E mërkurë, 22 Janar, 2025

Muharrem Xhafa: Vladimir Putin është kriminel dhe i çmendur, ofensiva ushtarake dhe genocidi i egër i Rusisë mbi Ukrainën agresion fashist dhe i padrejtë

Share

Ish-funksionar i lartë i Partisë së Punës dhe një nga njohësit më të mirë të gjeopolitikës, Muharrem Xhafa, shprehet i bindur se Ukraina dhe populli i saj do të fitojnë luftën kundër Federatës ruse. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zoti Xhafa u ndal fillimisht tek pushtimi ushtarak i Ukrainës dhe genocidi i egër i Rusisë mbi Ukrainën e popullin e saj të pafajshëm, teksa u shpreh se ky vendim ka ngjallur zemërim të thellë në popujt e botës. Sipas tij, presidenti rus Vladimir Putin është kriminel dhe i çmendur. Po ashtu, ai theksoi se agresioni ushtarak dhe genocidi i egër i Rusisë mbi Ukrainën është një lëvizje fashiste dhe e padrejtë. Ndërkohë ish-funksionari i lartë shtoi se kërcënimi i Putinit për një luftë të gjerë të tretë botërore dhe përdorimin e armëve bërthamore është një presion që ai bën, madje sipas tij, është një blof i imponuar nga dështimi i ushtrisë ruse në Ukrainë.

-Zoti Xhafa, pushtimi ushtarak i Ukrainës dhe genocidi i egër i Rusisë mbi Ukrainën e popullin e saj të pafajshëm kanë ngjallur zemërim të thellë në popujt e botës. Çfarë mund të thoni për këtë agresion të tipit fashist?

Bie dakord me ju që agresioni ushtarak dhe genocidi i egër i Rusisë mbi Ukrainën e popullin e saj të pafajshëm janë të tipit fashist. Mbi popullin e Ukrainës po kryhen krime lufte duke mos kursyer as civilët dhe fëmijët e shkollës, as pleqtë e gratë, as spitalet e të sëmurët në spitale! Në Ukrainë janë vrarë e plagosur mijëra njerëz të pafajshëm, ndërsa miliona të tjerë kanë lënë vendin e vet dhe janë strehuar në vende të tjera të BE-së, të Europës dhe SHBA-së. Ushtria e Rusisë kapitaliste dhe cari i saj, Putin, me mburrjet për pushtimin e përgjakjet e Ukrainës synonin t’i jepnin botës një mësim, t’i demonstronin asaj se ç’forcë e madhe morale dhe ushtarake fshihet në to, por dështuan, sepse nuk parashikuan shpirtin patriotik e rezistencën heroike ukrainase. Ata ngecën keq, sepse Rusia po kryen luftë të padrejtë dhe kriminale kundër një vendi të pavarur dhe sovran. Trullosur nga mendjemadhësia e shtetit të fuqishëm, udhëheqja ruse dhe Putini shpresuan se ushtria, populli dhe Presidenti ukrainas do të dorëzoheshin brenda pak ditësh, por kjo nuk ndodhi dhe Rusia hyri në konflikt gati me gjithë popujt dhe shtetet e botës. Populli trim i Ukrainës dhe udhëheqja e tij u qëndruan goditjeve të ushtrisë ruse, nuk u pamposhtën, duke u dhënë kështu botës dhe popujve të saj shembullin e pashoq të heroizmit e sakrificave mbinjerëzore.

 -Çfarë mendoni për NATO-n, SHBA-në, Anglinë etj., a po japin  ata kontributin e duhur të tyre në mbrojtje të Ukrainës e të popullit të saj?

Moralisht, Ukraina e populli i saj kanë fituar mbi Rusinë agresive dhe ushtrinë e saj. Në shtyp lexoj dhe në lajmet e rubrikat televizive shoh e dëgjoj se Rusisë i janë vënë shumë sanksione të merituara prej vendeve të NATO-s, SHBA-së, Anglisë etj, etj. Ndihmat e tyre morale, materiale, financiare dhe armatimet moderne i kanë bërë Rusisë jo pak presion për të ndalur mllefin dhe oreksin e saj për mposhtjen e Ukrainës, por kjo, mendoj, nuk është e mjaftueshme. Ata që nuk e dinë le ta mësojnë se presionet, sanksionet financiare e ekonomike dhe ndihmat në armatime,  sado të fuqishme të jenë dhe sado ndikim të kenë për frenimin e agresionit fashist të një shteti agresor, në rastin konkret të Rusisë, ato as i ndalin, as i kanë ndalur dhe as nuk mund t’i ndalin ofensivën, pushtimin e krimet e Rusisë mbi Ukrainën e popullin e saj martir. Mbase kjo është çështje taktikë, po një vend i madh e me plot resurse njerëzore, materiale e financiare si Rusia mund të gjejë dhe gjen rrugë të tjera për t’i kompensuar dhe përballuar sanksionet! Qoftë çështje taktike, po mua më duket se NATO-ja, SHBA-ja, Anglia e shtete të tjerë duhej ta merrnin në mbrojtje edhe ushtarakisht Ukrainën e popullin ukrainas, për të ndalur shkatërrimin apokaliptik të saj. Në këtë kuptim, është Ukraina me popullin e vet, ajo që ka meritën kryesore të qëndresës heroike.

