24 vite më parë, lëvizja studentore e dhjetorit 1990 çoi në rrëzimin e regjimit komunist. Kjo lëvizje, që filloi më 8 dhjetor, ka qenë subjekt i shumë debateve dhe diskutimeve, me disa që e shohin si një iniciativë autentike të studentëve, të cilën më pas e kontrolluan ata që formuan Partinë Demokratike, ndërsa të tjerë besojnë se ajo u orkestrua nga brenda Partisë Komuniste, veçanërisht nga Ramiz Alia. Gazeta “SOT” ka kontaktuar Muharrem Xhafën, ish-shef i sektorit të Edukimit në Komitetin Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, për të zbuluar më shumë rreth këtij procesi. Në një rrëfim të paharrueshëm, Muharrem Xhafa zbulon detaje të panjohura nga ngjarjet që shënuan vitin 1990 dhe ndihmuan në rrëzimin e regjimit komunist. Ai flet për tradhtinë që Ramiz Alia i bëri Partisë së Punës, duke e përdorur Sali Berishën si një mashë për të realizuar planet e tij. Xhafa tregon gjithashtu porositë që Alia i dha në shtëpinë e tij për lëvizjen e 8 Dhjetorit, duke zbuluar një aspekt të fshehur të asaj periudhe dhe ndikimin që kjo lëvizje pati në formimin e politikës pas-komuniste në Shqipëri. A është vërtet Sali Berisha ai që ka drejtuar të ardhmen e PD-së, dhe si e shikon Xhafa zhvillimin e politikës shqiptare për sa kohë ai mbetet në krye të kësaj force politike? Ky rrëfim përmban shumë më tepër se kaq.
-Zoti Xhafa, te shtune u përkujtua 8 dhjetori i 1990 kur dhe nis lëvizja studentore për rrëzimin e sistemit komunist. Ju keni qenë shef i sektorit të Edukimit në KQ të PPSH të asaj kohe dhe i kini ndjekur ato zhvillime. Çfarë ndodhi më 8 dhjetor dhe a është e vërtetë se ajo lëvizje ishte e orkestruar nga Partia e Punës dhe Ramiz Alia?
Si shumë të tjerë edhe unë e kam ndjekur debatin. Për pozicionin që kam mbajtur në aparatin e KQ të PPSH-së, sigurisht që kam pasur dijeni dhe për lëvizjen studentore të dhjetorit ’90. Madje, kam mbajtur shënime për ngjarjet, përfshirë dhe protagonistët e lëvizjes e të deleguarit e Ramiz Alisë të ngarkuar në shërbim të asaj lëvizjeje. Në librin “Kur tradhtohej socializmi” i botuar më 2010, jam shprehur në këndvështrimin tim për lëvizjen në fjalë. Për atë lëvizje është shkruar e folur shumë në shtyp e në televizione, janë thënë gjëra të qenë e të paqena, të vërteta e gënjeshtra, janë angazhuar njerëz që kanë pasur dijeni e përgjegjësi, po edhe njerëz që mund t’u thuash gënjeshtarë. Një abuzim i madh po ndodh dhe në debatin e këtyre ditëve, në të cilin janë përfshirë “trima pas betejës”, duke shtrembëruar të vërtetën, tani që vdiq Ramiz Alia e protagonistë të tjerë të atyre ngjarjeve, të cilët i kontribuuan përmbysjes së socializmit në Shqipëri. Megjithatë për t’u kthyer në thelb të pyetjes suaj, theksoj se Sali Berisha është masha e Ramiz Alisë. Berishën e ka vënë Ramiz Alia. Ramiz Alia kishte besim se do ta ndryshonte sistemin duke vënë në krye të PD-së Berishën. Ndryshe nuk do ta thërriste në shtëpi vetëm e të vetëm për ta udhëzuar. Sa të jetë Sali Ram Berisha në krye të PD-se, socialistët mbeten në pushtet. Dredhave të Berishës, u ka dalë boja. Berisha në periudhën pas rrëzimit të rendit socialist në Shqipëri ka luajtur rol vetëm në shërbim të Ramiz Alisë. Rendin socialist e përmbysi Ramiz Alia, jo Sali Berisha. Si vegël e Ramiz Alisë, Berisha bëri ato që i tha Ramiz Alia. Berisha ishte i zgjedhuri i Ramiz Alisë. Këtë nuk e kuptojnë bashkëpunëtorët e fashizmit, burgaxhinjtë dhe super të pasurit e vendit.
– Si gjithmonë jeni shterues, por lejoni të shtroj pyetjen drejtpërdrejt: A mund të themi se lëvizja e dhjetorit ’90 ishte një manovër e organizuar nga PPSH dhe Ramiz Alia?
