E martë, 10 Nëntor, 2026

Nga indeksimi dhe reformimi i skemës së pensioneve, te rritja e pagave, sigurimi i detyrueshëm i banesave dhe rishikim çmimeve të referencës në bregdet, ministri Mete tregon disa nga prioritet e Ministrisë së Financave

Share

Viti 2023 do të mbahet mend për fluksin e turistëve gjithëvjetor, të cilët sollën të ardhura në rreth 3.2 miliardë euro në Buxhetin e Shtetit. Për herë të pas 7 vitesh Standard and Poor’s rishikoi në rritje perspektivën e Shqipërisë nga e qëndrueshme në positive, ndërsa FMN e BB e vlerësoi ekonominë  shqiptare si një nga ekonomitë më rezistente në rajon. Ministri i Financave dhe Ekonomisë Ervin Mete doli dje në një konferencë për median, teka bëri një bilanc për vitin 2023 dhe pritshmëritë e vitit 2024. Ministri Mete reforma e nisur e rritjes së pagave në sektorin publik do të vijojë ndjeshëm edhe gjatë 2024. “Në muajt e parë të vitit do të finalizohen vendimet që specifikojnë rritjen për të gjitha kategoritë. Në mesin e vitit 2024 do të ketë një rritje të konsiderueshme të pagave, me synimin që brenda këtij viti të arrijmë pagën mesatare prej 900 euro në sektorin publik”, deklaroi ai. Ndërkohë nga data 1 janar, ka nisur zbatimin ligji i ri “Për tatimin mbi të ardhurat”. Sipas ministrit Mete, në të gjitha zonat do të aplikohet çmimi i referencës në shitje, ndërsa parashikohet rishiki i çmimeve të referencës edhe në zonat bregdetare. “Në kuadër të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat” është hartuar edhe udhëzimi i ri, lidhur me taksimin e kalimit të pronësisë, ku kemi gjetur me vend të vendosim një rregull të ri. Në të gjitha zonat do të aplikohet çmimi i referencës në shitje, në raport me moshën e ndërtesës, ku për çdo vit vjetërsi, çmimi do të ulet me 1%. Gjatë këtij viti, do të ketë një rishikim të çmimeve të referencës edhe në zonat bregdetare”, u shpreh ai. Po ashtu, duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve, Mete tregoi se çmimet e referencës për zonat bregdetare do të rriten vetëm për vijën e parë të tyre për shkak se është rritur shumë vlera. Kjo shkon në linjë edhe me paralajmërimin e Ramës. Ndërkohë në Tiranë do të merret parasysh mosha e ndërtesës. “Qasja do të jetë zonale. Nuk do të jetë i gjithë qarku apo qyteti me të njëjtën vlerë, por atje ku edhe sipas të dhënave të ASHK-së çmimet sidomos në vijën e parë bregdetare janë rritur ndjeshëm do të aplikohet çmim reference më i lartë. Kur të aplikohet ky çmim reference edhe sot edhe në Tiranë do të merret parasysh mosha e ndërtesës. Për një ndërtesë me moshë më të vjetër, për çdo vit vjetërsie do të zbritet çmimi i referencës me 1% në mënyrë që ato që janë godina më të vjetra të mund të reflektojë çmimi i referencës sa më afër realitetit dhe të ketë skontim apo amortizim kur të shitet pasuria. Nëse është e 2024 ka çmimin e referencës së këtij viti”, tha ai.

Pensionet

Më tej ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete deklaroi dje se qeveria me mbështetjen e Bankës Botërore po kryen një vlerësim të shtyllave të mbrojtjes sociale, pjesë e të cilave është edhe skema e pensioneve. Mete u shpreh se synim është jo vetëm rritja e qëndrueshmërisë së skemës së pensioneve, por edhe një shpërndarje më e drejtë e mbështetjes për kategoritë e pensionistëve.

“Në kuadër të politikave sociale, kemi nisur punën me mbështetjen e Bankës Botërore, për të realizuar një vlerësim të shtyllave të mbrojtjes sociale. Pjesë e analizës vlerësuese, siç e kam theksuar edhe më herët, do të jetë edhe skema e pensioneve, me qëllim jo vetëm rritjen e qëndrueshmërisë së saj, por edhe për një shpërndarje më të drejtë të mbështetjes për kategoritë e pensionistëve”, theksoi ai. Ministri informoi se një nga diskutimet është nëse do të duhet të trajtohet në të njëjtin format, të merret i njëjti inflacion për të gjithë gamën apo të merret në bazë të një niveli të caktuar dhe të shpërndahet. “Kemi hapur një sërë temash lidhur me pensionet, që lidhen me rezidencën ose jo rezidencën, kompensimet e energjisë, ushqimeve apo shpenzimeve të tjera. Diskutimin që lidhet me moshën, projeksionet e bëra në 2014-2015, apo diskutimin që lidhet me skemën suplementare”, shtoi ai. Pra, vijoi ai, do të ketë një rishikim të dytë të qasjes reformuese, duke marrë parasysh zhvillimet me demografinë, apo jetëgjatësinë.

Sigurimi i detyrueshëm i banesave nga tërmetet, së shpejti një draft i ri, i rishikuar

Nga ana tjetër, ministri Mete zbuloi se pr/ligji për sigurimin e detyrueshëm të banesave në raste katastrofe siç janë tërmetet do të rishikohet. Sipas tij, pr/ligji doli për konsultim në gusht të 2023 dhe gjatë këtyre muajve është konsultuar me Bankën Botërore për të arritur në një draft të rishikuar i cili do të prezantohet së shpejti. “Së shpejti do të kemi draft të rishikuar nga ai që ka dalë në konsultim, të konsultuar me Bankën Botërore që do e prezantojmë. Duhet kuptuar si një mbrojtje e mekanizëm që mund të vërë fondet në dispozicion në rast të një ngjarjeje katastrofë me një shpejtësi të lartë, duke përdorur risiguruesit e mëdhenj ndërkombëtarë. Kjo është logjika e skemës. Transferohet risku nga brenda në risiguruesit e mëdhenj ndërkombëtarë që mobilizojnë fondet shumë shpejt në rast të një ngjarjeje”, nënvizoi  Mete në konferencën për median.

Te tjera

Lajme te tjera