E premte, 6 Dhjetor, 2024

Nga forcimi i bashkëpunimit Shqipëri-Kanada, te rritja e investimeve kanadeze në vendin tonë dhe mbështetja për komunitetin shqiptar që jeton në Kanada, ambasadorja Artemis Malo shpalos disa nga prioritet e saj, ja mesazhet

Share

Nga forcimi i marrëdhënieve diplomatike dhe ekonomikë midis Shqipërisë dhe Kanadasë, te nxitja e investimeve kanadeze dhe mbështetja për komunitetin shqiptar, ambasadorja Artemis Malo shpalos një vizion të qartë dhe ambicioz për të ardhmen. Me prioritetet e saj kryesore në fushat e diplomacisë kulturore, zhvillimit ekonomik dhe ndihmës për shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Kanada, ambasadorja e Shqipërisë në Kanada, zonja Artemis Malo ofron mesazhe që synojnë të forcojnë më tej lidhjet mes dy popujve dhe të krijojnë mundësi të reja për zhvillim dhe përparim. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, ajo ndan planet dhe projektet që do të zbatohet në ditët në vijim, duke ofruar një pasqyrë të qartë të angazhimit të ambasadës për të sjellë ndryshime pozitive në fushat kyçe dhe për të kontribuar në forcimin e marrëdhënieve Shqipëri-Kanada.

-Ambasadore Malo, si e shihni aktualisht marrëdhënien me Kanadanë? Cilat janë sfidat që ende ekzistojnë?

Marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve datojnë qysh prej vitit 1967. Gëzojmë marrëdhënie shumë pozitive dhe me një angazhim të gjerë në fusha të bashkëpunimit kulturor dhe ekonomik. Sfidat janë gjithmonë pjesë e punës për të çuar më tej interesin kombëtar dhe zgjerimin e marrëveshjeve në fusha të ndryshme në mënyrë sa më optimale.

-Cilat janë disa nga prioritetet kryesore të politikës së jashtme të Shqipërisë ndaj Kanadasë në periudhën afatmesme dhe afatgjatë? Si mund të përforcohet bashkëpunimi në fushat e arsimit, kulturës dhe ekonomisë?

Synimet e politikës së jashtme janë të qarta dhe të padiskutueshme, në kuadër të rritjes së imazhit të Shqipërisë, mbështetjes në fusha drejtimi që ka nevojë për eksperiencat më të zhvilluara dhe profesioniste, suportin ndaj komunitetit shqiptar, realizime mbi nënshkrimin e marrëveshjeve të reja  me interes reciprok, si edhe avancimi me politikat  e duhura mbi diplomacinë parlamentare, publike, ekonomike e kulturore.

-Komuniteti shqiptar në Kanada është një nga më të vjetrit dhe më të konsoliduarit në mërgatën shqiptare. Si mund të mbështesim dhe forcojmë rolin e këtij komuniteti në shoqërinë kanadeze?

Komuniteti shqiptar në Kanada është një ndër komunitetet të integruara më së miri në shoqërinë pritëse. Ka një organizim dhe bashkëpunim të shkëlqyer ndër vite, me këmbëngulje krenare për të përcjellë trashëgiminë kombëtare dhe vlerat tona historike. Përfaqësia diplomatike është një mekanizëm në mbështetje maksimale të komunitetit dhe një organ për të ndjekur kërkesat dhe sugjerimet e komunitetit. Sigurisht shërbimet ndaj qytetarëve për të lehtësuar nevojat e tyre, janë detyra kryesore, por duhet garantuar se   Shtëpia e shqiptarit është selia e ambasadës.

-Çfarë hapash mund të ndërmerren për të ruajtur dhe promovuar identitetin kulturor dhe gjuhën shqipe ndër shqiptarët e Kanadasë, përfshirë hapjen e shkollave shqipe dhe aktiviteteve kulturore?

Në të gjitha qytetet dhe rajonet e Kanadasë ka një organizim dhe angazhim serioz për zhvillimin e mësimit të Gjuhës Shqipe dhe aktiviteteve kulturore. Qeveria Kanadeze ofron ambiente dhe pagesë për mësuesit e angazhuar, fakt ky që dëshmon respektin dhe gatishmërinë për të krijuar kushtet e duhura. Ajo që duhet ngritur si shqetësim real është gatishmëria nga ana e familjeve shqiptare. Institucioni kryesor për trashëgiminë kombëtare, është familja. Duke shtuar këtu faktin e rëndësishëm të pajisjes me materiale mësimore nga Shqipëria, të dy niveleve, për vite me radhë.

-Në çfarë mënyre ambasada mbështet komunitetin shqiptar në Kanada për t’u integruar më mirë dhe për t’u përfshirë në jetën politike dhe shoqërore kanadeze?

