E martë, 10 Nëntor, 2026

Nga Inceneratorët, ndërtimi dhe operimi i Portit të Jahteve Orikum-Dukat, te Shërbimi i Skanimit në Dogana, Rruga e Arbrit dhe mirëmbajtja e aksit Milot-Morinë, KLSH jep alarmin dhe zbulon skandalin si koncesionet po gërryejnë buxhetin e shtetit

Share

Koncesionet vijojnë të marrin miliona euro çdo vit dhe qeveria është treguar dorëlëshuar duke rritur fondet për to. Gazeta “SOT” herë pas here ka denoncuar faktin se koncesionet janë kthyer në gangrena e ekonomisë shqiptare, ndërkohë që një alarm të kësaj natyre e ka ngritur edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit. Aktualisht janë 7 kontrata PPP, të cilat çdo vit marrin miliona e miliona lekë dhe skandali është se shumë prej projekteve kanë mbetur rrugës. KLSH ka bërë një auditim në Ministrinë e Financave mbi zbatimin buxhetor dhe tregohen me detaje fondet që skanojnë për secilën kontratë PPP. Rruga e Arbrit vijon të mbetet një kontratë që merr miliona dhe rruga ka mbetur rrugëve. Inceneratorët po ashtu. Edhe koncesionet e vjetra vijojnë të marrin miliona dhe në fund dështojnë. “Nga auditimi konstatohet se në raportin “Mbi zbatimin e buxhetit vjetor, situatës makroekonomike dhe fiskale gjatë vitit 2021”, pagesat e realizuara të vitit 2021 rezultojnë në vlerën 11,517,745 mijë lekë ndërkohë që në raportin “Mbi zbatimin e buxhetit vjetor, situatës makroekonomike dhe fiskale gjatë vitit 2022”, pagesat e vitit 2021 rezultojnë 11,443,679 mijë lekë, pra 74,066 mijë lekë më pak”, shprehet KLSH.

Kontratat koncesionare/PPP që rezultojnë me rritje pagesash për periudhën 2021-2021 janë:

  1. Kontrata “Përmirësim, Ndërtim, Operim, Mirëmbajtje e Rrugës Porti i Jahteve – By Pass, Orikum-Dukat (Ura e Shën Elizës)”;
  2. Kontrata “Financimi, ngritja dhe operimi i shërbimit të skanimit të konteinerëve e automjeteve
  3. të tjera në Republikën e Shqipërisë”;
  4. Kontrata “Për paketën e shërbimeve të kontrollit mjekësor bazë (Check-up)”;
  5. Kontrata “Ofrimi i setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, material mjekësor steril një përdorimesh në sallat kirurgjikale, trajtimi i mbetjeve biologjike dhe dezinfektimi i sallave kirurgjikale)”;
  6. Kontrata “Ofrimi i shërbimit të dializës”;
  7. Kontrata “Ofrimi i shërbimeve laboratorike spitalore”.

Detaje nga raporti i KLSH

Projekti koncesionar/PPP për inceneratorin e Fierit është detajuar në fondet e investimeve me kod projekti “M064079” dhe ka pësuar ndryshime në rritje përgjatë vitit

Ky projekt është çelur në mes të vitit dhe nuk reflekton vlerën e plotë të angazhimit, si rrjedhojë as ndryshime të argumentuara buxhetore. Pagesat e kryera gjatë vitit 2022 për këtë kontratë koncesionare janë në shumën 376,385 mijë lekë, sipas 6 urdhër shpenzimeve të regjistruara në Sistemin Informatik Financiar të Qeverisë të kryera nga ana e aparatit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Secila faturë rezulton në vlerën 62,731 mijë lekë.

Ndërtimi dhe Operimi i Rrugës së Arbrit

Ndërtimi operimi dhe mirëmbajtja e rrugës së Arbrit. Kontrata e koncesionit është nënshkruar në 16.03.2018, në vlerën 33.6 miliard lekë pa TVSH ose 40.32 miliard lekë me TVSH. Pagesat e kryera gjatë vitit 2022 për këtë kontratë koncesionare janë në shumën 2,940,000 mijë lekë, sipas 4 urdhër shpenzimeve të regjistruara në Sistemin Informatik Financiar të Qeverisë të kryera nga ana e aparatit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe i përkasin shlyerjes së detyrimeve të prapambetura, konkretisht faturave të vitit 2019 dhe 2020.

