E shtunë, 3 Tetor, 2026

Muharrem Xhafa “shpërthen” ndaj Adriatik Alimadhit dhe Çelo Hoxhës: Neo-nazifashistë e faqezinj pa shtyllë kurrizore që po tentojnë të njollosin LANÇ, historia e ka damkosur Ballin Kombëtar si bashkëpunëtor të nazi-fashizmit

Share

 “Po të kishte qenë për Ballin, Shqipëria do të ishte rreshtuar me nazifashizmin, Romën, Berlinin e Tokion! Ishte Enver Hoxha gjenial ai që e rreshtoi vendin tonë me anglo-sovjetiko-amerikanët, duke “groposur” kështu çdo tentativë ndryshe të Ballit Kombëtar! Historia e ka damkosur Ballin, si bashkëpunëtor të nazi-fashizmit. Kështu shprehet Muharrem Xhafa, ish-shef i Sektorit të Edukimit në aparatin e KQ të Partisë së Punës, në intervistën për gazetën “SOT”. Zoti Xhafa teksa u përgjigjet akuzave të kreut të Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi dhe drejtorit ekzekutiv të Institutit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Çelo Hoxha thotë se Ballin Kombëtar e ka damkosur historia si bashkëpunëtor me fashistët e nazistët. Po ashtu, Xhafa thotë se heroizmin e heronjve dhe dëshmorëve komunistë partizanë nuk e mohon askush, sepse LANÇ e radhiti Shqipërinë në Aleancën e Fitimtarëve, ndërsa Balli do ta radhiste në krahun e nazistëve.

-Zoti Xhafa, Muharrem, kreu i Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi, në një intervistë për gazetën “SOT” këtë të hënë i cili komunistët partizanë si “kriminelë”. Keni një koment për këtë deklaratë të fortë?

Shiko! Po të ishte për kryeballistin Alimadhi, unë nuk do të përgjigjesha fare, por e bëj këtë për nder të atyre burrave e grave të mëdhenj të Kombit! Pse, i nderuar Rigels Seliman, prisnit t’i cilësonte heronj Alimadhi?! Adriatik Alimadhi dhe pinjolli tjetër Çelo Hoxha “mbushin” brekët edhe kur i përmend komunistët partizanë! Hoxha dhe Alimadhi janë neo-nazifashistë dhe frymorë faqezinj pa shtyllë kurrizore. Kush është ai budalla, që pret Alimadhi dhe Hoxha të flasin për heroizmin e heronjve, e dëshmorëve, e partizanëve dhe veteranëve të lavdishëm, (ndjesë që po i përmend ashtu si më vijnë në mendje) e Qemal Stafës, Vojo Kushit, Bules e Persefonit, Bardhok Bibës, Mujo Ulqinakut, Pal Mëlyshit, Mustafa Kaçaçit, Heronjve të Shkodrës, Heronjve të Vigut, Hysni Kapos, Gogo Nushit, Spiro Kolekës, Spiro Mojsiut, Jaho Gjolikut, Myslim Pezës, Haxhi Lleshit, Shefqet Peçit, Margarita e Kristaq Tutulani, Reshit Çollaku, Bejto Fasllia, Xhemal Selimi, Abdy Bekteshi, Qemal Llazanit, Bajram Korvafës, Memo Metos, Kajo Karafilit, Abaz Shehut, Kahreman Yllit, Xhule Çirakut, Abdyl Bizhgës, Abdyl Hakiut, Sul Domit, Zeqiri Meros, Rrahman Parllakut, Hasan Kërxhaliut, Nuri Luçit, Lym Ketës, Xhoxhi Robos, ah, sa keq që nuk i përmend të gjithë, me në krye Gjeneralin e Kryekomandantin e Madh, Enver Hoxha! Provokatorë si Hoxha dhe Alimadhi mund të thonë se komunistët partizanë “kanë ngrenë edhe mish italianësh e gjermanësh, po deshe ti që nga 1920-a, po këtë e kanë nga dëshpërimi dhe me një të dëshpëruar nuk e vlen të merresh. Ndaj e lemë Aliun t’i gëzohet dëshpërimit! Një ndihmë mund t’ia japim: Nëse ballistët kanë qenë pula e keca, nuk e vë dorën në zjarr se s’ka ndodhur kjo që thotë Alimadhi, sepse ndonjë pulë a kec edhe komunistët partizanë e kanë ngrënë! Luftë civile?! Përrallë ballistësh! As fëmijët, nipat e mbesat e tyre nuk i tërheq kjo përrallë e mykur! Ai që flet për luftë civile gjatë LANÇ-it në Shqipëri, ai shfaq nivelin e tij mediokër për njohuritë rreth luftës civile! Në fakt, Balli e ballistët këtë kërkonin të bëhej, po PKSH-ja me Komandant Enver Hoxhën në krye, ua dogji kartat në Mukje, para e pas Mukjes! Historiografia shqiptare e botërore ka pranuar se gjatë LANÇ-it ka pasur elementë të luftës civile, nxitur e imponuar nga Balli e Legaliteti. Ato përpjekje i shmangu e demaskoi Enver Hoxha! Po të kishte qenë për Ballin, Shqipëria do të ishte rreshtuar me nazifashiznin, Romën, Berlinin e Tokion! Ishte Enver Hoxha gjenial ai që e rreshtoi vendin tonë me anglo-sovjeto-amerikanët, duke “groposur” kështu çdo tentativë ndryshe të Ballit Kombëtar!

-A ka meritë Balli Kombëtar në Luftën e Dytë Botërore?

