E premte, 6 Dhjetor, 2024

Nga ashpërsimet disiplinore te ndalimi i punësimit në klinika private, masat e publikuara nga ministrja Koçiu

Share

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka publikuar sot një sërë masash të marra pas ngjarjes në Spitalin Onkologjik të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Në takimin e zhvilluar me drejtuesit e shërbimeve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” me praninë edhe të kryeministrit Edi Rama, Koçiu falënderoi prokurorët që sipas saj, hodhën dritë mbi atë zullum të patolerueshëm në Spitalin Onkologjik”.

Koçiu shprehu keqardhje për ndotjen e bluzës së bardhë, të gjithë mjekëve e infermierëve të përkushtuar në shërbimin shëndetësor.

Ministrja e Shëndetësisë renditi një sërë masash që nga ndërhyrjet në Ligjin “Për Urdhërin e Mjekëve” deri te ndalimi që një mjek të ndjekë të njëjtët pacientë në klinikën private që ka hapur vetë apo që punon aty.

Më poshtë masat e prezantuara sot nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu:

-Është punuar intensivisht për disa ndërhyrje të shpejta në Ligjin “Për Urdhërin e Mjekëve në Republikën e Shqipërisë”i cili rregullon veprimtarinë e profesionistëve të shëndetësisë dhe përcakton parime, standarde e kritere për aktivitetin e bluzave të bardha.

– Hapja apo puna në një klinikë private për mjekët e sektorit publik do të vazhdojë deri në momentin kur spitali përkatës do të përfundojë procesin e autonomisë dhe me marrjen e autonomisë kjo do të jetë rreptësisht e ndaluar.

Mjekët e punësuar në sektorin publik që kanë hapur apo punojnë në klinika private, si edhe ata që do të duan ta bëjnë këtë më tutje, duhet të marrin një autorizim/leje nga titullari i spitalit ku janë të punësuar. Ky autorizim duhet të konfirmohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe të publikohet në një regjistër publik digjital.

Do të ndalohet ligjërisht që një mjek të ndjekë të njëjtët pacientë në klinikën private që ka hapur vetë apo që punon aty. Një mjek i cili ndjek pacientë në klinikat shtetërore është në konflikt të hapur interesi nëse kërkon që po këta pacientë të vijnë në klinikën private që ai ka hapur vetë apo punon aty.

Po menjëherë, mjekët që kanë hapur dhe/ose punojnë në klinika private nuk do të mund të mbajnë asnjë funksion drejtuese të asnjë niveli në spitalet publike apo në Universitetin e Mjekësisë.

Një drejtues në këto struktura duhet t’i dedikohet plotësisht administrimit dhe aktivitetit në strukturën ku i është dhënë një përgjegjësi drejtimi.

Historia e transferimit të pacientëve në klinikën private nga drejtuesit e shërbimeve publike do të mbarojë menjëherë sapo të miratohet ky ndryshim ligjor.  

-Do të krijohet një komision i vetëm shtetëror disiplinor me 5 anëtarë dhe një komision apelimi. Vendimet e këtij të fundit mund të ankimohen në Gjykatën Administrative, por ky ankimim nuk do të pezullojë ekzekutimin e vendimit te komisionit të apelimit.

NDRYSHIME TË MASAVE DISIPLINORE ekzistuese;  

Masat disiplinore aktuale do të ashpërsohen ligjërisht si pjesë e kësaj pakete ndërhyrjesh si më poshtë;

  • Dërgimi i pacientëve në klinikën private nga mjeku përgjegjës për në shërbimin publik, do të dënohet me gjoba domethënëse për mjekun dhe për klinikën private që vetë mjeku ka hapur apo punon. Ndërsa përsëritja e kësaj shkeljeje do të shkojë deri në ndalimin e aktivitetit për mjekun apo klinikën private për afate të caktuara.
  • Shkelja e rregullit që drejtuesit publike nuk mund të kenë klinika private apo të punojnë në to përveç shkarkimit nga funksioni dhe gjobës domethënëse për mjekun, si dhe gjobës gjithashtu për klinikën private, do të mund të çoje deri në ndalimin e aktivitetit për të dyja palët për afate të caktuara.
  • Mosdeklarimi transparent në kërkimin e autorizimit/lejes për punësim në privat do të çojë në heqjen e licencës për ushtrimin e profesionit për afate të caktuara.
  • Shkelja e etikës (betimit të Hipokratit) dhe të protokolleve mjekësore, kur nuk ka shkaktuar pasoja do të çojë në ndalimin e kryerjes së disa shërbimeve mjekësore dhe deri në heqjen për afate të caktuara të licencës së ushtrimit të profesionit.
  • Shkelja e protokollit mjekësor, kur ka shkaktuar pasoja të lehta do të çojë, përveç pasojave që burojnë nga ndëshkimi i drejtësisë edhe në heqje të licencës së ushtrimit të profesionit për një afat shumë domethënës.
  • Shkelja e protokollit mjekësor, kur ka shkaktuar pasoja të rënda do të çojë përveç pasojave që burojnë nga ndëshkimi i drejtësisë edhe në ndalimin e aktivitetit të mjekut për gjithë jetën.

Konkretisht, sipas kësaj pike të fundit, individëve që njollosin institucionin, duke shkelur çdo normë e parim jo thjesht profesional, po edhe human, përveç ndëshkimit të merituar nga drejtësia do t’u ndalohet ta veshin bluzën e bardhë për gjithë jetën.

Propozime të ngjashme të përshtatura do të bëhen edhe për profesionet e tjera.

Te tjera

Lajme te tjera