Me një festë modeste e pa praninë e mediave, e kremtuan socialistët 31-vjetorin e themelimit të Partisë së tyre. Që nga figurat e vjetra të kësaj partie, e deri tek ato aktuale, u mblodhën në oborrin e selisë rozë që prej orës 19.00. Të ftuarit janë pritur nga Sekretari i përgjithshëm Damin Gjiknuri, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj dhe deputetët Blerina Gjylameti e Etien Xhafaj.
Të pranishëm në festë ishin disa nga kontributorët kryesorë si Gramoz Ruçi, Spartak Braho, e Musa Ulqini, ndërsa u vu re mungesa e liderit historik të PS, Fatos Nano. Report Tv mëson se shkak është bërë gjendja e tij jo e mirë shëndetësore. Ftesë ka pasur edhe për ish-socialistin Ilir Meta, i cili nuk ka mundur të jetë në festë për shkak të një vizite në SHBA.
Po ashtu, mësohet se është ftuar edhe kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi e cila ua ka deleguar ftesën Erisa Xhixhos dhe Endrit Brahimllarit. I pranishëm ishte edhe kreu i PAA-së Agron Duka. Gjithashtu pjesë e këtij eventi ishin dhe socialistë të thjeshtë që ka kontribuar ndër vite në këtë forcë politike si dhe përfaqësues të mediave.
Kryeministri Edi Rama nuk ka mbajtur fjalim përshëndetës, por mëngjesin e sotëm ka shpërndarë një mesazh urimi për të gjithë ata që i kanë dhënë dhe vijojnë t’i japin Partisë Socialiste. Rama përmend patronazhistët që patën rol të rëndësishëm në zgjedhjet e 25 prillit për të vijuar më pas me drejtuesit në territor, themeluesit dhe liderin Fatos Nano.
“MIRËMËNGJES… dhe me urimin për ditëlindjen e Partisë Socialiste, të gjithë atyre që i kanë dhënë dje dhe i japin sot PS, që nga patronazhisti më i thjeshtë, tek drejtuesit në territor e deri tek themeluesit e saj dhe lideri Fatos Nano, ju uroj të gjithëve ju një të diel të qetë. #31VJETPS”, shkruan Rama ndërsa postimin e shoqëron me një fotografi trëndafilash rozë, simboli i logos së PS.
Mes socialistëve që uruan 31 vjetorin e themelimit të PS si Taulant Balla, Erion Veliaj dhe Elisa Spiropali, reagoi edhe ish kryeministri Sali Berisha duke thënë se feston pagëzimin e tretë me emrin që mban. Sipas Berishës, u themelua në 1941 nga serbët si Partia Komuniste e Shqipërisë, më pas emri u ndërrua në Partia e Punës së Shqipërisë dhe tani mban emrin si Partia Socialiste. Berisha thotë se Fatos Nano u përpoq të reformonin partinë, por Edi Rama e ka kthyer sërish në parti të lidhur me drogën, krimin dhe vjedhje fondesh publike.
Spiropali uron PS-në për 31 vjetorin: Kemi shkruar kapitull njerëzor në historinë e kombit, partia jonë, ishull që nuk e prek e liga
Spiropali uron PS-në për 31 vjetorin: Kemi shkruar kapitull njerëzor në historinë e kombit, partia jonë, ishull që nuk e prek e liga
31 vjetori vjetori i Partisë Socialiste ka bërë që personazhe publik të botës politike të urojnë përmes rrjeteve sociale. I tillë ishte edhe urimi i Ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali. Ministrja e konsideroi ecurinë e partisë socialiste si një hapjembyllje sysh në jetën e një kombi. Për të, partia është një refleks i shoqërisë shqiptare si dhe një ishull që nuk e prek e liga.
“Gëzuar socialistë të Tiranës dhe Shkodrës, të Korçës dhe Kukësit, të Durrësit, Elbasanit, Vlorës, Tropojës e gjithë Shqipërisë; gëzuar të gjithë socialistëve dhe progresistëve kudo gjenden në këtë përvjetor të krijimit të partisë së tyre që sot mbush 31 vjeç. 31 vjet janë vetëm një hapjembyllje sysh në jetën e një kombi, por janë shumë për një jetë njerëzore. Dhe në këto 31 vjet, ne, socialistët shqiptarë kemi shkruar një kapitull njerëzor në historinë e kombit tonë. Ne bëmë po bëjmë punën e disa brezave njëherësh për t’i trashëguar brezit të fëmijëve tanë Shqipërinë evropiane, Shqipërinë krenare për çfarë është dhe çfarë do të jetë!