Absolutisht po!Lëvizja studentore ’90 nuk erdhi si diçka e beftë, ajo është paraprirë nga të tjera ngjarje, të cilat nisën pas rënies së Murit të Berlinit në fund të vitit 1989. Jam i sigurt që shumë njerëz, intelektualë sidomos, nuk i kanë harruar artikujt e botuar në “Zërin e Popullit”, intervistat në “Zërin e Amerikës”, debatet për idetë e shprehura në to dhe bartësit e tyre, etj. Pse, a nuk i dinte këto zhvillime “të reja” udhëheqja e lartë e Partisë dhe Ramiz Alia, të cilat binin ndesh me vijën politike zyrtare të socializmit?! Të gjitha diheshin, po Ramizi i toleronte dhe i nxiste sa mundej “duke hedhur gurin e fshehur dorën”! Padyshim, ajo që po ndodhte ishte një tatim pulsi dhe njëherësh përgatitje për veprime të tjera në formën e protestave, demonstratave e konflikteve politiko-shoqërore, të cilat, pas futjes së familjes Popa në ambasadën e Italisë, ngjarjes së ambasadave më 2 korrik 1990, eksodit të shqiptarëve drejt vendeve perëndimore e të tjera, nuk do të vononin të dilnin në forma më të ashpra, në dhjetor të vitit 1990 e më pas. Saktë, ato nisën pasditen e 8 dhjetorit të atij viti me demonstratën e studentëve në qytetin “Studenti”. Ndaj them se lëvizja e dhjetorit ‘90 nuk u shfaq “një ditë të bukur” të atij muaji, po erdhi si pasojë e një vargu ngjarjesh të mëparshme, ishte e ideuar dhe e drejtuar me kujdes e nën rrogoz nga agjenturat e huaja, me dijeninë e Ramiz Alisë e të asaj pjese të udhëheqjes, e cila mbështeste Ramizin. Unë nuk dua të hamendësoj, siç dëgjoj të thuhet, se Ramiz Alia ka qenë agjent i vjetër dhe ka punuar kundër socializmit, PPSH-së dhe Enver Hoxhës, qysh kur Enveri ishte në krye të Partisë e të popullit. Po i sigurt jam se, që nga Kongresi i 9-të i PPSH-së e deri në Kongresin e 10-të të saj, në krye të Partisë së Punës e të shtetit shqiptar, Ramiz Alia ka punuar fort për të rrëzuar e për të çkurorëzuar Enver Hoxhën, për të vendosur kapitalizmin në Shqipëri, nën udhëzimet e drejtimin e agjenturave të huaja euroatlantike. Pas vdekjes së Enver Hoxhës, më 11 prill 1985, Partia e Punës nuk ishte më Partia që udhëhoqi LANÇ-in dhe ndërtimin e socializmit dhe Shqipëria nuk ecte më në rrugën e revolucionit e të ndërtimit socialist. S’kam qenë anëtar i Byrosë Politike e Sekretar i KQ të Partisë së Punës, d.m.th atje ku vendoseshin gjërat në sekret të plotë, por, si shef sektori dhe anëtar i Partisë në një organizatë-bazë me Ramiz Alinë (“çudi” del sot një instruktor më i informuar), nuk kam dëgjuar të flitej prej tij për gabime të Enver Hoxhës dhe për kthim të Shqipërisë në kapitalizëm, përkundrazi. Prandaj them se lëvizja e studentëve të dhjetorit e as ngjarjet para kësaj, nuk janë ideuar e orkestruar nga Partia e Punës. Se komunistëve, organizatave bazë e forumeve të Parisë në rrethe nuk u është shtruar kurrë për diskutim çështja e kthimit në kapitalizëm, as problemi i pluralizmit politik, përkundrazi! Po, koha vërtetoi se në dijeni të asaj çka po ndodhte e dakord për të ecur në rrugën e borgjezisë kishte qenë Ramiz Alia me ndopak të tjerë rrotull tij. Pra, nuk e orkestroi lëvizjen e dhjetorit e kthimin e Shqipërisë në kapitalizëm Partia, po Ramiz Alia, dmth tradhtia me besnikët e vet në “ilegalitet” të thellë! Duke i bërë gjërat fakt të kryer. Ramiz Alia, për fundin e socializmit dhe futjen e Shqipërisë në rrugën e kapitalizmit, ka folur hapur pas 9 dhjetorit, pas pranimit e zyrtarizimit të pluripartizmit dhe krijimit të Partisë Demokratike e asaj Republikane. Pa dyshim, dukuritë që po ndodhnin ishin qartazi kapitaliste, të imponuara nga jashtë, nga presioni i kapitalizmit. Po komunistët mendonin se gjërat do të ndryshonin përsëri në favor të socializmit dhe se Ramiz Alia nuk i kishte tradhtuar, prandaj ndaj tyre veprohej me maturi, për të mos shkuar drejt dhunës. Po kjo nuk do të thotë se ishte Partia e Punës ajo që e solli kapitalizmin, që orkestronte lëvizjen studentore të dhjetorit ose dukuritë e tjera kapitaliste, jo! Partia e Punës u tradhtua! Këtu ka të tjera gjëra për të thënë në lidhje me përgjegjësitë e saj, po kjo nuk i përket kësaj interviste.
