E hënë, 13 Janar, 2025

Muharrem Xhafa kundër Paskal Milos: Balli Kombëtar refuzoi bashkëpunimin me LANÇ, Enver Hoxha nuk i provokoi, ata ishin tradhtarë

Share

Ish-funksionarit të Lartë të Partisë së Punës, Muharrem Xhafa ka treguara dje për librin më të ri “Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore, të pathënat dhe enigmat” të historianit Paskal Milo, duke u shpreh se nuk qëndrojnë pretendimet e profesorit se ishte Enver Hoxha, ai i cili provokoi i pari Ballin Kombëtar. Në librin e tij më të fundit historiani Milo ka publikuar 3 letra të firmosura nga Enver Hoxha, të cilat sipas tij konfirmojnë se ishte ai që nxiti përplasjet me Ballistët. Sipas Milos, brenda ditës ai dërgoi tri letra thuajse me të njëjtën përmbajtje, të parën të gjithë komiteteve qarkore të PKSH-së në vend, ndërsa dy të tjerat i adresoi njërën për Liri Gegën, e deleguara e Komitetit Qendror në qarkun e Vlorës dhe tjetrën komitetit qarkor të Gjirokastrës. Letrat kishin të njëjtën përmbajtje, ku kërkohej asgjësimi i Ballit Kombëtar, thotë Milo. Por nuk ndan të njëjtin mendim me historiani Milo, zoti Xhafa, i cili në një analize për gazetën “SOT”, zbuloi se Balli Kombëtar refuzoi bashkëpunimin me LANÇ, ndërsa theksoi Enver Hoxha nuk i provokoi dhe se sipas tij, ballistët ata ishin tradhtarë.

Enver Hoxha nuk i provokoi, ata ishin tradhtarë

Enver Hoxha ishte udhëheqësi kryesor i luftës dhe unë nuk e kuptoj se ku historiani Paskal Milo bazohet tek libri i tij dhe thotë që ishte Enveri ai që provokoi i pari Ballin Kombëtarë. Ne të gjithë e dimë dhe këto janë edhe të dokumentuara që herë pas here Enver Hoxha iu kërkoj ballistëve të bashkoheshin në fron dhe të bashkuar të luftonin pushtuesit nazifashistë. Por ata refuzuan dhe si tradhtarët që ishin bashkëpunuan me pushtuesit. Unë nuk e kam lexuar librin “Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore, të pathënat dhe enigmat” të historianit Paskal Milo, por jam në dijeni që ai libër ka shkaktuar debate, pasi po tentohet të hidhet baltë mbi Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare. Mua më vjen keq që një historian i kalibrit të Milos të bjerë në këtë nivel, duke u rreshtuar krah ballistëve dhe zogistave. E vërtet është kjo, që Enver Hoxha ishte kryesor i LANÇ dhe askush nuk e mohon këtë, paçka se historiani Paskal Milo po tenton të mbajë një dorë në kadaif dhe një dorë në ballkave, pra duke mbajtur edhe krahun e ballistëve dhe duke vlerësuar edhe partizanët. Por unë jam i mendimit që Milo si një njohës i mirë i historisë pasi në kohën e socializmit ka qenë edhe Dekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë në Tiranë dhe gazetar i “Zërit të Popullit”, që të hedhë baltë mbi Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare.

Enver Hoxha disa herë kërkoi që ballistët të bashkoheshin kundër pushtuesve

Pse historiani Paskal Milo në librin e tij më të fundit “Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore, të pathënat dhe enigmat”, nuk e thotë që Enver Hoxha i shtriu dorën Ballit Kombëtar dhe ballistëve, duke iu kërkura të bashkoheshin me partizanët, kundër pushtuesve nazifashistë? Enver Hoxha dhe eksponentët më të lartë të LANÇ, iu dolën borxhit ballistëve dhe kërkuan që ata të bashkoheshin, por këtë të fundit si tradhtar që ishin dolën kundër dhe punuan pas krahëve të partizanëve. Kështu që të ndodhur përpara kësaj tradhti të madhe, udhëheqësit e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare me në krye Enver Hoxhën, vendosë t’iu përgjigjeshin ashpër ballistëve, duke iu treguar vendi. Është e dokumentuan në shumë letra, siç është ajo e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë e 1 tetorit 1943, ku tregohet qartë që ballistët nuk kanë dashur bashkëpunim dhe kanë pasur interes vetëm tradhtinë dhe bashkëpunimin me pushtuesit nazifashistë. Pse Milo nuk përmend që sapo gjermanët vunë këmbën në Shqipëri në korrik të vitit 1943 dogjën Borovën në Ersekë, duke varrë madje dhe djegur të gjallë foshnja në djep dhe gra, pleq dhe fëmijë të pafajshëm? Pse nuk thotë historiani Milo që gjermanët u pritën me luftë në të gjitha pikat kyçe të Shqipërisë nga rezistenca heroike e partizanëve? Pse nuk e thitë Paskal Milo që 1 muaj pasi gjermanët kishin hyrë në Shqipëri, Hitleri u bind që populli shqiptar ishte armik për vdekje dhe ishte kthyer në makth për pushtuesit nazifashist?