Ndërtim, Operim dhe Mirëmbajtje e Rrugës Milot-Morinë

Pagesat e kryera gjatë vitit 2022 për këtë projekt janë në shumën 740,978 mijë lekë, sipas 2 urdhër shpenzimeve të regjistruara në Sistemin Informatik Financiar të Qeverisë të kryera nga ana e aparatit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Ndërtimi dhe Operimi i Porti Jahteve Orikum – Dukat

Gjatë vitit 2022 pagesat e kryera janë në vlerën 224,698 mijë lekë, sipas 3 urdhër shpenzimeve. Nga auditimi konstatohet se 2 fatura në vlerën totale 150,532 mijë lekë i përkasin shlyerjes së detyrimeve të prapambetura, konkretisht vitit 2021.

Shërbimi i Skanimit në Dogana

Pagesat e realizuara në vitin 2022 sipas databazës së pagesave në SIFQ rezultojnë në shumën 1,898,906 mijë lekë sipas 69 urdhër shpenzimeve. Nga vlera e paguar për këtë kontratë, konstatohet se për 8 urdhër shpenzime, në shumën 231,864 mijë lekë i përkasin detyrimeve të prapambetura periudhës 2020-2021, të cilat janë paguar duke përdorur buxhetin e miratuar për vitin 2022, konkretisht:

-4 fatura me datë furnitori viti 2020 në vlerën 138,919 mijë lekë.

-4 fatura me datë furnitori viti 2021 në vlerën 92,945 mijë lekë.

Vlera e paguar sipas databazës së pagesave në SIFQ rezulton me një diferencë krahasuar me vlerën e raportuar në raportin e buxhetit faktik 2022, pasi kjo e fundit rezulton 1,925,903 mijë lekë. Diferenca midis raportimit dhe SIFQ rezulton në vlerën 26,997 mijë lekë.

Ndërtimi i Shkollave të Arsimit Parauniversitar në Bashkinë e Tiranës

Bashkia e Tiranës si autoritet kontraktues ka paguar 395,047 mijë lekë, të financuara nga të ardhurat e veta dhe buxheti i vendosur në dispozicion nga MASR, në masën 50% me 50%, konkretisht nga 197,537 mijë lekë. Ndërtimi i Shkollave të Arsimit Parauniversitar në Bashkinë e Tiranës është një kontratë koncesionare e nënshkruar në datën 17.10.2018 ndërmjet MAS dhe Bashkisë Tiranë me BOE në shumën 2,364,096,027 lekë, në të cilën është ndërmarrë angazhimi për kryerjen e pagesës së kësaj shumë për shtatë vjet nga momenti i marrjes në dorëzim, angazhim pa fonde buxhetore. Kjo kontratë është regjistruar në modulin e kontratave në datën 31.05.2022 në vlerën 197,537,194 lekë, me kod projekti 18BC893, kontratë e copëzuar dhe jo në vlerën e saj të plotë.

Inceneratori i Tiranës

Vlera e detajuar në fillim të vitit për këtë projekt koncesionar paraqitet në shumën 200,000,000 dhe e rishikuar në ulje në shumën 180,000,000 lekë, plan përfundimtar. Këto ndryshime buxhetit me ulje, krahasuar me vitet e kaluara, për kontratat në vazhdim rezultojnë të paargumentuara. Pagesat e realizuara përgjatë vitit 2022 sipas raportimit në “Mbi zbatimin e buxhetit vjetor, situatës makroekonomike dhe fiskale gjatë vitit 2022”, rezultojnë 1,046,397 mijë lekë. Këto pagesa sipas SIFQ janë financuar në shumën 179,722 mijë lekë nga buxheti i MIE, programi i mbetjeve urbane. Pjesa tjetër prej 866,675 mijë lekë është financuar prej të ardhurave të veta të Bashkisë Tiranë.

Te tjera

Lajme te tjera