-Po për kërcënimin bërthamor të Putinit, ç’mendim keni?

Unë mendoj se kërcënimi i Putinit për një luftë të gjerë të tretë botërore dhe përdorimin e armëve bërthamore është një presion që ai bën, është një blof i imponuar nga dështimi i ushtrisë ruse në Ukrainë, që sa vjen e thellohet, si dhe një shfryrje inati për mbështetjen botërore që pati Ukraina e populli ukrainas. Megalomania ruse se mposhtja e Ukrainës do të bëhej brenda pak ditësh doli një flluskë sapuni në sytë e opinionit botëror, çka e ka tërbuar keq Putinin! Dëgjo, fuqia ushtarake e Rusisë edhe mund ta shkatërrojë Ukrainën e ta shfarosë popullin e saj,por moralisht nuk i mposht dot! Populli i Ukrainës do të mbetet i pavdekshëm!

-Çfarë mund të thoni tjetër?

Mund të shtoj se Rusia është një vend kapitalist i madh, që ka zgjedhur të sulmojë një vend tjetër kapitalist më pak të fuqishëm, sot Ukrainën, ndërsa nesër një tjetër! Në socializëm kjo nuk mund të ndodhte! Kur ish-Bashkimi Sovjetik desantoi e pushtoi Pragën, ai nuk ishte një vend socialist. Luftërat, kjo dihet, i kanë nisur vendet kapitaliste! “Injorantë” shqiptarë e jo shqiptarë në politikë dhe për politikë, në komentet e tyre e cilësojnë Putinin një komunist, por ai është një fashist dhe Federata Ruse një vend agresor kapitalist. Nga çfarë po ndodh kundër Ukrainës duhen nxjerrë mësime të thella. Kjo është me rëndësi për gjithë botën, po më shumë rëndësi ka për vendin tonë, i cili duhet të përgatitet për situata të tilla të vështira, madje shteti, qeveria e ushtria shqiptare duhet t’i nuhasin dhe t’i parashikojnë rreziqet që i kërcënojnë ose që mund t’i kërcënojnë popullin e vendin tonë dhe të marrin masa në kohë paqe për t’u bërë ballë rreziqeve të luftës. Se as BE-ja, as NATO-ja, as Anglia e SHBA-ja dhe askush tjetër, sado shumë të ndihmojnë, nuk i zgjidhin dot hallet a problemet e brendshme që ka një vend dhe populli i tij. Bie fjala, rreziqeve që kërcënojnë vendin tonë duhet t’u bëhet ballë, në radhë të parë, nga brenda, pra nga vetë Shqipëria, nga qeveria, ushtria e populli shqiptar. Përsëris se mbështetja e ndihmat nga jashtë, me gjithë rëndësinë e madhe të tyre, mbeten në plan të dytë. Ku do t’i gjejë Shqipëria grurin për bukë dhe derivatet e saj, nëse nuk e prodhon grurin vetë? Putinit të çmendur po t’i mbushet mendja të godasë me raketa vendin tonë, ashtu si bëri me Ukrainën, a do të mund t’i bëhej ballë sulmit agresiv të tij me barkun bosh?! Po njerëzit që do të bombardoheshin ku do të strehoheshin për t’u mbrojtur? Po ushtria e arsenali ushtarak i saj, nëse ka? Ca “zagarë” televizionesh a gazetash bëjnë humor me prodhimin në vend të bukës e zarzavateve, po në rast lufte ato janë me vlerë të madhe. Se, siç thamë, asnjë pakt ushtarak a shtet, sado i fuqishëm të jetë, nuk të mbron nëse nuk mbrohesh vetë! Sloganeve nuk u duhet zënë besë!  Ndaj themi se nuk është e lehtë të qeverisësh mirë një vend dhe masat e popullit të tij! Siç ka treguar përvoja e keqe shqiptare,  borgjezia e kamur gjen vend ku të fshihet; ajo ia mbath! Sot partitë e borgjezisë bëjnë blablabla, po në kohë lufte blablablatë nuk pinë ujë! Se ato mund harxhet i paguan populli i thjeshtë! Zelensky, Presidenti i Ukrainës, u bë heroi i botës, sepse vendosi të vdesë si hero bashkë me popullin e tij.

 -Si mendoni, kush do ta fitojë luftën, Rusia apo Ukraina?

Thashë më lart se forca të mposht fizikisht, por jo moralisht. Moralisht, luftën e ka fituar Ukraina, e cila kam besim se do të fitojë edhe në fushë e betejës, sepse lufta e Rusisë së Putinit kundër Ukrainës e popullit të saj, përsëris, është e padrejtë dhe si e tillë, si çdo luftë tjetër e padrejtë, është e destinuar të dështojë. Deri brenda Federatës Ruse një pjesë jo e vogël e popullit ka guxuar të ngrihet kundër Putinit në mbrojtje të popullit të Ukrainës, pa folur për popujt e shtetet e tjerë të botës, përfshirë vendin dhe popullin tonë. Populli i Ukrainës do të fitojë!

Intervistoi: Rigels Seliman

Te tjera

Lajme te tjera