Balli Kombëtar ka vetëm “një meritë” në Luftën e Dytê Botërore! Kjo “meritë e tij” qëndron në faktin se Balli Kombëtar ka qenë gjithnjë në anën e pushtuesve gjermanë, u ka shërbyer atyre kundër interesave të atdheut! Tjetër meritë Balli nuk ka. PKSH-së u përpoq boll ta kthente Ballin në rrugë të mbarë, po ai ishte betuar në krah të gjermanëve pushtues, kishte edhe besim tek ata, edhe besimin e mbështetjen e tyre! Kush ka dëshirë të njohë më shumë veprimtarinë e Ballit gjatë LANÇ-it, ai le të lexojë dokumentet e shkruara të vetë gjermanëve pushtues, pastaj edhe të aleatëve anglo-sovjeto-amerikanë e pastaj edhe arkivat shqiptare të kohës së Luftës së Dytë Botërore!

-A është metaforë historike letrare, historia e Ballit me pulat?

Më së pari duhet thënë se Balli u bë për interesa karrieriste e pushteti shtojcë e keqe, bashkëpunëtor e shërbyes i pushtuesve të huaj. Nofka që iu vu si “pulaxhinj” gjatë Luftës nga i madhi Shevqet Musaraj te “Epopeja e Ballit Kombëtar” i shkonte përshtat, çka e ka trajtuar pastaj më gjerë e më me shumë argumente, shkrimtari ynë popullor, Dritëro Agolli! Që të dy kanë qenë (Shevqeti e Dritëroi) personalitete e partizanë të orëve të para kundër pushtuesve të huaj dhe nuk mund të mos merren në konsideratë! Sigurisht, kjo nofkë a metaforë, siç thoni ju, kishte mision të vinte në lojë Ballin Kombëtar e veprimtarinë e tij.

–Cili është vlerësimi juaj për Mit’hat Frashërin?

Mit’hat Frashëri është njëri nga përfaqësuesit më kryesorë të reaksionit në Shqipëri. Që në vitet 1908-1912, ai ndoqi vijën e ujdisë dhe bashkëpunimit me xhonturqit dhe aq sa mundi iu kundërvu lëvizjes kryengritëse të popullit shqiptar, i cili luftonte në ato vite për shkëputjen nga Perandoria Turke dhe shpalljen e Pavarësisë Kombëtare të Shqipërisë. Në vitet e LANÇ-it të popullit tonë, Mit’hat Frashëri u vu në krye të organizatës tradhtare të Ballit Kombëtar dhe ishte përgjegjësi kryesor për veprimtaritë që ajo zhvilloi për sabotimin e Luftës Nacionalçlirimtare dhe për bashkëpunimin me pushtuesit fashistë italianë dhe gjermanë. Veprimtaria antishqiptare e Organizatës së Ballit Kombëtar dhe Mit’hat Frashërit si kryetar i saj është bërë e qartë se çfarë ishin dhe përfaqësonin për popullin shqiptar! Pa asnjë dyshim, Mitat Frashëri është një tradhtar reaksionar i popullit shqiptar, sepse ai dhe Balli Kombëtar i janë kundërvënë LANÇ-it me ndërgjegje të plotë deri me armë në dorë dhe kanë bashkëpunuar pa u lëkundur e me bindje të plotë me pushtuesit nazifashistë për shfarosjen e saj. Mitat Frashëri nuk ishte një njeri dosido. Ishte i biri i Abdyl Frashërit të madh dhe nipi i Naimit e Samiut. Ishte një intelektual liberal dhe i aftë, por ishte një pseudopatriot dhe një tradhtar i vërtetë. Ndokush pret të thuhet se Mit’hat Frashëri ishte “budalla” apo i “pamend”, po s’është ashtu. Ai veproi me plot bindje kundër LANÇ-it dhe po kështu me bindje bashkëpunoi hapur e fshehur me pushtuesit e huaj nazifashistë, që Lufta Nacionalçlirimtare e popullit shqiptar të dështonte dhe të fitohej prej ballistëve jo prej komunistët me Enver Hoxhën në krye. Ky fakt është i njohur publikisht, fakt që e dinë dhe e thonë jo vetëm historianët tanë objektivë e realistë, po edhe partizanët çlirimtarê e njerëzit e thjeshtë të popullit, përfshirë pushtuesit fashistë e nazistë, me të cilët ai bashkëpunoi kundër LANÇ-it e shfarosjes së saj. Për çfarë ka bërë kundër popullit shqiptar, kundër LANÇ-it, në anën e pushtuesve nazifashistë, Mit’hat Frashëri nuk meriton të nderohet, sepse është një kryetradhëtar dhe duhet të trajtohet si i tillë!

-Në fund dua t’ju pyes si ju duket drejtimi Institutit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit nga Çelo Hoxha?

Së pari, ju them juve dhe opinionit publik shqiptar se ky është Instituti i Turpit të Popullit Shqiptar, jo Instituti i Studimeve për Krimet e Pasojat e Komunizmit! Se komunizmi nuk ka bërë krime, po përkundrazi, ka sjellë dobi e pasoja të dobishme për masat popullore shqiptare. OK, jo për borgjezinë! Sigurisht, shteti socialist a komunist shqiptar i ka dënuar kriminelët, ata që kanë bërë krime kundër vendit, rendit e popullit dhe ka vepruar drejt, duke respektuar ligjin! Nëse doni, shihni me vëmendje Deklaratën e Asamblesë se Përgjithshme të BE dhe do të gjeni në të se Shqipëria nuk përmendet për krime të komunizmit. Ndaj ku i gjetën horrat e borgjezisë shqiptare krimet e komunizmit? Ky Institut është i zi, po “fytyrën” e zezë të tij e plotësoi duke e bërë edhe më kriminale “arratisja” e drejtorit Tufa.

–Faleminderit që pranuat ftesën për t’iu intervistuar!

Faleminderit ju!

Intervistoi: Rigels Seliman

Te tjera

Lajme te tjera