-Pra, po thoni se Ramiz Alia e tradhtoi Partinë e Punës…
Po, pa asnjë dyshim. Këto që po them ju në këtë intervistë, unë ia kam thënë në sy Ramiz Alisë kur ishte gjallë. Madje i kam dhënë me dorën time librin “Kur tradhtohej socializmi” ku unë e përcaktoj Ramiz Alinë si kryetradhëtar. Pas vdekjes së tij nuk më ka hije të flas e të sajoj gjëra të paqena. Qartë e prerë, duhet ndarë, aq sa është e mundur, Ramiz Alia nga masa e ndershme e anëtarësisë së Partisë së Punës. Po, procesi i kalimit të Shqipërisë në kapitalizëm është bërë, pa mëdyshje, me dijeninë e me përkushtimin e Ramiz Alisë, në fshehtësi të plotë e me dredhi, i orientuar, i udhëzuar, i menaxhuar dhe i detyruar prej agjenturave e shteteve të huaja. Nuk ishte diçka e rastit që Rajersoni i SHBA-ve ishte i pranishëm në çdo ngjarje kundërrevolucionare, “mik” i Ramizit e tutor i tij, si dhe, aq sa i hynin në punë, edhe i shokëve të Ramiz Alisë.
– Çfarë mendimi keni për liderët e lëvizjes së dhjetorit, sidomos për Azem Hajdarin dhe Sali Berishën?
Unë vërej një shpërdorim të madh të fjalës “lider”. Se, së pari, lider nuk përgatitesh për një javë. Po, ka pasur studentë që u shquan më shumë se të tjerët, për merita të veta apo të të tjerëve, që i futën në “lojë”, kjo është tjetër çështje. Së dyti, studentët më të ndershëm, ata që u shquan në atë lëvizje, morën arratinë jashtë ose brenda vendit, “të përndjekur” prej shokëve të vet, të cilët u katapultuan në pushtet. Madje, disa edhe u përcollën në atë botë po nga pushteti i tyre. Së treti, unë mendoj se s’mund të kualifikohen si liderë të lëvizjes së dhjetorit ata që infiltroi në radhët e saj Ramiz Alia e Sigurimi i Shtetit dhe që punuan për llogari të agjenturave të huaja e të Ramiz Alisë, deri sa kjo gjë që e nevojshme. A, vërtet mendoni ju se janë liderë të dhjetorit 1990 ato “figura” që ishin ose janë sot në Parlament?! Po të hapen dosjet me drejtësi, do të dalë sheshit se kush ishin e kush janë liderët e dhjetorit ’90 dhe, po kështu, kush ishin e kush janë “përfaqësues” të popullit.
-A ishte Sali Berisha besnik i Ramiz Alisë?
Pa nxitjen, mbështetjen, udhëzimet, takimet e Ramiz Alisë nuk do të ishte krijuar as PD-ja, as Partia Republikane. Se jo kot ai thërriste në shtëpi e në zyrën e tij dhe ngarkonte me detyra specifike për “mbarëvajtjen” e protestave të studentëve, Sali Berishën, Sabri Godon e të tjerë. Sidoqoftë, kjo nuk ka qenë veprimtari e Partisë së Punës, po punë e fshehtë e Ramiz Alisë kundër Partisë. Pa idhullin e tij, Ramiz Alinë, pa tradhtinë e Ramiz Alisë, Sali Berisha kurrë nuk do të kishte ardhur në pushtet! Ai do të kishte ndenjur gjatë nën gurë po të mos e nxirrte prej andej, t’i jepte zemër e ta çonte te studentët Ramiz Alia me Rajersonin e CIA-s! Madje, unë e kam thënë edhe më herët për gazetën tuaj se Ramiz Alia i dha dorën Berishës që në 8 dhjetor, më pas bashkëpunimi i tyre kulmoi në “20 Shkurt” të vitit 1991 dhe në 22 mars të vitit 1992.
Intervistoi: Rigels Seliman