Ne besuam aty ku shumëkush dyshonte, ne qëndruam kur shumë vendosën të ikin, ne ndërtuam aty ku të tjerët merrnin kazmat e shkatërrimit, ne kuruam me dhembshuri atë që të tjerët e sëmurën, ne shihnim dhe shohim nga e ardhmja, aty ku të tjerët projektonin dhe projektojnë të shkuarën. Partia Socialiste është bashkimi i themeluesëve të djeshëm, i opozitarëve krenarë që i dhanë vendit alternativën e të majtës moderne, e shtetformuesve të mandatëve të para dhe punëtorëve modestë të të sotmes.
Partia jonë është refleks i shoqërisë shqiptare, me të mirat dhe defektet e saj. Ajo nuk është një ishull që nuk e prek e liga, por një organizëm i gjallë që reflekton nga gabimet dhe projekton sukses për të gjithë shoqërinë shqiptare. PS, e djeshme dhe e sotme është puna për Shqipërinë e besimit, respektit dhe mundësisë për çdo shqiptar.
Mandati i tretë qeverisës është premtimi ynë për të ndërtuar Shqipërinë e dalë nga tuneli i errët i tranzicionit dhe bashkimin e saj me familjen e madhe evropiane, çka do ta bëjë Shqipërinë më të fortë, më të sigurt, më të begatë, do ta bëjë atdheun shtëpinë e premtuar të të gjithë shqiptarëve. Gëzuar Partia Socialiste! Qofsh përherë e re”, shkruan Spiropali.
31-vjetori i PS, Gjiknuri: Forca më transformuese në Shqipëri, premtojmë se do vijojmë përpjekjen që PS të jetë më e mira
Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri ka uruar të gjithë socialistët për 31-vjetorin e PS. Në urimin e tij në rrjete sociale, Gjiknuri shprehet se PS mbetet forca më demokratike e transformuese në Shqipëri.
“31VJETPS! Me urimin e përzemërt për çdo anëtar, mbështetës, drejtues e këdo që ka dhënë e vazhdon të japë një kontribut sado të vogël për Partisë Socialiste , duke dëshmuar se familja jonë politike mbetet forca më demokratike e transformuese në Shqipëri, dhe me premtimin se do vazhdojmë përpjekjen që PS të bëhet më e mirë, më e fortë për të gjithë, ju uroj një ditë të mbarë”, nënvizon Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri.
Veliaj uron socialistët me fotografinë e Ramës: Gëzuar 31-vjetorin, PS forca që po transformon Shqipërinë dhe Tiranën
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka uruar të gjithë socialistët për 31-vjetorin e themelimit të PS. Përmes një postimi në rrjete sociale ku duket me kurriz kryeministri Edi Rama, Veliaj i cili është dhe drejtues politik i PS për qarkun e Tiranës, thekson se PS është forca që po transformon Shqipërinë dhe Tiranën.
“Gëzuar Ditëlindjen. Partia Socialiste, forca që po transformon Shqipërinë dhe Tiranën. Mirënjohje çdo socialisti të thjeshtë, që i jep energji dhe përkushtim, që punët të ecin përpara. #31VJETPS”, shkruan Veliaj.
31-vjetori i themelimit të PS, Balla: Mirënjohje themeluesve kurajozë, patronazhistëve dhe simpatizantëve
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka ndarë në rrjetet sociale një mesazh urimi në 31-vjetorin e krijimit të PS. Balla ka shprehur mirënjohjen e tij ndaj themeluesve kurajozë dhe të gjithë kontributorëve ndër vite, të cilët i dhanë Shqipërisë forcën politike më të madhe, më atdhetare, gjithmonë e hapur, gjithmonë progresiste e moderne, e cila promovon në Shqipëri vlerat më të mira social-demokrate europiane.
“Gëzuar Ditëlindjen e 31 të Partisë Socialiste. Mirënjohje themeluesve kurajozë, të gjithë kontributorëve ndër vite, të cilët i dhanë Shqipërisë forcën politike më të madhe, më atdhetare, gjithmonë e hapur, gjithmonë progresiste e moderne, e cila promovon në Shqipëri vlerat më të mira social-demokrate europiane. Mirënjohje anëtarëve, patronazhistëve, simpatizantëve dhe çdo votuesi në këtë ditëlindje të famijes sonë të madhe. GËZUAR!” – shkruan Balla.