E hënë, 23 Nëntor, 2026

Natë kuqezi në “Air Albania”/ Shqipëria mposht pastër Bjellorusinë, Maran e nis mbarë aventurën në Ligën e Kombeve

Share

Shqipëria e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme aventurën e saj në Ligën C të Ligës së Kombeve. Kuqezinjtë triumfuan 2-0 ndaj Bjellorusisë në “Air Albania”, duke marrë tri pikët e para dhe duke dhuruar një paraqitje bindëse përballë tifozëve shqiptarë.

Kuqezinjtë e nisën ndeshjen me ritëm dhe që në minutën e 5-të patën mundësinë e parë. Rey Manaj provoi të befasojë portierin kundërshtar nga goditja e dënimit, por tentativa e tij nuk përfundoi në kuadrat.

Vetëm pak minuta më vonë, Bjellorusia reagoi, por Etrit Berisha ishte i vëmendshëm dhe neutralizoi rrezikun. Në minutën e 15-të, Shqipëria iu afrua sërish golit, teksa Taulant Seferi provoi me kokë pas krosimit të Ernest Muçit, por mbrojtja kundërshtare arriti të bllokojë goditjen.

Pas një periudhe më të qetë, momenti i shumëpritur erdhi në minutën e 32-të. Shqipëria fitoi një penallti pas ndërhyrjes ndaj Berat Gjimshitit brenda zonës.

Nga pika e bardhë u paraqit Kristjan Asllani, i cili nuk gaboi. Mesfushori kuqezi e dërgoi topin në rrjetë dhe i dha Shqipërisë avantazhin 1-0.

Kuqezinjtë kërkuan menjëherë edhe golin e dytë. Në minutën e 38-të, një gabim i mbrojtjes bjelloruse i dha mundësinë Rei Manajt, por sulmuesi nuk arriti ta shfrytëzonte dhe goditja e tij përfundoi jashtë.

Por festa nuk do të vononte shumë.

Në minutën e parë shtesë të pjesës së parë, Elseid Hysaj dërgoi një top të gjatë drejt zonës. Ernest Muçi e kontrolloi dhe me një goditje të bukur me të majtën e dërgoi topin në rrjetë, duke çuar stadiumin në festë.

Shqipëri 2-0 Bjellorusi! Kuqezinjtë shkuan në dhomat e zhveshjes me një avantazh të merituar.

Në pjesën e dytë, Shqipëria vijoi të kërkonte golin e tretë. Në minutën e 56-të, Taulant Seferi pati një mundësi të artë, por nga një pozicion shumë i favorshëm goditi në mënyrë qendrore dhe pa forcën e duhur.

Në minutën e 67-të, një tjetër aksion i bukur kuqezi. Myrto Uzuni shërbeu në mënyrë fantastike Ernest Muçin, por goditja e këtij të fundit kaloi fare pranë shtyllës së majtë.

Dhjetë minuta më vonë, ishte radha e Kristjan Asllanit të provonte sërish nga distanca, por topi përfundoi në rrjetën e jashtme.

Shqipëria vazhdoi të krijonte raste deri në fund. Në minutën e 88-të, Uzuni gjeti Mirlind Dakun, por edhe sulmuesi kuqezi nuk arriti ta dërgonte topin në rrjetë, me goditjen e tij që kaloi pranë shtyllës.

Në fund, Shqipëria triumfon 2-0 ndaj Bjellorusisë, duke e nisur me këmbë të mbarë rrugëtimin në Ligën C të Ligës së Kombeve dhe duke marrë tri pikët e para në “Air Albania”.

Te tjera

Lajme te tjera