Ish-shef i Sektorit të Edukimit në aparatin e KQ të Partisë së Punës, Muharrem Xhafa ka lëshuar kritika të ashpra në adresë të klasës politike shqiptare që ka drejtuar gjatë këtyre viteve demokraci, të cilën e akuzon se nuk mendon për qytetarët por për interesat e saj. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zoti Xhafa theksoi se një nga plagët më të mëdha që ka sot Shqipëria, është shpopullimi, ndërsa shtoi se politikanët shqiptarë janë gati të shesin vendin për interesat e tyre private. Po ashtu, gjatë intervistës për kryeredaktorin e gazetës “SOT”, Rigels Seliman, ish-funksionari i PPSH, tregon se ku ndryshon kapitalizmi nga socializmi. Sipas tij, në socializëm njerëzit ishin më patriotë dhe më të lidhur me atdheun. Ndërkohë ai nënvizoi se emigrantët shqiptarë nuk duhet të privohen nga e drejta për të votuar përderisa janë qytetarë të Shqipërisë.about:blank
-Zoti Xhafa, shumë shqiptarë e shqiptare dhe shumë intelektualë e intelektuale janë larguar dhe vazhdojnë të largohen nga Atdheu i vet, Shqipëria, si emigrantë në vende të tjera të botës. A mundet të thoni diçka shkurt për gazetën “Sot”?
Së pari, ju them se emigracioni s’është një fenomen i ri a një dukuri e re, e sotme, për vendin tonë. Në vitet e qeverisjes së mbretit Zog ka pasur goxha emigracion të shqiptarëve në SHBA, në Francë, etj. Por ata kanë qenë kryesisht nga zonat e jugut të vendit. Në ato vite, ky emigracion ka qenë i nxitur nga varfëria dhe shtypja e njerëzve. Po ashtu, sa di unë, shumë nga emigrantët shqiptarë të atyre viteve u kthyen në Shqipëri, morën pjesë në luftën për çlirimin e saj nga pushtuesit e huaj nazifashistë dhe më pas morën pjesë në punën për rindërtimin dhe ndërtimin vendit. Së dyti, dua të them se sot emigracioni shqiptar është bërë më masiv. Unë nuk e di me saktësi se sa vetë kanë emigruar, sa prej tyre janë intelektualë e sa jo, sa vetë janë nga qyteti e sa nga fshati, sa janë meshkuj e sa femra, sa janë nga rrethet e veriut e sa nga rrethet e jugut, ç’profesione zotërojnë, etj. Ka që thonë se janë gjithsej mbi 1 milion vetë, ka të tjerë që thonë se janë më pak se 1 milion. Sido që të jetë, krahasuar me numrin e vogël të popullsisë të vendit tonë, shifra e të emigruarve është shumë e lartë. Me saktësi unë nuk di as se sa përqind të popullsisë se vendit tonë e përbëjnë emigrantët, ç’arsim kanë, sa prej tyre kanë emigruar me gjithë familje, sa janë emigrantë sezonalë e sa jo etj, etj, etj. Ama, një gjë dihet me saktësi : shqiptarët kanë emigruar me shumicë në vendet e Europës Perëndimore dhe se pak e hiç janë fëmijë të familjeve të pasura. Ndoshta, emigracioni është bërë sot i modës, unë nuk besoj që ata njerëz të rinj kanë emigruar thjesht për modë, për qejf! Besoj se Ministria e Diasporës e Republikës së Shqipërisë i ka të plota të dhënat, por ato duhen bërë të njohura herë pas here me vërtetësi për publikun shqiptar, duhen publikuar! Por kjo gjë nuk po shohim të ndodhë, madje as shtypi nuk po e ngacmon më tej!
-Po pse emigrojnë shumë shqiptarë të moshës së re dhe pse nuk ndodhte kështu në socializëm?
Mbase po ju kuptoj gabim, po synimi juaj, më duket, është t’ju them: Përse nuk ndodhte kështu në socializëm?! Dhe ja po ju them se nuk ndodhte kështu në socializëm, për arsye se në socializëm njerëzit ishin më patriotë dhe më të lidhur me Atdheun, me njeri tjetrin e me familjet e veta, etj. Duke qenë kështu, atëhere rinia e intelektualët synonin para së gjithash të ndërtonin, të zbukuronin e t’i shërbenin vendit të vet, popullit të vet, shtëpisë së vet, jo botës. Se jo pleqëria, po rinia është ajo që ndërton dhe zbukuron vendin. Se janë moshat e reja janë ato që mund t’u bëjnë ballë kushteve të vështira të emigracionit. Ju doni të thoni se njerëzit në socializëm nuk mund të emigronin në vendet kapitaliste, sepse kishin frikë nga “diktatura” socialiste. Jo, jo, kjo nuk është ashtu, sepse, sado të kishte vështirësi, në socializëm kishte punë për të gjithë njerëzit dhe, siç thashë, njerëzit ishin më shumë patriotë, më shumë të lidhur me punën e me vendin e vet, me familjet e veta. Shqiptarët e shqiptaret e moshave të reja emigrojnë sot më shumë në vende të tjera, sepse nuk gjejnë punë në vendin e vet, paguhen keq, trajtohen keq, ka shumë korrupsion, kriminalitet etj, etj, etj.
-Çfarë punësh bëjnë në dhé të huaj djemtë, vajzat dhe intelektualët e intelektualet emigrantë nga Shqipëria?