800 forca mercenare ballistë bashkëpunuan me gjermanët

Pse historiani Paskal Milo është rreshtuar krah ballistëve dhe hedh baltë mbi LANÇ, kur dhe vetë ai e di sikundër po sjellë vetëm një shembull që në çlirimin e Tiranës në 17 nëntor të vitit 1944 800 forca mercenare ballistë bashkëpunuan me gjermanët, kryen masakra ndaj popullsisë civile dhe në finale Tirana u çlirua me gjak? Historiani Milo e di shumë mirë që më 17 Nëntor 1944, partizanët heroikë shqiptarë, të mbështetur fuqishëm nga populli i Tiranës, çliruan Tiranën?! Tjetër të vërtetë nuk ka! Ata që kërkojnë të sajojnë të vërteta të tjera, ata janë bashkëpunëtorët vendës të nazistëve gjermanë. Interesante është që, edhe vetë pushtuesit gjermanë nuk kërkojnë ndonjë tjetër të vërtetë, përveç asaj që përjetuan në luftën e Tiranës, përjashtuar ndonjë mospërputhje në shifrat e humbjes së tyre, çka është e pashmangshme, se humbësi gjithnjë synon t’i zvogëlojë humbjet. Jo vetëm brezi i ri, po edhe të gjithë shqiptarët duhet të dinë se për çlirimin e kryeqytetit është luftuar 19 ditë (29 tetor deri 17 nëntor 1944) rrugë më rrugë, barrikadë më barrikadë, shtëpi më shtëpi e trup më trup. Një luftë heroike! Po kështu duhet të dinë se pushtuesit gjermanë, të pamundur për të përballuar sulmet e ushtrisë partizane, në mëngjesin e 17 nëntorit 1944 ndalën qëndresën e tyre u tërhoqën dhe duke njohur humbjen, vijuan rrugën e humbjes. Në luftën për çlirimin e Tiranës, forcat pushtuese gjermane lanë më tepër se 3000 të vrarë e shumë të tjerë të plagosur. Mbi 300 ushtarë nazistë u zunë robër, ndërsa u kapën një sasi e madhe materialesh e municionesh luftarake të ndryshme, si topa, tanke, mitraloz, automjete, karro me materiale, kafshë, municione e armatim i lehtë, pa folur për shkatërrimin e shumë materialeve teknike luftarake. Gjatë veprimeve luftarake për spastrimin e kryeqytetit u arrestuan mbi 500 kuislingë e tradhtarë. Po, edhe në anën e forcave partizane pati 417 të vrarë e të plagosur (vetëm në kryeqytet u vranë 127 luftëtarë). Qindra njerëz nga popullsia civile u masakruan barbarisht prej forcave naziste dhe prej bashkëpunëtorëve të tyre ballisto-zogistë. Tirana, si e gjithë Shqipëria, u çlirua me gjak e me sakrifica të mëdha! Ballistët po të pranojnë që është bërë luftë, ata duhet të thonë edhe se sa brigada kishte Balli; kush ishin komandantët e tyre, sa dëshmorë nga forcat e Ballit ranë për çlirimin e Tiranës! Mbi të gjitha këtë e bëjnë, se përndryshe do t’u duhet të pranojnë e të mburren për bashkëpunimin me gjermanët pushtues dhe për 800 forcat mercenare të tyre në krahët e nazistëve gjermanë.

Milo po hedh baltë mbi LANÇ

Unë siç e thashë më sipër nuk kam lexuar “Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore, të pathënat dhe enigmat”, por ndihem i keqardhur që Paskal Milo ka dalë në këto konkluzione. Historiani Milo nuk ka asnjë arsye të flasë kështu, pasi historinë e luftës e dimë të gjithë dhe më vjen keq që ai me këtë lëvizje po iu bë qejfin ballistëve dhe atyre që janë në pushtet sot, si dhe opozitës që mund të vijë në pushtet nesër. Sot në pushtet ne kemi borgjezinë që janë binjakë siamezë me ballistët. Kështu që edhe Paskal Milo, po iu mban iso atyre dhe po ha çorbën e prishur të ballistëve dhe klasës borgjeze, duke tentuar të hedhë baltë mbi Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare dhe udhëheqësit të çeliktë të saj, shokut Enver Hoxha. Paskal Milo po tregohet oportunist dhe kërkon ta mbajmë mirë me të gjithë, duke shkruar broçkulla historinë siç ai do dhe ia kërkojnë, pasi po të ishte ndryshe, ai do të kishte marrë mendimin e komunistëve të ndershëm. Pra si përfundim historiani Milo duhet të thotë që ballistët nuk ishin gjë tjetër veçse tradhtarë dhe kolaboracionistët, pasi ajo që ai shkruan se ishte Enver Hoxha ai që provokoi i pari Ballin Kombëtarë janë thjeshtë gjepura dhe mashtrime, që kanë si synim vetëm përbaltjen e LANÇ./Rigels Seliman/

Te tjera

Lajme te tjera