Ambasada ka shprehur të gjithë gatishmërinë dhe disponibilitetin për të mbështetur komunitetin dhe për të bashkëpunuar. Janë kryer shumë hapa të rëndësishme për njohjen e Muajit Nëntor si muaj i Trashëgimisë Shqiptare në rajonin e Ontarios, duke e njohur me akt ligjor në Parlament. Java e fundit e Nëntorit është vlerësuar edhe në Vankuver si java e kulturës shqiptare, nga autoritetet lokale me insistimin dhe punën këmbëngulëse të bashkatdhetarëve tanë. Gjithashtu aktivitete të shumta dhe bashkëpunime ekonomike, akademike dhe marrëveshje shkëmbimi, kanë qenë në krye të axhendës.

-Kanadaja ka një interes të madh për investime në rajonin e Ballkanit, përfshirë Shqipërinë. Cilat janë mundësitë më të mira për investime kanadeze në Shqipëri, dhe çfarë mund të bëhet për të tërhequr më shumë investitorë nga Kanada?

Aktualisht është duke u konsideruar marrëveshja FIPA, Foreign Investment Promotion and Protection Agreement, e cila do të përkthehet në një formë ndërkombëtare me synimin për promovimin dhe mbrojtjen e  investimeve midis dy shteteve. Me këtë marrëveshje do të inkurajohen investimet e huaja, duke siguruar një ambient të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm, me garancinë për barazi dhe trajtim të  drejtë.

-A ka sektorë të veçantë ku Kanadaja mund të ofrojë ekspertizën e saj për të ndihmuar Shqipërinë, si në fushën e teknologjisë, arsimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm?

Interesi i shprehur ka qenë kryesisht në fushën e energjitikës, inovacionit dhe teknologjisë si edhe burimeve natyrore dhe agrikulturës.

-Si i shihni mundësitë për të forcuar bashkëpunimin kulturor dhe artistik mes Shqipërisë dhe Kanadasë, duke pasur parasysh interesin e madh të qytetarëve kanadezë për kulturën shqiptare?

Bashkëpunimet kulturore janë të shumta, pasi në Kanada mes komunitetit ka edhe shumë figura të shquara e të suksesshme në fushën artistike. Gjithashtu traditat dhe historia, kultura dhe harmonia fetare, bashkë ekzistenca e diversitetit etnik,  janë disa prej pikave më  të vlerësuara prej  Kanadasë për vendin tonë. Turizmi është një prej mundësive aktuale për promovimin dhe forcimin e urave lidhëse mes dy vendeve. Linja ajrore direkte do të mundësonte shumë në lehtësimin dhe përzgjedhjen më të shpeshtë të destinacionit Shqipëri. Le të shpresojmë se do arrihet shumë shpejt.

Çfarë mund të bëhet për të promovuar më tej bashkëpunimin në fushën e edukimit, duke ndihmuar studentët shqiptarë që studiojnë në Kanada dhe duke hapur mundësi për shkëmbime edukative mes dy vendeve?

Jemi në bisedime me Universitetet dhe disa pika të rëndësishme të edukimit, për të zgjeruar marrëveshjet e shkëmbimit dhe praktikave më të mira në arsimin e lartë.

-Nëse flasim për sfidat ekonomike dhe politike që mund të hasen në Shqipëri, çfarë mund të mësojmë nga Kanadaja për të përmirësuar reformat strukturore dhe zhvillimin e qëndrueshëm?

Kjo pyetje shumë me vend por që nuk mund të ketë përgjigje të shkurtër pasi sigurisht ka një studim në këtë fushë, I cili në nivelin makro duket si I përgjithshëm, por në nivelin mikro gjen shumë detaje që bëjnë diferencën dhe janë teknike. Pikërisht për të përfituar nga hapat e suksesit të një vendi të zhvilluar, duhen eksperiencat dhe praktikat e mira me impaktin direkt në fushat ekzekutive.

-Si e shihni të ardhmen e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kanadasë në vitet e ardhshme dhe çfarë mesazhi do të dërgonit për shqiptarët që jetojnë në Kanada, duke pasur parasysh rolin e ambasadës dhe angazhimin tuaj personal?

E ardhmja është padiskutim shumë pozitive dhe produktive, për sa kohë dëshmohet gatishmëri dhe interes dypalësh. Ne jemi të gatshëm dhe shumë të interesuar të realizojmë projektet e synuara dhe të implementojmë planet e zhvillimit të marrëdhënieve. Mesazhi i Ambasadës për bashkatdhetarët është i qartë: jemi së bashku në këtë rrugëtim, kemi nevojë të jemi  së bashku që ta ngremë vendin tonë në piedestalin që i takon. Guri i rëndë peshon në vendin e vet, dhe të gjithë e dimë se sado mirë të jemi përshtatur në vend të huaj, nuk ka si shtëpia jonë. Pikërisht për këtë arsye, ajo që duhet të bëjmë, është të mbartim me dinjitet, kudo qofshim, një copëz Shqipërie. Të jemi krenarë për Shqipërinë, të kemi çdo premisë pozitive për ta promovuar atë dhe gjithmonë të bashkuar për të forcuar imazhin dhe interesin kombëtar.

Intervistoi: Rigels Seliman

Te tjera

Lajme te tjera