Siç thashë më lart, kjo është vështirë të thuhet me saktësi, sepse unë nuk i kam mundësitë të bëj një studim të tillë, po duke qenë një person që kam parë e kam vizituar shumë vende të botës ku punojnë e jetojnë emigrantë shqiptarë, duke qenë se kam takuar plot emigrantë, kam vënë re që shumica e tyre, përfshirë intelektualët, bëjnë punët më të rëndomta dhe më të rënda, që nuk pranojnë t’i bëjnë në Shqipëri, si barinj dhensh, punëtorë e punëtore shtëpie dhe stallash, ujërash të zeza, punë të vështira në bujqësi, në ndërtim, në industri, rrallë e hiç në profesionet që kanë pasur në Shqipëri, punëtore seksi e mishi për top në dobi të borgjezisë të vendeve ku punojnë e jetojnë. E them me bindje se fati u ka qeshur shumë pak emigrantëve! U bënë tri dekada dhe jo pak emigrantë dhe emigrante kanë nisur të asimilohen nga popujt e vendeve ku kanë emigruar, sidomos ata që kanë krijuar familje, aq sa fëmijët e tyre nuk dinë të flasin shqip. Shumë emigrantë e emigrante janë bëre ksenofobë! Një emigrant, i cili punonte e jetonte me gjithë familje jashtë atdheut, më thoshte se Atdheun tim, Shqipërinë, e dua shumë, po vendi ku punoj e jetoj jo vetëm më jep realisht më shumë të drejta, po edhe m’i mbron ato dhe se nuk jam pishman që ndodhem andej, duke harruar se nuk do të ishte më shqiptar!
-Po ç’duhet të bëjë shteti shqiptar që shqiptarët të mos emigrojnë me galop dhe që emigrantët shqiptarë të kthehen në Shqipëri?
Shteti shqiptar e di vetë se çfarë duhet të bëjë, që të frenojë emigrimin dhe që emigrantët tanë të kthehen në Shqipëri, po desha të them se në kapitalizëm nuk do të thotë se nuk do të ketë emigracion. Unë dua të besoj se shteti shqiptar ka strategjinë e tij për t’ia arritur këtij qëllimi, por ne si popull as kemi parë e as dimë gjë deri më tani. Shteti shqiptar duhet ta marrë më seriozisht çështjen e emigracionit dhe të ketë për të një strategji të përpunuar mirë dhe konkrete. E di që emigrantët janë edhe larg, edhe të shpërndarë në vende të ndryshme, po shteti duhet t’i takojë e të punojë me ata vazhdimisht, t’i konsiderojë ata qytetarë të vet. Para së gjithash, shteti duhet të punojë për edukimin patriotik të popullit, të rinisë në veçanti dhe të mos e konsiderojë këtë si çështje fjalësh. Më kryesorja është që shteti shqiptar duhet të punojë fort për ngritjen e gjendjes ekonomike dhe financiare të vendit, të të gjitha masave të popullit, të punësojë çdo qytetar të aftë për punë e jo vetëm ata të administratës shtetërore. Unë e di bukur mirë se këto nuk bëhen në kapitalizëm dhe se shteti kapitalist shqetësohet fort për borgjezinë e aspak don të dijë për popullin, në mos e nxit vetë emigrimin!
-Ç’mund të thoni për të drejtën e emigrantëve për të votuar në Shqipëri?about:blank
Unë them se ata nuk duhet të privohen nga e drejta për të votuar përderisa janë qytetarë të Shqipërisë. Atyre u duhen krijuar të gjitha kushtet e lehtësitë e nevojshme për të ardhur e votuar në Shqipëri, pavarësisht nëse ata kanë emigruar me lejen a pa lejen e shtetit shqiptar, sepse shteti ka përgjegjësi për çdo emigrant shqiptar. Çdo emigrant shqiptarë duhet të dijë se ai as jeton në atdheun e tij e as punon për zhvillimin e përparimin e atdheut të tij, se një ditë, sado larg, ai do të asimilohet. Ai ose ajo duhet të gjejnë një mënyrë të veten si ta ndihmojnë Atdheun e familjen e vet! Vota, mendoj, është një mënyrë. Siç thashë më lart, emigranti jo pa të drejtë më tha se ai u detyrua të emigronte në një vend tjetër, sepse në vendin e tij mbeti pa punë dhe pa të ardhura të mjaftueshme për të jetuar si duhet, ndërsa atje ku jetonte dhe punonte bashkë me familjen e tij i kishte të gjitha. Nejse, ai harroi të thoshte se Atdheu nuk duhet ngatërruar me shtetin dhe se ka njerëz politikanë e shtetarë të këqinj, jo atdhe të keq! Dhe se të mirë e të bukur Atdheun e bëjnë njerëzit që jetojnë në të, jo ata që emigrojnë!
-A sheh se ka këtu një dëshirë për të mplakur popullsinë e Shqipërisë dhe për t’ia “shitur” Shqipërinë vendeve të tjera si Greqisë, Jugosllavisë, etj?
Mua kjo më duket e pamundur, mbasi vendi ynë ka parë shumë, ka hequr shumë në kurrizin e tij, por ia ka dalë, ka fituar. Po çfarë nuk pret nga borgjezia e pasur, antikombëtare! Ajo është gati të shesë gjithë vendin për të plotësuar interesat e saj! Mbreti Zog e bëri një gjë të tillë me Shën Naunin e Vermoshin! Kurrë nuk duhet harruar se një vend pa njerëzit e tij të lindur e të rritur në të, është i destinuar të aneksohet e të pushtohet lehtë, të kolonizohet lehtë, të shitet lehtë.
Intervistoi: Rigels Seliman
