Rama, Berisha, Bardhi dhe gjithë të tjerët po shfrytëzojnë mungesën e ambasadorit amerikan për të futur në kaos politikën dhe për të mbajtur nën presion drejtësinë…
Politika shqiptare prej disa muajsh është futur në qorrsokak, ku si Rama ashtu dhe Berisha i japin forcë njëri-tjetrit.
Drejtësia ka filluar të veprojë dhe duket sikur ka një lloj koordinimi për të mbajtur nën presion SPAK, në mënyrë që të mos shkojë përtej Berishës dhe dhëndrit të tij.
Sali Berisha me mbështetjen e Gaz Bardhit ka krijuar kaos në Kuvend. Prej afro 3 muajsh seancat nuk janë aspak normale.
Çdo të enjte ka tym e kaos, ndërsa komisionet parlamentare kanë kaluar online. Kjo po shfrytëzohet nga PS për të kaluar me shpejtësi ligjet për interes të saj dhe madje pak ditë më parë, Rama shkoi deri aty sa paralajmëroi se do të miratonte i vetëm Reformën Zgjedhore, duke treguar planin djallëzor për të siguruar një tjetër mandat në krye të qeverisë falë Kodit Zgjedhor.
Por pse po livadhisin kaq qetë, Rama, Berisha, Bardhi dhe gjithë të tjerët që po u shkojnë pas? Rama nuk pranon dialog, Berisha vijon tensionet dhe ata që në fund humbasin janë qytetarët. Por a do të ndodhte kështu, nëse Yuri Kim do të ishte ende ambasadore apo do të ishte emëruar David J. Kostelancik?
Absolutisht jo. Politika po livadhis për shkak të mungesës së ambasadorit amerikan. Yuri Kim iku në qershor dhe prej afro 7 muajsh nuk ka një ambasador në selinë amerikane. Uashingtoni ka dërguar zotin David Wisner, por ky i fundit po mban një profil të ulët duke mos u përzierë tek aktualiteti politik.
Kjo i ka dhënë Ramës guxim të pretendojë se e ka bërë ai Reformën në Drejtësi, dhe po ashtu ka bërë që Berisha të sulmojë SPAK dhe të fusë në qorrsokak politikën.
Të gjithë e dimë se kur flet “Rruga e Elbasanit” çdo politikan ul veshët. Historikisht ambasadorët e SHBA kanë qenë ata që kanë negociuar dialogun. Reforma në Drejtësi u miratua falë tyre. Edhe në zgjedhjet e kaluara ishte Yuri Kim që i uli në tryezë palët për Reformën Zgjedhore. Të gjithë shkuan si Çeçoja te rezidenca e saj dhe më pas firmosën për draftin.
Por Kim nuk është dhe ambasadori i ri po vonohet për shkak të përplasjeve në Senat. Për sa kohë ai nuk është “minjtë mund të hedhin valle”, por nuk do zgjasë shumë. Kostelancik do të vijë dhe të shohim se sa trima do të jenë Rama, Berisha, Bardhi dhe gjithë të tjerët.