i dhënë ndonjë komision hetimor opozitës?
Po qe për këto pamje nuk mendoj se duhet dhënë komision hetimor. E vetmja arsye që ne duhet që të konsiderojmë kërkesat e opozitës janë kushtetuta dhe ligji. Përpjekjet e dhunshme sjellin një kundër përgjigje që është negative, kështu që duhet hequr dorë nga këto lloj sjelljesh. Ka disa kërkesa që janë serioze nga opozita. Mirëpo motivi kryesor nuk është mosplotësimi i kërkesës së opozitës, por është situata në të cilën ndodhet Sali Berisha, por dhe për atë s’ja ka fajin Saliu. Janë ata fajtorët e vërtetë dhe është e pakuptueshme që dalin tani deputetët e Partia Demokratike që sillen si xhandar nëpër dyert e Parlamentit. Ne nuk bëjmë asnjë lëshim, ne respektojmë vetëm ligjin dhe i përgjigjemi vetëm ligjit. Ka një ligj që ka ndryshuar për komisionet hetimore dhe të gjitha kërkesat e opozitës duhen parë në atë këndin e këtij ligji. Nuk di të them se ca komisioni përputhet me ligjin, por këtë duhet që ta rishoh edhe propozuesi, pra ti përgjigjen standardeve të ligjit, si edhe standardeve të Gjykatës Kushtuese.
-Ata i plotësuan kërkesat e ligjit kur morën firmat e deputetëve, por ata kishin disa kërkesa dhe thanë se ju mund të zgjidhnit mes tyre?
Ne nuk zgjedhim, ne jemi një forcë politike dhe jemi të detyruar që të respektojmë standardet evropiane. Edhe këto propozime duhet që të vijnë në përputhje me këto standarde si është ligji për komisionet hetimore. Komisionet hetimore janë përdorur që njerëzit të trajtohen si në kohë të komunizmit dhe jo për të trajtuar çështje me një standard ligjor dhe bashkëkohor.
-Në seancë ishin edhe ambasadori britanik dhe ambasador të tjerë, ndjeni ndonjë përgjegjësi për ato skena që ata panë?
Në raport me ndërkombëtarët këto janë skena për të cilat sigurisht që nuk ndihesh krenar. Ka arsye të tjera që shqiptarët duhet të ndihen krenar. Po për ato sjellje edhe pse janë të një pale tjetër, nuk na bëjnë krenar edhe aq më pak në prani të ambasadorëve të huaj që janë akredituar në Tiranë. Ata e dinë mirë kush janë atë që marrin akte të tilla dhe besoj se deklarimet e disa ambasadave të bëra në lidhje me këto ishin shumë kuptimplota.
-Pse duhet të ishte Garda në Kuvend, kur deputetët e opozitës kishin vetëm disa pankarta në duar dhe nuk kishin tymuese dhe as flakadanë?
Nëse pozita do ulej në vendin e vet edhe Garda nuk do rrinte atje. Ata kanë rregullat e veta dhe veprojnë sipas situatës. Në Parlamentet e tjera të marrin prej lecka dhe të nxjerrin jashtë sepse nuk të lë njeri të bësh nga këto lloj veprime që bëjnë këta.
-Të ndalemi pak edhe tek Reforma Zgjedhore, pasi nisi puna për këtë reformë. Pse pranuat që të bashkëpunonit me Enkelejd Alibeajn dhe jo me Oerd Bylykbashin?
Kjo çështje është përcaktuar në një moment tjetër në raport me situatën në Partinë Demokratike. Po, nëse në nesër në Partinë Demokratike ndryshojnë prapë raportet ne do rrimë prapë që të ndryshojmë përbërjen e këtij komisioni. Gara është mes partive politike, jo nga grupet parlamentare. Subjekti që është më racional për t’u përfshirë në një reformë zgjedhore është partia. Është pjesa e zotit Basha që ka vulën dhe siglën e Partisë Demokratike. E mira do ishte që ata të merren vesh me njëri-tjetrin.
-Mund të realizohet vota e emigrantëve, diçka e ka lënë si porosi edhe kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi?
Në këtë lloj sistemi është më e vështirë, më e lehtë do të ishte në një sistem që do të ishte sistem zgjedhor proporcional kombëtar. Nga pikëpamja teknike është diçka që duhet parë me kujdes, niveli i mosbesimit mes aktorëve politik është i madh. Duhen zgjedhje kredibël për çdo aktor politik. Kam parasysh dy partitë kryesore
-Çfarë do të ndodh me hersin që e ka rrëzuar Gjykata Kushtetuese pas zgjedhjeve të fundit të përgjithshme që u mbajtën në vitin 2021, pasi kërkohet edhe një vendim edhe për këtë çështje?
Nuk ka ndonjë përcaktim Partia Socialiste për këtë. Listat e hapura do ishin një lloj zgjedhje për partitë e mëdha, ndërsa listat e hapura për çdo subjekt politik do ta kthente sistemin defakto në një mazhoritar të çuditshëm. Janë rreth 70 subjekte herë 140 do dal një numër i madh kandidatë ku secili do të kishte iluzion se do zgjidhej.
-Ndryshimet që janë bërë në qeveri, janë betuar pak ditë më parë edhe dy ministra të rinj Blendi Gonxhe dhe Adea Pirdeni, si i shihni këto zhvillime ?
E para unë dua që të shpreh vlerësime për Margaritin që la detyrën dhe nga njohja që kam me dy të tjerët me Blendi Gonxhen dhe me Adea Pirdenin mund të them se janë investime pozitive. Nuk shoh se do vihet kultura në shërbim të ekonomisë, por ekonomia në shërbim të kulturës. Duhet që të dominojë buxheti i shtetit. E shoh pozitivisht këtë bashkim. Pastaj sa i përket një ministri shteti për antikorrupsionin është një zgjedhje e mirë dhe zonja e zgjedhur është zonja e duhur, pasi e kam parë në disa ballafaqime në komisione parlamentare dhe është me integritet.
-Duke parë emrat që ka afruar së fundmi në qeveri, mundet kryeministri Edi Rama që është edhe kryetar i Partisë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme të shkoj më një listë kandidatësh për deputet tërësisht të rinovuar?
Unë them se duhet një përzgjedhje e peshuar mirë, sepse ndodh që hyjnë edhe element që se përballojnë dot staturën e parlamentarit. Gjykoj që këto përvoja deri tani kanë vlejtur për të nxjerr mësime. Përfaqësimi ynë me kandidatë për deputet në zgjedhjet e ardhme do të jetë edhe më i mirë.
Intervistoi: Rigels Seliman